Alarmi i Enver Hoxhës për arratisjet në Devoll/ Si mbaheshin nën presion banorët

0
670
blank

Dokumenti i 2 korrikut 1951, mbi format e represionit që ushtronte regjimi komunist në zonat e Korçës, për të frenuar arratisjet që ishin bërë shqetësim deri në kupolën më të lartë të diktaturës

Një telegram i Enver Hoxhës në fund të qershorit 1951, që vinte alarmin për arratisjet e shumta në qarkun e Korçës, kishte vënë në lëvizje gjithë strukturat partiake atje. Peti Shamlli, një prej drejtuesve të lartë partiakë në Korçë, i shkruante Enver Hoxhës pak ditë pas telegramit, se gjendja në Korçë ishte vërtet shqetësuese dhe se po përpiqeshin me çdo kusht t'i frenonin arratisjet. Ai i bën një analizë të gjatë Enver Hoxhës, për shkaqet që kishin nxitur arratisjet dhe vë theksin se duhej forcuar bashkëpunimi i banorëve me Sigurimin e Shtetit për t'i frenuar, duhej forcuar lufta e klasave, sidomos ndaj kulakëve dhe kundërshtarëve të njohur të regjimit, duheshin arrestuar të gjithë ata për të cilët kishin dyshime se mund të arratiseshin dhe duheshin shpërngulur për në Myzeqe familjet që kishin të arratisur jashtë.

Analiza që Shamlli i bën Enver Hoxhës, sidomos për zonën e Devollit, ku rendit gjithë fshatrat problematikë, zbulon panoramën e vërtetë të represionit të regjimit komunist në zonat kufitare, si edhe format për të cilat regjimi i mbante nën presion banorët e këtyre zonave, për të mos lejuar që ata të arratiseshin.

Kujto.al sjell të plotë dokumentin e 2 korrikut 1951, mbi format e represionit që ushtronte regjimi komunist në zonat e Korçës, për të frenuar arratisjet që ishin bërë shqetësim deri në kupolën më të lartë të diktaturës:

Shoku Enver

Më dat.26/6/951 mora telegramin t’uaj që bën fjalë për arratisjet e vazhdueshme  që po ndodhin në rrethin t’onë: në lidhje me këtë unë më poshtë po ju informoj përsa kërkoni.

Dihet se pas tërheqjes së forcave të ushtrisë Demokratike Greke toka e rrethit tonë dhe sidomos ajo e Devollit  filloj të shkelej në mënyrë të vazhdueshme nga grupe diversantë  të ardhur nga Greqija dhe Jugosllavija.

Këta kanë pasur në program që të krijojnë baza për një punë të organizuar duke u mbështetur dhe duke u kapur në kulakët, kryesisht spiunët e vjetër, oficerat e Zogut, etj.  Nëpërmjet tyre janë munduar të pengojnë realizimin e tërë fushatave dhe problemeve tjera. Por nga zhvillimi i luftës së klasave, punës së partisë dhe të sigurimit, nuk kanë mungur të pengojnë dhe problemet ekonomike deri diku janë realizuar në mënyrë të kënaqshme.

Në këto kohët e fundit ata kanë ngritur çështje dite problemin e okupimit të Shqipërisë nga jashtë duke ju bërë thirrje  njerëzve te tyre që të hidhen sa më shumë në arrati. Në këtë drejtim ka pasur disa suksese, vetmë gjatë këtij viti janë arratisur rreth 44 vetë nga katundet: Vidovë, Bozhigrat, Rakickë, baban, maçurisht, Gollobërë, Zëmblak, tren, trestanik, Shuec dhe Zvirinë.

Të gjithë këta njerëz me përjashtim të 4-5 anëtarëve dhe kandidatëve të Partisë që kanë hyrë me qëllim dhe kanë qenë të lidhur me ta, në përgjithësi  janë nga shtresë kulakë, të tjerët  me qëndrim të keq në të kaluarën dhe sot.  Të rralla janë rastet kur janë gënjyer fshatarët e varfër dhe të mesmë. Tani ç’këmi bërë ne si Byro dhe K.P

Nga fundi i vitit 1950 ne e analizuam këtë çështje në Komitetin e partisë dhe kemi dalë në masa. Që nga ajo kohë dhe deri më sot problemi i punës armiqësore dhe të arratisjeve, të punës së diversjonit e kemi pasur në rendin e ditës. Kësaj çështje I është kushtuar rëndësi dhe ëhstë ngritur vazhdimisht në aktivet e partisë, në atë të punimit të rezolucioneve të plenumit të 9të, të Xtë, të fushatave të ndryshme, janë dërguar për mjaft erë shokë të Komitetit  dhe shokë më të mirë të organizatës të rrethit tonë për sqarime në fshat  dhe për të ndihmuar organizatat bazë për këtë çështje. Në këtë anë ka pasur ndryshime në punën e organizatave të partisë, ato aknë bërë punë sqaruese në këtë drejtim, sidomos  në elementët e shtresës së varfër dhe të mesme që elementi armik ëhstë munduar t’I hedhi ën arrati. Ne me disa nga këta kemi marrë kontakte vetë, i kemi sqaruar dhe është bërë  nëj farë diferencimi. Edhe vigjilenca kohët e fundit  ka ndryshuar, në përgjithësi organizatat I kanë zbuluar em kohë njerëzit që janë arratisur  dhe kanë njoftuar në të shumtën e rasteve sigurimin dhe forcat e kufirit, bile në disa raste kanë insistuar që të arrestohen se këta njerëz janë  gati të arratisen, aknë bërë edhe pritë  kurse ata janë larguar  ditën edhe në drejtime të tjera.

Në lidhje me këtë unë mendoj se kur janë tërë të dhënat që këta njerëz përgatiten të arratisen pse të lihen të ikin dhe të mos arrestohen. Ngrihet çështja nga Minsitria e brendshme  që të kapen kur ata arratisen, por fakti ëhstë se ne i presim të ikin nga fshati I tyre ata vinë në qytet në disa raste ose në miqtë e tyre dhe që andej largohen në drejtime të ndryshme. Këtu ëhstë çështja pë rata njerëz që janë armiq të betuar dhe nuk mund të zërë vend puna sqaruese në ta. Mendoj që ky problem të studiohet më mirë dhe nga ana e Ministrisë  së Brendshme.

Në këto kohët e fundit ne kemi marrë njëheri masa të tjera në lidhje me shpërnguljen e disa familjeve nga zonat tona kufitare  për në Myzeqe, pse ka pasur nëj farë alarmi dhe frike ën njerëzit e këtyre zonave që kanë njerëz të arratisur dhe që ajnë implikuar në punë armiqësore në forma të tjera. Këtë fakt armiku u mundua ta përdorte  në interesin e tij, u mundua të futë panic gjoja se ne do të arrestonim shumë njerëz do t ëinternonim dhe njëkohësisht ata ju bënin thirrje për t’u arratisur. Nga kjo punë e armikut ka pasur  disa tendenca arratisjeje. Ne pa përfunduar tërheqjen e këtyre familjeve dërguam rreth 40 shokë në zonat kufitare, atje4 bënë sqarimin e popullit në lidhje me këto masa  dhe punën që po bën armiku, po kështu nëpërmjet kësaj u bë dhe nëj sqarim I përgjithshëm politik. Këto masa nga të dhënat kanë bërë mjaft efekt dhe në këto ditët e fundit nuk kemi pas arratisje. Ne kemi menduar që të lëmë disa shokë në zonën e Devollit, të jemi edhe vetë në këtë terren për të mobilizuar partinë në këtë drejtim.

Gjatë këtij muaji do të analizojmë në komitet situatën politike të rrethit lidhur me punën armiqësore dhe problemin e arratisjeve. Po kështu do të mendojmë të marrim edhe disa masa të tjera. Është mirë shoku Enver që rrethi jonë të ndihmohet më shumë nga ana e udhëheqjes pse që nga plenjumi që ish shoku Bedri dhe deri më sot nuk kanë ardhur shokë të udhëheqjes për të na ndihmuar.

Korçë dat/ 2.7.951

Të fala revolucjonare

Peti Shamlli

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here