21 shkurt 1951/ Natë ferri në burgun e ri të Tiranës!

0
1194
blank

 “Në tavan sipër qelisë ku isha izoluar dëgjova një zhurmë të llahtarshme sikur po shpërthenin zinxhirët e ferrit. Me zë të ngadaltë thërras personat që ishin në birucën ngjitur me mua dhe i pyes se cfarë ka ndodhur?!  Njëri prej tyre përgjigjet: “prit”, “do të tregojmë më vonë”,  “Tani pusho dhe hesht”

Një mesnatë të ftohtë shkurti në vitit 1951, korridoret e burgut të ri të Tiranës zhurmuan si asnjëherë më parë. Një grumbull i madh njerëzish të lidhur me zinxhirë u futën brenda qelive përmes zhurmës së përplasjes së dyerve e të ulërimave të xhelatëve të diktaturës. Banorët e mëparshëm të atyre qelive ishin mësuar me ftohtësinë dhe errësirën ku prej disa vitesh apo muajsh ishin të dënuar të jetonin. Për banorët e rinj të asaj nate, ishte tmerr. Ishin shumë, rreth 80 veta, intelektualë të rëndësishëm të kryeqytetit. Kishte edhe gra. Njëra prej tyre ishte Sabiha Kasimati. Ishin arrestuar pas një ngjarje të pazakontë që kishte ndodhur ato ditë në kryeqytet.

Ato ditë kishte mbërritur në Tiranë një delegacion nga Bashkimi Sovjetik, për të marrë pjesë në manifestimet që do të organizoheshin me rastin e 33-vjetorit të krijimit të Ushtrisë së Kuqe. Më 19 shkurt 1951, ditën që ndodhi hedhja e bombës, ambasada ruse do të jepte një pritje për delegacionin e ardhur nga Moska.

blankTë arrestuarit nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Ishte një listë e gatshme për t'u arrestuar në momentin e parë që t'i jepej rasti diktatorit dhe u gjend pikërisht ngjarja e bombës në ambasadën sovjetike. Kjo ngjarje u përdor për të terrorizuar kryeqytetin dhe për të arrestuar të gjithë ata që diktatori i kishte projektuar si armiq të popullit. Terrori nëpër lagjet e Tiranës, do të transferohej në qelitë e burgut të ri të qytetit, atje ku u futën të gjithë të arrestuarit. Ndërkohë burgu i Tiranës, por edhe burgje të tjera të Shqipërisë ishin mbushur plot me të rinj, të reja, burra e gra, njerëz që diktatori Enver Hoxha kishte vendosur t'i asgjësonte, “në emër të popullit”. Ishte kohë terrori në Shqipëri.

Në një prej burgjeve të Tiranës, ishte Rita Koka, një vajzë që ishte arrestuar në moshën 19-vjeçare dhe aty në qelitë e burgut i kishte mbushur 20 vjeç.  Ishte arerstuar nën akuzën për agjitacion e propagandë. Atë natë shkurti, Rita ishte dënuar për të qëndruar e mbyllur në birucë. Ja si e ka rëfyer ajo natën në burgun e Tiranës kur atje u sollën të gjithë të arrestuarit e ngjarjes së bombës në ambasadën sovjetike:

 “Një natë, në mes të qetësisë, dëgjova që dyert e birucave hapeshin e mbylleshin, hapeshin e përplaseshin pa pushim. Nga jashtë kumbonin hapat e nervozuara të këmbëve që vraponin nëpër koridore, taka femrash dhe një zhurmë e fortë zinxhirësh që tërhiqeshin. S'po kuptoja ç’po ndodhte, u frikësova, isha komplet e harruar në atë brymë izolimi. Por tek unë, te biruca ku isha ngujuar nuk vinte askush. Pas pak dëgjoj sipër birucës sime në tavan një zhurmë zinxhirësh sikur po shpërthenin zinxhirët e ferrit. Atëherë me zë të ngadaltë thërras personat që ishin në birucën ngjitur me mua dhe i pyes se çfarë ka ndodhur. Njëri prej tyre përgjigjet: “prit” , “do të tregojmë më vonë”,  “Tani pusho dhe hesht”. Të nesërmen në mëngjes kur më nxorën nga biruca për në banjë, pashë se përpara të gjitha dyerve të birucave që ishin në korridor, kishte tufa këpucësh dhe pandoflash të grumbulluara si kurrë nuk i kisha parë. E tronditur dhe e habitur, i drejtohem rojës që po më shoqëronte dhe e pyes :“Çfarë ka ndodhur?” Ai direkt më pushoi duke më thënë: “ Ec përpara e mos bëj shumë pyetje”. Më vonë më treguan se çfarë ishte bërë në Tiranë atë natë, një raprezalje e madhe. Kishin arrestuar qindra njerëz sepse ishte hedhur gjoja një bombë në ambasadën sovjetike. Brenda 10 ditëve u dënuan me pushkatim shumë prej të arrestuarve, ndërmjet tyre edhe nje grua. Kjo grua ishte zonja Sabiha Kasimati”, rrëfen Rita Koka. Një natë më pas, 22 të arrestuar të ngjarjes së ambasadës sovjetike do të pushkatoheshin, ndër ta edhe shkencëtarja e parë shqiptare Sabiha Kasimati. Vrasja e 22 intelektualëve 26 shkurtin e vitit 1951, është ndër ngjarjet më makabre të kohës së diktaturës komuniste.

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here