Fjalët e rojës që vranë nënën e të burgosurit, Gaspër Gaspri

0
818

Rojet e burgjeve, shpesh, përcaktonin vuajtjet e të burgosurve dhe të të afërmëve të tyre. Ndonjëherë madje, u përcaktonin edhe jetën, siç ndodhi me nënën e Gaspër Gasprit, të vetëvrarën e regjimit.

Humori i rojeve apo i Zotit kur kish gatuar shpirtin e tyre, kishte shumë peshë në mënyrën si e kalonin kohën e dënimit të burgosurit. Të futeshe në burg për arsye politike gjatë komunizmit, do të thoshte të hidheshe për ca kohë në ferr: nuk kishe të drejta, nuk kishe shpëtim, ishe plotësisht në dorë të oficerëve dhe komandantëve të burgut, mes të cilëve sadistët nuk kanë munguar kurrë.

Policët rrihnin, torturonin, mbyllnin në izolim të burgosurit, thjesht për kënaqësi, apo për të treguar sa të partishëm ishin duke masakruar armiqtë e partisë. Gaspër Gaspri që vuajti 14 vite në burgjet më të egra të komunizmit, e ka provuar në kurrizin e tij pushtetin e gardianëve, siç e tregon vetë vite më vonë, kur ca nga plagët ende nuk i janë shëruar, edhe pse ka mundur të dalë prej asaj periudhe pa tradhtuar parimet njerëzore dhe familjare.

“Kam kaluar 14 vjet brenda: 9 vjet në Burrel dhe pjesën tjetër në Spaç dhe Qafë të Barit. Na lejohej të ajroseshim për 1 orë çdo mëngjes dhe pastaj mbasdite – këto ishin rregullat. Por, ndonjëherë, mund të kalonte një muaj dhe nuk na lejonin të dilnim fare. Kur dilnim, mendonim me vete: “A do na vijë njeri këtë muaj, të na sjellë pak bukë e një paketë cigare që të mos humbim toruan? Policët na kërcënonin me shufra hekuri dhe na rrihnin kur riktheheshim brenda. Metodat e torturës ishin të ndryshme, unë isha me fat, sepse isha i ri dhe ne gjendje të mirë shëndetësore. Në mes te dimrit, na fusnin në birucë për një muaj, pa ndonjë arsye konkrete. Shumë të burgosur vdisnin në birucë, ndërsa të tjerë nuk vinte t’i shihte kush për vite. Nuk kishte më keq. Dëgjoj shpesh për Nelson Mandelën që vuajti në burg për 25 vjet, ne kemi pasur shumë Nelson Mandela në Shqipëri. Pjetër Arbnori ka qenë persekutuar dhe burgosur për 29 vjet. At Simon Jubani ka qenë hero i lindur. Çdo herë që kishte vizita zyrtare nga Tirana, nga Ministria e Punëve të Brendshme, ai bërtiste “Poshtë Enver Hoxha! Poshtë Komunizmi!” Tani i themi këto fjalë lirisht, por të të dëgjonte ushtari ato fjalë në ato kohë? E torturuan duke ia thyer të dyja këmbët, të dyja krahët dhe brinjët dhe nuk tha një gjysmë llafi. Çdo herë e dënonin më keq; përfundoi duke bërë 27 vjet burg. Më bënë të njëjtën gjë dhe mua. Më torturuan duke m’i mbajtur duart dhe këmbët e lidhura, deri sa të më binte të fikët, për gabime të paimagjinueshme, si bërje zhurmë mbas orarit të caktuar dhe akuza të tjera të tilla”, tregon Gaspër Gaspri për evenwallshaveears.org.

E kishin dënuar, pasi e kishin përjashtuar nga universiteti, sepse ishte kundër komunizmit, familja e tij kishte pikëpamje demokratike dhe ishin besimtarë. Këto krime ishin të mjaftueshme për t’i ndërprenë ëndrrat, për t’i ndryrë rininë, për ta torturuar, por një ditë do t’i merrnin edhe nënën. Gjithçka ndodhi pas takimit të tyre, që atë ditë do të ishte i fundit.

“Një moment pothuajse fatal për mua, jo prej rrahjeve, po prej natyrës së shpirtit tim të thyer, ishte kur mamaja ime erdhi të më takonte për herë të fundit. I kishin dhënë mundësinë të më shihte vetëm fytyrën, jo trupin. Si për koinçidencë, rastisi qe atë ditë ishte në detyrë roja më i egër i burgut. Ajo e pyeti: “Të lutem, a mund të shoh duart dhe këmbët e djalit tim?” Ai iu përgjigj: “Je me fat që mund t’i shohësh fytyrën, sepse herën tjetër nuk do e gjesh më gjallë. Do të të japim rrobat e tij të lara në gjak, siç bëmë me mamanë e Xhelal Koprenckës.” Ajo u mërzit dhe u largua dhe më tha qe nuk do vinte më të më vizitonte. Mamaja ime vrau veten duke u hedhur në zjarr. E vrau veten 8 vjet mbas arrestimit tim. E shoh mamanë time shpesh në endrra dhe ndihem sikur i kam borxh diçka. Një gjë për të cilën jam krenar, është që gjithmonë kujdesesha për traditat familjare dhe nuk kisha asgjë për të pasur turp. Nuk pranova kurrë të bëhesha spiun, në mënyrë që të dilja nga burgu. Jam dënuar shumë herë për kokëfortësine time dhe për këtë jam krenar. “Njeriu nuk duhet ta ketë frikë të keqen, kur është duke luftuar për të mirën!” Si fillim, duhet të luftojmë për të mirën, për familjen dhe për Zotin – kështu e shoh unë. Dhe kur lufton për të mirën, e mira do të vijë gjithmonë.”

Po ta mendosh, çështjet e së mirës dhe së keqes nuk tregojnë humorin e Zotit, siç thotë populli, por zgjedhjet e njeriut. Dhe disa njerëz, edhe pse jo gjithmonë, e patën mundësinë e zgjedhjes në diktaturë, por jo të gjithë zgjodhën të mirën. Njerëz si Gaspër Gaspri, nuk mund të ishin shumë, ndaj meritojnë të vlerësohen sa herë hasim një prej tyre. Ata korrën dy fitore shumë të vështira për ato vite: nuk humbën jetën, nuk humbën as shpirtin. Edhe pse këtë, diktatura ua plagosi për gjithë jetën.

Nga A.Çano

Citimet dhe fotot janë marrë nga platforma e dëshmive gojore Edhe Muret Kanë Veshë e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Intervistoi: Kristale Ivezaj Rama

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here