1980/Letra drejtuar Komitetit Qendror: Më gjeni punë ose më lini të largohem

0
1535
blank

Fetah Selman Malasi, nga Gjinoqari i Fierit, u dënua tri herë. Vuajti dënimet në vitet 1962-1978 dhe 1980-1990. Në vitet 1978-1980 punoi në kooperativë. Pikërisht aty, i bëri një letër Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilën denonconte jetën e keqe në kooperativë duke kërkuar dy zgjidhje. Letra, në variantin e përdorur për qëllime hetimi (në kuptimin se mund të jetë edhe më e gjatë), kishte këtë përmbajtje:

“Unë shokë të Komitetit Qendror jam një person që kam bërë 16 vjet burg politik. Kam qenë jashtë shtetit 2 vjet. Gjendja aktuale këtu në kooperativë është kjo: punëtori punon 10 orë. Merr 3-5 lekë në ditë. Këto të holla nuk i mjaftojnë vetëm për bukë, pa le për ushqim dhe sende të tjera. Arsyeja e kësaj gjendjeje është faktori i parë se normat janë shumë të larta e të parealizueshme. E dyta, ka më tepër se 2 vjet që mbahet 3% për arsye se gjoja janë bërë disa shpenzime të kota, d.m.th. është krijuar një deficit që i nuk i dihet fundit. Sipas kësaj gjendjeje, neve punën e bëjmë dhe para nuk marrim. Si pasojë vuajmë për të ngrënë, pale për veshje. Tani shokë, kur unë isha në burg, thosha se kur do të vijë dita të lirohem e të shkojë e të jetojë i lirë e të punoj. Po kam 8 muaj që punoj dhe si përfundim kam marrë 1.450 lekë. Unë jam një kokë dhe s’më dalin, po sikur të jem me gruan e me fëmijë, a më dalin? Sigurisht jo. Tani shokë të Komitetit, unë si shqiptar që isha dhe jam, e desha atdheun dhe u ktheva në atdhe. Ju më dënuat pse u ktheva në Shqipëri. Megjithatë, të shkruara të harruara. Tani unë them se më mirë isha në burg se sa këtu në kooperativë, se atje e kisha bukën e siguruar, veshjen dhe punë 8 orëshe e jo këtu. Tani shokë të Komitetit, me pak fjalë, unë si shqiptar që jam, dua prej atij forumi të lartë:

1-Të më gjendet një punë në ndërmarrje shtetërore.

2-Të më jepet viza të shkoj jashtë shtetit e të lyp.

Në rast se nga këto dy pika nuk më jepet rrugëzgjedhje, jam i detyruar t’i shkruaj Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut”.

Për këtë arsye, u arrestua më 3.6.1980. Konsiderohej si “individ me rrezikshmëri të theksuar” që nuk kishte hequr dorë nga “veprimtaria armiqësore”. Gjykata e Rrethit Fier, e kryesuar nga Thimio Kondi, dy ndihmësgjyqtarë, duke pasur pranë prokurorin Kiço Koçi, me vendimin nr.183, datë 25.7.1980, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë dhe e dënoi me 10 vjet burgim. U ridënua edhe në vitin 1990.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here