1981/Vdekja e 72-vjeçarit në spitalin e burgut në Tiranë

0
272
blank

Jak Gurash Kola, lindur më 1909 në Velipojë, me origjinë të mesme fshatare, baba i 4 fëmijëve, ishte një njeri i thjeshtë. Megjithatë e dënuan me burgim dhe vuajti 18 vjet heqje lirie, madje vdiq pa e mbaruar ndëshkimin që iu dha. Hyri në burg në moshën 54-vjeçare dhe vdiq 72 vjeç.

Dënimi

U arrestua më 15.2.1963. U akuzua në bazë të neneve 64, 73/1 dhe 273/1 të Kodit Penal, për tradhti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë e armëmbajtje pa leje (një pushkë italiane dhe një pistoletë spanjolle, një shul pushke austriake dhe disa municione), se kish qenë anëtar i Partisë Fashiste gjatë kohës së luftës, se kish pasur “lidhje agjenturiale me armikun Dom Alfonc Trackin”, apo “armikun e popullit Vas Filipi”, se kishte “spiunuar shokë të lëvizjes”, etj.. Duke vijuar në këtë linjë, thuhej se “në vitin 1958 ishte vënë në shërbim të agjenturës jugosllave”, “duke marrë udhëzime nga diversanti Hilë Gjergji”. Pretendohej se agjitacioni e propaganda ishin detyra agjenturiale. Akuzat e rënda e të vjetra iu bashkëngjitën një personi në kohën kur mosha e tij po i drejtohej pensionit. Karakteri i akuzës shihej tejet i përgjithshëm dhe asgjë konkrete. Lidhja “agjenturore” me klerikun Tracki nuk kish si vërtetohej, pasi ky ishte pushkatuar në vitin 1946 e në procesin e tij, as ishte përmendur personi në fjalë.

Gjykata e Qarkut Shkodër, e drejtuar nga Vangjel Mano, me pjesëmarrjen e prokurorit Jorgo Piro, me vendimin nr.40, datë 22.10.1963, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.11, datë 22.11.1963 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Dënimi do ishte me 25 vjet, por iu ul 1/6 e tij në bazë të dekretit nr.3603, datë 23.11.1962 të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Së fundmi Jaku vuante dënimin në Repartin nr.309 Ballsh, kur u sëmur rëndë. Vdiq më 20.2.1981, ora 5.30, në pavijonin nr.7 të spitalit nr.2 Tiranë. Në procesverbalin e përpiluar nga komanda e Repartit nr.313 Tiranë, vërehej se shkak i vdekjes kishte qenë sëmundja e gjakderdhjes në sistemin tretës, që do të thotë se i dënuari vuante prej kohësh, por regjimi nuk e lironte nga burgu. Villte vazhdimisht gjak, deri sa u nda nga jeta.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here