1983/Materiali dokumentar i Sigurimit për Kolë Jakovën

0
191
blank

Organet e Sigurimit, me leje partie mund të çelnin dosje përpunimi edhe për anëtarët e Partisë së Punës së Shqipërisë. Po ashtu çeleshin edhe fashikuj informatash. Këto materiale nuk arkivoheshin asnjëherë nëse këto anëtarë nuk arrestoheshin apo përjashtoheshin nga partia. Gjithashtu materialet përdoreshin si element presioni në çdo kohë kundër tyre, në kuadër të zhvillimit të luftës së grupeve antiparti.

Sipas raportit nr.38, datë 6.12.1983 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë për 27 anëtarët e Partisë së Punës për të cilët ruheshin materiale nga Sigurimi i Shtetit, pasi çështje ishte biseduar me sekretarin e parë të Komitetit të PPSH-së të Rrethit Tiranë, ishte vendosur që të asgjësoheshin materialet ose për disa të ruheshin edhe 5 vjet. I pari në listë ishte shkrimtari Kolë Jakova. Persona të tjerë të njohur ishin veteranët e punëve të brendshme Banush Goxhaj e Delo Balili; Fane Veizi, Tonin Jakova, Abedin Shehu, Katina Starja. Kolë Jakova ishte shkrimtar i njohur në regjimin komunist. Për të, organet e Sigurimit ruanin një deklaratë të vitit 1944. Kola mbeti gjithë jetën nën trysninë e këtyre materialeve dhe të biografisë së prekur që vinte nga i vëllai Tuk Jakova.

 

Relacioni për Kolë Jakovën

Në relacionin përkatës, midis të tjerash shkruhej: “Kolë Mark Jakova, lindur më 1927 në Shkodër, banues në lagjen nr.9 në Tiranë, zanatçi individual, shkrimtar i lirë, anëtar partie, në ngarkim të tij disponohen këto materiale: Në një dokument origjinal datë 10.4.1944, bërë nga ish-ministri i Punëve të Brendshme Xhafer Deva, drejtuar Drejtorisë së Policisë, firmosur nga Tahir Kolgjini, shkruhet: ‘I quajtur Kolë Jakova nga Shkodra, mësues, me anën e një deklarate na njofton për veten e tij se ai nuk është komunist dhe nuk merr pjesë në asnjë organizatë ose rrymë politike, por do të vazhdojë të udhëhiqet sipas ligjeve të pushtetit në fuqi’. Pasi i përmenduri i ka të dy vëllezërit me çetat komuniste, lutemi t’i kërkohet një garanci se vëllezërve të tij nuk do t’ju japë përkrahje dhe strehë. Përfundimi të na njoftohet”.

Këtij raporti i bashkëlidhej deponimi i një kompozitoreje të dënuar në vitin 1956, si dhe një dëshmi e vitit 1958 e bashkëpunëtorit “Shkëlzeni”, sipas së cilit Kola interesohej për rehabilitim të të vëllait Tukut.

Mendimi i fundit ishte që materialet në ngarkim të Kolës të ruheshin në Degën e 4-t të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit, për drejtimin e kundërzbulimit.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here