Akt-akuza e Qemal Lames, që çoi drejt vdekjes 2 të rinj të pafajshëm/ Berat, 7 janar 1978

0
5

Berat, 7 janar 1978. Salla e Kombinatit të Tekstileve është mbushur plot me njerëz. Jashtë, dhjetëra të tjerë dëgjojnë në altoparlante. Janë thirrur aty në një gjyq popullor, nga ato që vetëm diktatura komuniste dinte të bënte për të mbjellë terror. Dhe këtë ditë janari, ishte përgatitur një terror i pashembullt.

Katër djem të rinj qëndronin para trupit gjykues të drejtuar nga Ali Zanko dhe në krah të trupit gjykues, qëndron Prokurori Penal Qemal Lame. Lame me akuzën e tij krejtësisht të sajuar dhe pas 4 muaj torturash të të rinjve në hetuesi, i ka imponuar tashmë trupit gjykues verdiktin fatal. Me fjalët e tij, ai çoi drejt vdekjes, dy të rinj, ndërsa dënoi dy të tjerët me nga 25 e 20 vite burg.

Mjafton të shohësh sytë dhe gojën e gjyqtarit Ali Zanko, për të kuptuar gjithë egërsinë e pushtetit. Para se t'i dënojë me pushkatim, ai u bën moral pse dëgjonin muzikë italiane.

E mjafton të shohësh sytë dhe tronditjen në fytyrën e 4 të rinjve krejt të pafajshëm, për të kuptuar deri ku kishte shkuar mizoria e pushtetit komunist, të cilit i duheshin patjetër viktima për të mbajtur terrorin gjallë.

Dy vdekje të caktuara nga një njeri, Qemal Lame, që sot, jo vetëm është i lirë, por paradoksalisht po të kërkosh në google emrin e tij, të del një autor librash për drejtësinë. Po, po, për drejtësinë!

Po për çfarë akuzoheshin ata 4 bij nënash? Për, gjoja, tentativën për të hedhur në erë Kombinatin e Tekstileve, për të minuar pushtetin popullor.

Luftëtar Protoduari, Muharrem Protoduari, Riza Hazizi dhe Ushtar Çobo, u arrestuan në verën e vitit 1977 me akuzën e hedhjes në erë të Kombinatit të Tekstileve “Mao Ce Dun” në Berat. Ishte një akuzë që do të montohej ashtu siç kishte ndodhur, përgjatë gjithë historisë së Sigurimit të Shtetit. Ishte një akuzë e paqenë ndaj kundërshtarëve realë apo imagjinarë të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Katër djemtë u cilësuan si “Grupi Terrorist i Poshnjes”. Gjyqi ndaj tyre u zhvillua si një show në qytetin e Beratit, një ngjarje që do ta trondiste fort atë qytet të lashtë. Luftëtar Protoduari dhe Riza Hazizi u dënuan me pushkatim, ndërsa Muharrem Protoduari dhe Ushtar Çobo u dënuan me respektivisht 25 dhe 20 vjet burg.

Pamjet: Arkivi Qendror i Filmit, marrë nga emisioni Opinion TvKlan

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.