Kallo e shpirtit të Xhemal Brojes në themelet e teatrit

0
346

Historia e dramaturgut që përfundoi si punëtor krahu, nëpër kanalet e Gradishtit

“Kam një kallo brenda shpirtit, një brengë që varri s’do të ma tresë”, nuk e kishte për teatrin që po prishet këtë brengë, por për gjithë historinë që e solli këtë situatë në të cilën ndodhemi sot e ku bijtë e etërve që i grabitën shqiptarëve lirinë, po marrin edhe atë pjesë të historisë që gjendet në themelet e asaj godine. Në atë skenë kanë shkelur me qindra artistë e dramaturgë, por historia e Xhemal Brojes është ndër më të veçantat, sepse ai e themeloi këtë teatër dhe e drejtoi atë për disa kohë. Janë vënë në atë skenë me dhjetëra drama të suksesshme që ka shkruar, më tej akoma, si pedagog ka përgatitur dhjetëra aktorë që do të vazhdonin të luanin në atë skenë për 70 vjet. E megjithatë, regjimi i kishte rezervuar Xhemal Brojes një tjetër fat në tjetër skenë, larg asaj të teatrit.

***

Me çizmet deri në gju, i veshur me disa rrecka e me kazëm ndër duar, një burrë i moshuar endej kanaleve të Gradishtit, e zvarritej atyre fushave me shpirt ndër dhëmbë. Ata që rrinin me të, e quanin artist, ai ishte dramaturg, pedagog, ishte edhe jurist, ishte djali i Shkodrës, Xhemal Broja, që vinte nga auditoret e Universitetit në Grenobël të Francës, ku kishte studiuar për drejtësi e ku kishte ndjekur edhe kursin e letërsisë dhe dramaturgjisë.

Kish qenë komunist i orëve të para, bashkë me grupin e të rinjve të Shkodrës sepse ishte idealist dhe e kishte përfshirë vala e lëvizjes kundër pushtimit të Shqipërisë. Por kurrë se kishte menduar se do të ishte pikërisht kjo lëvizje e disa njerëz që do ta merrnin në dorë, ata që do t’ia nxinin gjithë jetën. Se në fakt, pati një jetë pa dritë e shkoi internimeve, duke nisur nga Kuçi i Vlorës, Gusmar i Tepelenës e për të vazhduar në Gradisht të Lushnjes, atje ku ishte dënuar me internim e gjithë shtresa e intelektualëve të Shqipërisë, bashkë me familjet e tyre.

Internimi

Xhemal Broja dhe bashkëshortja e tij Selfixhe Ciu Broja, e cila ishte gazetare e spikatur, u sulmuan fillimisht në vitin 1947, kur ata guxuan të vënë në dukje problemet e regjimit komunist dhe sidomos qëndrimin për Kosovën. Çifti Broja u përjashtua nga partia dhe u dënua me internim në Kuç të Vlorës. Pas prishjes me Jugosllavinë, regjimi e zbuti pak dënimin për Xhemal Brojën. Por sulmet do të riktheheshin për të mos u ndalur më kurrë.

Periudha më e vështirë do të ishte ajo nëpër kanalet e Gradishtit, ku Xhemal e Selfixhe Broja po vuanin internimin.

Si nisi kalvari

“Ka qenë një natë e tmerrshme. Nuk dinim asgjë. Ndodhi rreth orës 4.00 të mëngjesit, pak para vitit të ri. Atë natë kishim diskutuar se ku do ta festonim vitin e ri. Dhe të mendosh që bie dera, sheh plot oficerë sigurimi, i plotfuqishmi i lagjes, që të thonë: “Mblidhni plaçkat, gjërat më të domosdoshme sepse jeni të internuar”. “Pse?”. “Atë e dimë ne”. Kjo ka qenë përgjigjja. Thanë që “Vajza nuk është e përfshirë në internim, nëse keni njeri ku ta lini, lëreni, nëse s’keni, merreni me vete”. Pas dy-tre ditësh e morëm vesh dhe asnjëherë nuk iu dha një arsye përse shkuan në internim. Mbaruan pesëvjeçarin e parë, u erdhi një pesëvjeçar i dytë. Pastaj duket se dikush i thirri mendjes dhe e hoqën masën e internimit. U kthyen në Tiranë në vitin 1972. U kthyen vetëm fizikisht sepse nuk patën asnjë lloj rehabilitimi. Mamaja kishte dalë në pension në atë kohë. Babait fillimisht i dhanë një punë disa muaj në Kinostudio, sepse babai ka punuar gjithnjë në sektorin e artit dhe pastaj me një shkurtim plani e çuan punëtor në ndërmarrjen bujqësore “Gjergj Dimitrov”, derisa doli në pension”, rrëfen Merita Broja.

E bija Merita shkonte shpesh për t'i takuar dy prindërit, Xhemalin e Selfixhe Ciu Broja. I gjente gjithnjë e më të lodhur, gjithnjë e më të tretur e të dërrmuar, gjithnjë e më pa shpresë.

“Në internimin e dytë ishin 50 vjeç. Morën kazmën në dorë, punonin për të siguruar bukën. Ishte një periudhë shumë e dhimbshme. Në fakt, unë nuk isha përfshirë në internime. Atëherë isha 15 vjeçe. Kur mendoja që ata dy intelektualë në vend që të punonin, të jepnin për shoqërinë, për vendin, për kulturën, për artin, kishin marrë një kazmë në dorë dhe jeta e tyre kishte dalë nga ajo hullia në të cilën duhej të ishte. Kjo ka qenë një periudhë shumë e dhimbshme, kur shkoja atje për t’i takuar, kur i shikoja me ato rroba të vjetra. Të dy ishin edhe të sëmurë. Megjithatë, deri në fund nuk u ankuan”, rrëfen Merita e bija e Xhemal Brojes dhe gazetares Selfixhe Ciu Broja.

Pendesa

A s’ishin ata që kontribuan për të vënë një gur themeli për vendosjen e komunizmit në Shqipëri. “Na u bë mirë që vuajtëm, sepse ndihmuan për komunizmin", mësohet të ketë thënë Selfixhe Ciu. “Ky ishte pengu që e morën me vete”.  E ka rrëfyer e bija, Merita, pendesën e nënës së saj, Sefxhije Ciu Broja.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here