1983/ Raporti për vdekjen e 35-vjeçarit në burgun e Qafë-Barit

0
651
blank

Reparti nr.311 Qafë-Bari u formua sipas vendimit nr.139, datë 4.6.1982 të Këshillit të Ministrave. Sipas planit të miratuar më 10.7.1982 mbaroi kantieri, ndërsa më 25.7.1982 përfundoi rrethimi. Reparti me të dënuar politikë filloi nga puna më 1.8.1982. Ai u bë ndër repartet më të tmerrshme. Fillimisht ishte një personel prej 75 vetash (36 ishin ushtarë shërbimi) dhe deri 300 të burgosur të ndërgjegjes.

Në Repartin nr.311 Qafë-Bari, Pukë, të dënuarit politikë nuk vdisnin vetëm nga puna e rëndë në minierë, por edhe nga reaksionet e ilaçeve. Pas vdekjes së të dënuarit të parë Fejzulla Beqir Çepi më 7.10.1983, ora 1.30, i dënuari i dytë që shënoi varrin nr.2, ishte Agim Murat Agaraj më 24.10.1983, 35 vjeç, lindur në vitin 1948 në Sarandë e banonte në Vlorë kur u arrestua më 1.11.1975. U përfshi në një proces ku ishin edhe 3 persona të tjerë. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 12 të Kodit Penal. Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Rrethit Durrës, me vendimin nr.1, datë 23.1.1976, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.30, datë 12.3.1976 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Komunikata operative nr.253, datë 25.10.1983: “Më 24.10.1983 në Repartin e riedukimit nr.311 Qafë-Bari, si rezultat i reaksionit të penicilinës me streptomicinë, vdiq i dënuari Agim Murat Agaraj, vjeç 35 nga Vlora. Çështja hetohet”. Procesverbali i këqyrjes së kufomës, përpiluar dy ditë pas vdekjes, nuk sqaroi asgjë në lidhje me shkaqet që çuan në vdekjen e të dënuarit. Për të u shënua vetëm varri nr.2.

 

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here