Dëshmia/ Vaskë Orgocka: Netët pa gjumë në qeli, në pritje të pushkatimit

0
847

"Ishin të pakta netët kur flija që në mbrëmje deri në mëngjes, sepse ishin këto zhurma nëpër korridore që më bënin të mendoja se po vinte radha ime. Më në fund, një ditë, ditën e 19-të, u hap dera e birucës dhe hyjnë një grup i madh policësh dhe komandanti i burgut, Banush Goxha. Ai urdhëroi të më hiqnin prangat dhe më tha: Kemi ardhur të të japim një lajm, të është falur jeta dhe dënimi të ka ngelur 25 vjet burg. Mendova se po tallej me mua, dhe më kanë kaluar drithma, sikur isha ndërmjet dy poleve të një rryme elektrike, nga maja e kokës, deri në majën e këmbës."

Intervistoi Najada Pendavinji për Kujto.al

Vaskë (Vasillaq) Orgocka është një nga viktimat e krimeve komuniste, i cili përjetoi një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe dënimesh si pasojë e martesës së tij me një grua të huaj polake. Ai vjen nga një familje me prestigj në qytetin e Korçës, ku i vëllai i tij Dhimitër Orgocka është një nga regjisorët e mëdhenj të skenës korçare dhe deri atë kohë, ajo trajtohej nga politika e shtetit, si një familje e priviligjuar dhe e nderuar. Vaskë Orgocka ka mbaruar studimet e tij në Varshavë, në Poloni, me miratimin e shtetit dhe gjatë kohës që ishte student në vitin 1954, u njoh me një vajzë polake të quajtur Barbara (Bashën). Në vitin 1955, ai u kthye nga Polonia dhe mbas një viti, në 1956, erdhi edhe Barbara, gruaja e tij. Kalvari i vuajtjeve dhe persekutimeve e ka zanafillën në vitin 1961, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e demokracive popullore. Në këtë periudhë, filluan përndjekjet e grave të huaja që ishin martuar me shqiptarë dhe që kishin krijuar familjet e tyre duke jetuar dhe punuar në Shqipëri. Si rezultat i kësaj politike represive, Orgocka dhe gruaja e tij Barbara u përballën me persekutimin e egër të regjimit komunist. Ai arrestohet në vitin 1968, nën akuzën fillestare agjitacion/propagandë dhe mbahet në hetuesi, për rreth një vit, duke u dënuar më pas me pushkatim, për shkak se bashkëshortja e tij ishte cilësuar si agjente dhe kolonele e shtetit polak. Gruaja e tij u dënua me 25 vjet burg, ku pësoi një tronditje të madhe mendore e nuk i njohu fëmijët e burrin. Sot Orgocka është 85 vjeç, ndërsa gruaja e tij nuk jeton më.

Dëshmia e plotë, si më poshtë:

  1. Orgocka, cili ishte shkaku që komunizmi filloi persekutimin ndaj jush?

Shkakun akoma nuk e di pse unë dhe gruaja ime përjetuam atë persekutim të atij sistemi, por me kohë mund të them se shkaku ka qenë mangësia, të metat e atij regjimi të asaj kohe dhe arrestimet tona kanë qenë justifikime për të mbuluar krimet e asaj politike. Ndërsa zanafilla e persekutimit tim lidhet meqënëse unë kisha krijuar familje me një grua polake. Unë kam qenë student në Varshavë, në Poloni, me miratimin e shtetit kuptohet, dhe në vitin e fundit të studimeve, pra në vitin 1954, u njoha me një vajzë polake që më vonë do bëhej gruaja ime. Atje kemi qëndruar afërsisht një vit bashkë, ku unë e merrja edhe në festat që organizonte Ambasada Shqiptare apo studentët në Poloni dhe mbas festës, më thërret ambasadori ynë në Poloni, që në atë kohë ishte Petro Papi dhe më thotë: Ajo është vajzë e mirë, pse nuk martohesh me të? E di ti që politika jonë është që të afrohemi sa më shumë me ta. U ndodha pak ngushtë, pasi nuk dija si të përgjigjesha, dhe i thashë do e shikojmë, ai vazhdoi dhe më tha bëje… dhe mund të them se kjo ishte si një shtysë dhe kështu vendosëm të martohemi. Martesën zyrtare e bëmë në Korçë, pasi unë u ktheva në vitin 1955, ndërsa Barbara erdhi një vit më pas, në shtator 1956, për shkak të procedurave. Jetuam rreth 12 vjet sëbashku në Korçë. Unë gjatë asaj kohe, punoja në Komitetin Shtetëror të Gjeologjisë në Tiranë, si gjeolog, me kryetar komiteti Panajot Plakun. Ai më transferoi në Mirditë, atje ku kalova vitet më të rënda dhe të hidhura të jetës sime në Spaç, më pas më çoi në Përrenjas dhe në fund, u transferova në minierën e Mborje-Drenovës. Ndërsa gruaja kishte bërë një kurs për laborante dhe punonte në fabrikën e Birrës, në Korçë. Gjatë kësaj kohe, lindën edhe dy fëmijët e mi. Më pas, ndodhi goditja e tyre dhe familja jonë u shkatërrua përfundimisht në pamundësinë për t’u ribashkuar. Unë personalisht siguroj cilindo qoftë, që ligjërisht nuk ja kam bërë borxh as qeverisë dhe as ndonjë personi në veçanti, për persekutimin tim dhe të gruas.

Kur filloi tamam përndjekja?

Unë e përmenda pak më parë që deri në momentin e arrestimit, ne ishim një familje që jetonim shumë mirë në krahasim me të tjerët. Por erdhi viti 1961, politika e shteti ndryshoi, u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e demokracive popullore, kështu që filluan të na shihnin me një tjetër sy. Në vitin 1962, filloi ajo përndjekja kundrejt të gjitha grave të huaja, të cilat ishin martuar me shqiptarë. Në këtë kohë, unë kërkova që gruaja të largohej sëbashku me fëmijët, por ajo nuk pranoi, pasi mendonte se familja ishte e shenjtë dhe nuk prekej nga askush. Dhe kështu, erdhi momenti i arrestimit tim. Në fillim të dhjetorit të vitit 1968, më kanë arrestuar në zyrë dhe më kanë çuar në Degën e Punëve të Brendshme, këtu në Korçë, ku kam qëndruar deri në fund të shkurt 1969. Akuza e parë që m'u bë ishte ajo e “agjitacion dhe propagandë”, pasi sipas atyre që më kishin spiunuar, të cilët ishin Vangjush Raci, kolegu im i zyrës, Xhevdet Dervishi dhe një grua polake e martuar në Korçë, Kristina Gjashta, unë isha shprehur se nuk më erdhi mirë që ishim prishur me Bashkimin Sovjetik. Në birucat e Korçës, më kanë mbajtur gati katër javë, të cilat mund të them se kanë qenë vërtet një varr prej betoni. Më pas, më transferuan në Tiranë, për arsye se sipas tyre i vunë një tjetër rëndësi hetuesisë dhe procesit gjyqësor të familjes. Atje në Tiranë, filloi edhe kalvari i vërtetë i vuajtjeve, i torturave dhe dhunës psikologjike dhe fizike, pasi qëllimi i tyre ishte që unë të pranoja se gruaja ime ishte agjente dhe unë bashkëpunëtori i saj.

Kush ishin hetuesit tuaj? Cilat ishin torturat që përdorën ndaj jush?

Procesi i hetuesisë ka zgjatur gati një vit dhe gjatë kësaj periudhe, çështjen time e kanë shqyrtuar disa hetues, të cilët do i përmend tani. Gjatë hetuesisë në Korçë, hetuesi im ishte Odhise Porodini, një gjirokastrit, por që ishte me detyrë këtu në Korçë. Për një moment, mendova se hetuesia ime kishte përfunduar... por jo, më transferuan në Tiranë, në burgun 313, ku hetuesinë e vazhdova me Koço Josifin, i cili ishte shefi i hetuesisë për Tiranë. Por shefi i hetuesisë për Republikën ka qenë Ferat Matoiti. Do i dalë emri këtij, pak më poshtë, sepse nën drejtimin e tij filloi hetuesia në Tiranë. Kur fillova me Koço Josifin, ai më tha: “Supën e hëngre në Korçë, tani të shikojmë thelat e mishit që do kesh këtu në Tiranë”.  Në këtë proces hetuesie, filloi edhe dhuna fizike, ku gjatë marrjes në pyetje në shumicën e rasteve, na vendosnin në karrige të betonuara dhe na mbanin me duar të lidhura prapa karriges, duke ushtruar tortura fizike deri në përgjakje dhe presione të pafundme psikologjike. Gjatë hetuesisë, mbaj mend që më ka ardhur një ditë Feçor Shehu. Unë nuk e njihja kush ishte, por imazhi i tij më ka ngelur në mendje. Ishte një fytyrë e dhjamosur, e verdhë, me bula djerse dhe të krijonte menjëherë përshtypjen e një krimineli të pashpirt. Kur hyri ai në derë, hetuesi përpara tij rrinte “gatitu”. Unë u habita, pasi Koço Josifi ka qenë një nga ata hetues që sëbashku me Mehmet Shehun, ka vrarë njerëz brenda në biruca, sidomos në rastin e shpërthimit të bombës në Ambasadën Sovjetike. Më pa Feçor Shehu dhe i tha hetuesit: Po ky, kush është? Akoma merreni me këtë? Merreni dhe bëjeni lëmsh dhe hidheni, kaq tha dhe iku. Ky ishte udhëzimi i Feçor Shehut, të më vrisnin. Ndërsa Koço Josifi, më thotë që ky njeri ka në dorë jetën tënde dhe timen bashkë. Hetuesia vazhdonte dhe një tjetër person do vinte tek unë. Ai ishte Ferat Matoiti, i cili ka qenë autori i të gjitha torturave fizike që më bëri. Në atë kohë, ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Hetuesisë për Republikën. Në njërën nga këto ditët, ai më rrahu keq, më goditi me grushta fytyrës, duke më thyer dy dhëmballë, u gjakosa i gjithi, më çuan në birucë dhe gjaku vërshonte pasi më kishte ngelur një cifël, e cila me shkaktonte dhimbje të padurueshme. Dhe në këtë mënyrë, unë u detyrova që të kërkoja ndihmën e ndonjë dentisti që të ma shkulte, por ai që erdhi nuk ishte dentist, ishte “nallban”, nga ata që mbath kuajt me patkonj, dhe me një palë darë me nga ato që hiqen gozhdat, më shkuli rrënjën me një pjesë të nofullës. Atje, për herë të parë, humba ndjenjat. Vendi u infektua, kisha hemoragji dhe në këtë mënyrë, i kërkova policit pak kripë, e cila ishte e papastruar, por që më shpëtoi. Pra kushtet në hetuesi, kanë qenë për të të vrarë pa plumb, dhe hetuesit ishin vërtet njerëz të zgjedhur për të kryer kriminalitete mbi njeriun.

Si e përjetuat dënimin me pushkatim?

Hetuesia zgjati gati një vit dhe pas saj, sipas rregullave, u realizua një gjyq, i cili zgjati një javë dhe unë në këtë gjyq, jam dënuar me vdekje. Në grupin tonë, ishim dy veta që u dënuam me pushkatim, ai ishte një shoku im, inxhinier mekanik nga Durrësi. Kur vinte polici, më hapte atë sportelin dhe më thoshte gjoja si fshehurazi, mos ki frikë ti, ai tjetri do pushkatohet por ti jo, ndërsa atij i thoshin të njëjtën gjë. Që pas mbarimit të gjyqit, më lidhën me duar mbrapa dhe ato hekura s’mu hoqën më, deri sa m'u fal jeta pas 19 ditësh pritjeje të pushkatimit tim. Të jetosh me mendimin se do të vrasin, do pushkatohesh pa asnjë faj, pa asnjë shkak, vetëm pasi Kolegji i Gjykatës së Lartë kishte marrë këtë vendim, ishte e tmerrshme. Isha vetëm 35 vjeç, nuk e dija se çfarë mund të ndodhte me gruan time dhe fëmijët e mi. Shpejt apo vonë, pushkatimi im do të ndodhte, dhe unë vetëm prisja duke përgjuar çdo lëvizje, sidomos natën, pasi gardianët merrnin të burgosurit që i çonin në hetuesi ose për pushkatim. Ishin të pakta netët kur flija që në mbrëmje deri në mëngjes, sepse ishin këto zhurma nëpër korridore që më bënin të mendoja se po vinte radha ime. Më në fund, një ditë, ditën e 19-të, u hap dera e birucës dhe hyjnë një grup i madh policësh dhe komandanti i burgut Banush Goxha. Ai urdhëroi të më hiqnin prangat dhe më tha: Kemi ardhur të të japim një lajm, të është falur jeta dhe dënimi të ka ngelur 25 vjet burg. Mendova se po tallej me mua, dhe më kanë kaluar drithma sikur isha ndërmjet dy poleve të një rryme elektrike nga maja e kokës deri në majën e këmbës.

Po me gruan tuaj çfarë ndodhi? A e keni takuar gruan tuaj gjatë asaj kohe?

Gruan time Bashën e kishin arrestuar atë ditë që më sollën mua nga Korça në Tiranë, në fund të shkurtit 1969. Mbaj mend që unë kur kalova nga hetuesia për në birucë, pashë rrobat e saj të cilat i njoha. Bashën e dënuan me 25 vjet burg, por meqënëse pati një ndërhyrje të fortë nga shteti polak, atë e liruan, duke i bërë një gjyq të detyruar, pasi duhej t’ja faktonin shtetit polak fajësinë e saj, dhe nga 25 vjet e dënuan me 3 vjet sepse shtetasit e huaj në atë kohë dënoheshin sipas ligjit nga 1 deri në 3 vjet për agjitacion dhe propagandë. Po, gruan e kam takuar gjatë periudhës që ishim në hetuesi dhe kur u bë gjyqi. Para gjyqit, këto takime organizoheshin në këtë mënyrë që ishte një komision dhe bëhej një ballafaqim ndërmjet të burgosurve për të biseduar ato që ishin përgatitur nga hetuesit për t’ia thënë njëri-tjetrit. Atje e pashë gruan në gjendje të tmerrshme, ajo ishte shpërfytyruar, kaq shumë kishte ndryshuar. Ajo s’kishte në trup veçse një fustan të saj dhe një palë këpucë me qafë. Më pa, më njohu dhe më pushtoi rreth belit dhe filloi të qajë. Në këtë gjyq merrnin pjesë disa policë, hetuesit Koço Josifi, Ferat Matoiti, dhe një përkthyes, meqënëse gruaja ishte me kombësi të huaj i cili ishte Osman Kraja, por ky nuk ishte përkthyes. Ai plotësoi të gjitha ato që nuk i tha dot prokurori. Kaloi një çast dhe ajo më tha: “E shikon atë njeri atje?”, dhe vështrimin e kishte nga Ferat Matoiti. Ai ishte një burrë i gjatë, me flokë kaçurrel të thinjur dhe me fytyrë të zezë, dhe më thotë: “Ai njeri e ka shpirtin më të zi se fytyrën”, por shqip. Kaq ishte takimi me gruan. Kur u bë gjyqi, ishte dhe gruaja atje e cila ishte akuzuar për agjente dhe kolonele e shërbimit sekret polak. Por si mund të ishte kolonele një vajzë 18 vjeçare. Kur u lexua akt-akuza, ajo përplaste këmbët. Kjo ishte mënyra e saj për të protestuar për të gjitha ato që thuheshin në gjyq. U përjashtua nga gjyqi dhe ata u detyruan ta dënonin në mungesë. Gruaja ime gjatë asaj periudhe, pati edhe një çrregullim mendor pas atyre torturave psikologjike dhe fizike që kishin ushtruar ndaj saj në hetuesi. Gjithashtu, atë e kishin tejngopur me narkotikë. Këtë gjë unë e vërtetova kur shkova në Poloni, pas viteve ’90.

Ku e vuajtët dënimin, në çfarë burgu apo kampi?

Unë e theksova pak më parë që Presidiumi i Kuvendit Popullor më fali jetën, duke më dënuar me 25 vjet burg. Pas dy javësh që më mbajtën në kaushët (dhoma të cilat shërbenin si tranzit për shpërndarjen e të dënuarve nëpër kampe pune), më çuan në kamp-burgun e Spaçit. Unë me profesion isha gjeolog dhe e dija shumë mirë, sesi punohej, çfarë kushtesh, sigurime teknike, rregulla kishte miniera, dhe isha një nga ata që i kontrolloja zbatimin e këtyre rregullave. Por kur kam vajtur në Spaç, “kam zënë kokën me dorë”, dhe jam habitur që si ka mundësi që njerëzit këtu hyjnë dhe dalin gjallë. Të tmerrshme ishin kushtet e punës dhe jetesës në minierën e Spaçit. Në këtë minierë, prodhohej bakër dhe pirit. Unë punova në galeritë e piritit dhe në këtë sektor, ishte vërtet një skëterrë. Nëqoftëse diku në këtë univers ka ferr, atje ishte ferri. Na u mbush i gjithë trupi me njolla të verdha, pasi të gjitha ujrat që kishte galeria, ishin të tejngopura me acidin sulfurik. Ushqimi ishte i pamjaftueshëm për të përballuar atë punë të rëndë që bënim. Këto ishin tmerret e atij burgu.

Si vazhdoi jeta juaj familjare dhe a u bashkuat me gruan tuaj pas atyre viteve ndarje?

Gruaja ime Basha u lirua në vitin 1971, me kërkesë të detyruar nga shteti polak. Dhe menjëherë shkoi në Poloni, por për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, me barrelë e çuan nga birucat në arodrom dhe me barrelë e kanë zbritur në Varshavë, nga avioni deri në spital. Ka jetuar gjashtë muaj në spital, duke u kuruar për gjendjen e saj mendore që vinte si pasojë, jo vetëm e tronditjes, por edhe sasisë së tepër me narkotikë, e cila dëmtoi trurin e saj. Fëmijët nuk arriti t’i merrte dot për arsye të gjendjes shëndetësore dhe ata qëndruan me prindërit e mi. Ndërsa mua m’u ul dënimi deri në 17 vjet burg dhe u lirova në vitin 1985, pasi edhe ata e dinin shumë mirë që nuk ia kisha bërë për borxh një gjë të tillë, vetëm sepse ashtu ishte politika e tyre. Më në fund, erdhën dhe më thanë troç, familjes do i thuash të vërtetën, me të tjerët s’ke pse bisedon. Mbas viteve 1990, së bashku me fëmijët do shkonim në Poloni të takonim gruan, dhe absurdi i të gjithë kësaj ishte se ambasada shqiptare nuk ma aprovoi vizën për në Poloni, pasi isha një i dënuar politik. E gjithë familja ime mund të shkonte jashtë shtetit, ndërsa unë jo. Edhe pas ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, akoma funksiononte ideologjia komuniste. Më në fund, m’u aprovua viza dhe shkova të takoja gruan time, por ajo ishte në atë gjendje që herë më pranonte dhe herë jo, dhe kishte momente të tilla që ajo merrte policinë në telefon dhe i thoshte që tre persona kanë ardhur të më vrasin.

Ma shkatërruan jetën pa asnjë shkak!/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here