Pasojat e torturave dhe takimi me ish-hetuesin, sot avokat

0
4407
blank

Fadil Daja është arrestuar dhe dënuar dy herë. Një herë në mes të viteve ‘70 dhe herës tjetër në fund të viteve ’80. Pavarësisht periudhave të ndryshme, hetuesitë e tij kanë qenë njëlloj torturuese. Një nga ata hetues, sot është avokat. Ndërsa Fadili vuan traumat e trajtimit çnjerëzor dhe ndihet krejt i pambështetur nga shteti

 

Fadil Daja ishte ushtar kur vendosi të arratisej. Ishte 10 mars i 1976-ës kur kaloi kufirin për në Jugosllavi, por pas disa muajsh nëpër kampe e zyra, një ditë qershori të atij viti, e riatdhesojnë. Në këtë çast, nisin vuajtjet e tij, pasojat e të cilave ai i vuan edhe sot. Pas rrahjeve nga policët dhe ushtarët e kufirit, dhunën do e vazhdonin hetuesit. Kreu gjashtë muaj hetuesi në Fier dhe dy vjet të tjera në hetuesinë speciale të Tiranës, ku tregon për “Zërat e kujtesës”, se u torturua në mënyrë çnjerëzore, edhe nga hetuesi i ri, Agron Miloti, i cili bënte praktikën në atë kohë dhe përdori “hekura, shqelma, grushte, shkopinj gome”.

Kushtet e birucës dhe ushqimi i keq u bashkoheshin torturave të ushtruara nga hetuesit, duke e dobësuar shumë trupin dhe nervat e të arrestuarit. “Hetuesia ime ka qenë e tmerrshme; me presione psikologjike të jashtëzakonshme, duke u rrahur sistematikisht me hekur. Më linin edhe pa bukë. Kam qenë i dobët fizikisht. Nga këto tortura pata probleme psiqike”, thotë ai në intervistën dhënë Luljeta Lleshanakut, përfshirë në Vëllimin VII të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, “Zërat e kujtesës”. Pas torturave, për shkak të anktheve që nisi të kishte, Fadilit i jepnin qetësues.  Ai thotë se vazhdon të ketë edhe sot e kësaj dite probleme nervore nga torturat, përveç atyre trupore si dhimbje kyçesh për shkak të dëmtimit nga hekurat e shtrënguara dhe reumatizëm për shkak të lagështisë së birucave.

Fadilin fillimisht e dënuan me pushkatim, si kishte kërkuar në pretencë, prokurori Ylli Minga. “Kur më dërguan në birucë, për 45 ditë më kanë mbajtur me helmetë, me zinxhirë në këmbë dhe duart e lidhura me hekura nga mbrapa”. Kështu e ka pritur Fadili përgjigjen e apelimit. Më në fund, iu fal jeta. “Pas 45 ditëve, erdhi gardiani dhe më tha: Çfarë do t’i thuash partisë, ajo ta fali jetën? Unë iu përgjigja, se nuk ma ka falur jetën partia, por Zoti dhe atë që bëra, isha me koshiencë”, ka thënë ai për "Zërat e kujtesës", si ka treguar më parë edhe për kujto.al. Dënimi i ri ishte me 25 vjet burg. E dërguan në kampin e Spaçit, ku kreu 15 vite burg. Gjendja e rënduar si fizike dhe psikologjike e bënin të pamundur që të punonte në minierë ku e caktuan, si çdo të ri tjetër që vinte në Spaç. Ky kundërshtim, bëri që të vuante për një kohë të gjatë ndëshkimin me birucë. “Në birucë më mbajtën dy vjet. Një herë më nxirrnin me forcë në punë, më mbanin një muaj jashtë, pastaj më dërgonin prapë aty. Unë isha i sëmurë, nuk punoja dot. Për këtë arsye, nuk pranoja të shkoja në punë…Atëherë më lidhnin me hekura e më rrihnin”, thotë ai duke përmendrur si më mizorët policët Pjetër Preng Rrapi dhe Pjetër Koka. Këta i pati gjithashtu policë në Qafë-Bari, aty ku, si shumë të dënuar të tjerë të Spaçit, dërguan edhe Fadil Dajën.

U lirua në vitin 1987, por Fadili e kishte vendosur në mendjen e tij që do të arratisej nga Shqipëria. Këtë herë donte ta provonte nga deti dhe për këtë arsye shkonte në Sarandë, vendi i origjinës së nënës së tij dhe bënte stërvitje noti. Mirëpo, planet e tyre u zbuluan nga Sigurimi. Fadilin, bashkë me dy vëllezërit dhe një shokun e tyre, që po përgatiteshin të arratiseshin, i arrestuan. “Bëra prapë një vit e gjysmë hetuesi. Mua, si kryetar grupi, më dënuan me 25 vite”, tregon ai.

Hetuesia edhe pse nis në prill të vitit 1988, nuk ishte më e lehtë se ajo e arrestimit të parë. “Kjo ishte hetuesi druri. Nuk ishte zbutur aspak, ishte e njëjta, siç ka qenë atëherë, më ’76-ën”. Siç tregon Fadili, atë e merrnin dhe i bënin presion për të treguar biseda duke e goditur vazhdimisht me grushte dhe hekura. Pjesën tjetër të kohës kur nuk merrej në pyetje e kalonte në birucën e ngushtë e të ndotur, nga mund të dilnin vetëm një herë në ditë për në tualet. Nuk kishte, sigurisht, asnjë komunikim me vëllezërit, por dëgjonte herë pas here, birtmat e tyre kur torturoheshin.

Pas një viti e gjysmë, doli para gjyqit, ku sërish prokuror ishte Ylli Minga. Fadilin e dënuar me 25 vjet, e dërguan në burgun e Burrelit, kurse të tjerët, me nga 10, në Spaç, Qafë-Bari dhe në Sarandë. “Kur vajta në Burrel, na futën në një birucë dhjetë veta, në kushte skandaloze. Na dhanë dy batanije dhe një pagure”, kujton ai. Biruca nuk kishte krevatë dhe ata nuk kishin rroba të përshtatshme. Megjithatë, muajt e fundit të regjimit komunist, sollën edhe zbutjen e sjelljes së policëve, që ishte një nga të këqijat më të mëdha të burgjeve të diktaturës. Fadili u bashkua në Burrel me vëllezërit e tij Selimin dhe Avdiun të cilët i sollën nga Qafë-Bari dhe më në fund, më 15 prill 1992, doli nga burgu.

Regjimet ishin ndërruar zyrtarisht, por jeta e Fadilit nuk pati ndryshimin që ai priste. “Mirë që vuajtëm dhe dolëm nga burgu më ’92-shin, por nuk na u bë trajtimi si duhet. Shtëpi nuk kisha. U detyrova të ikja në Greqi…Më dhanë një shtëpi te blloku, e mbajta katër vjet. Gjatë kohës që pësova një aksident, ma morën shtëpinë. Ishte Pranvera Strakosha, e bija e ish-gjykatëses komuniste Liri Gjoliku…Mua më dhanë shtëpinë e kësaj gjykatëseje...por gjatë kohës që pësova aksident, Pranvera Strakosha ma mori prapë…” Fadil Daja vazhdon të jetë në gjyq për shtëpinë që  iu dha pasi doli nga burgu, si ndodhi me disa ish-të dënuar politikë, por që atij iu mor pas 4 vitesh. Ndërkohë, gjatë këtyre viteve, është përballur në Tiranë edhe me disa nga hetuesit që e kanë torturuar. Ai tregon se ka takuar ish-hetuesin Vladimir Meçe, sot avokat. “Kur e takova për herë të parë Vladimirin, isha vetë i katërt, i thashë: A nuk të vjen turp tani, po sikur të të marr zvarrë sepse është reciproke”. A e dini si u bë?! Helm”, kujton ai bisedën e para më shumë sesa 10 viteve.

Fadili, pas 23 vitesh jashtë, është rikthyer në Shqipëri, por ai thotë që nuk ka asnjë përkrahje sociale, madje as trajtim shëndetësor për traumat e pësuara. Mbi 30 vjet nga rënia e regjimit komunist, një nga viktimat e tij, jo i vetmi, sot nuk ka rehabilitim, vetëm pasoja.

Shënim: Ky shkrim është mbështetur në intervistën e Fadil Dajës, të publikuar në  "Zërat e kujtesës", Vëllimi VII, botim i ISKK.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here