1979/Propaganda e Jolandës kundër diktatorit dhe shoqërisë që po kafshërohej

0
991
blank

Jolanda Dhimitër Gila lindur në vitin 1931, kish mbaruar të teknikumin e fizkulturës, por ishte punëtore në NTUS Durrës. Konsiderohej si pjesëtare e një familjeje së cilës i ishin marrë pasuritë nga pushteti. Ajo u vu në goditje të pushtetit për zhvillim të agjitacionit e propagandës, sepse përmendte emrin e diktatorit dhe sëmundjen morale të shoqërisë.

Dega e Punëve të Brendshme Durrës, me shkresën nr.1851, datë 27.9.1979 dërgonte dosjen nr.2453 formulare të përpunimit aktiv 2A në ngarkim të saj, së bashku me propozimin për arrestim, biografinë, certifikatën familjare dhe procesverbale kallëzimi të dy qytetarëve. Theksohej se ajo “zhvillonte agjitacion e propagandë kundër partisë dhe udhëheqësve kryesorë e të pushtetit popullor”. Më 23.10.1976 ishte marrë në përpunim aktiv 2A. Edhe këtu theksohej se fliste kundër udhëheqësve.

Bashkëpunëtori “Kreshniku” raportonte se Jolanda ishte shprehur (në ditë të ndryshme): “Në Shqipëri femrat janë të izoluara, nuk gëzojnë liri. Muzika italiane më pëlqen shumë, pasi vërtet është e bukur. Ç’të bësh, jeta jonë është jetë qeni. Të rekomandoj të dëgjosh emisionin italian në Radio RAI. Me këtë muzikë që transmeton radioja, po varrosim kushtetutën e re”. Raportonte se duke u ngjitur drejt varrezave të dëshmorëve, ishte shprehur: “Po ngjitemi drejt plehrave. Ditë të bukura do të kishim plot sikur të mos ishte ai i madhi që i rafte pika dhe ta lerë të vdekur në vend”.

Raportonte se në një mbledhje mbi format e edukimit dhe forcimin e rolit të organizatës bazë, Jolanda ishte shprehur: “Enver Hoxha tallet me ne. Bën lojëra fjalësh. Po ato gjëra që ka thënë një herë thotë. Marksizmi ashtu është, lojë fjalësh. Mendova se do të kishte ndonjë gjë të re, por asgjë nuk pashë. Na shkoi rinia kot së koti”.

Bashkëpunëtori “Revista” më raportonte se Jolanda ishte shprehur:

“Me heqjen e antenave të televizorëve, këta nuk lanë gjë pa bërë, por unë përsëri gjej rastin dhe shoh kanalet jugosllave dhe italiane. S’ke ç’pret nga këta, janë injorantë, pezzo di legno (copë druri), s’ke ç’pret nga këta. Këta janë kaq të poshtër e kaq maskarenj, sa na zvarrisin në punë. Veç mos rënç në duart e tyre”.

Bashkëpunëtorja “Harku” më raportonte se Jolanda ishte shprehur:

“Jemi si njerëzit e kohëve të shkuara, nuk na lënë të bëjmë asgjë, vetëm punë si skllevërit. Deri dje miqtë ishin të hapur, sot punojnë me marifet. Janë bërë aq të poshtër njerëzit që drejtojnë sa çfarë të të them, mizerje. Të kisha mundësi, disa nga këta që drejtojnë kisha me i zhdukur fare.

Më 28.3.1978 Jolanda u këshillua nga organet e Sigurimit që mos të zhvillonte më agjitacion e propagandë. Megjithatë, ajo vazhdonte të agjitonte kundër pushtetit që nuk e donte.

Bashkëpunëtori “Kreshniku” më raportonte se Jolanda ishte shprehur:

“Njeriu lind për t’i bërë të mira shoqërisë, por jo te shoqëria jonë e fëlliqur. Këtu nuk ka liri fjale. Megjithëse këta mundohen që të bëjnë këtë gjë, prapëseprapë nuk i ndalojnë dot njerëzit të flasin atë që kanë në shpirt. Enver Hoxha është dogmatik, si kali i karrocës që nuk sheh se ç’bëhet në botë, nuk ecën me kohën. Po na çoi gjithnjë e më prapa. Po shkatërron ndërgjegjen e njerëzve të ndershëm. Enver Hoxha është i vjetër. Do të vdesë një ditë. Ke për të parë çfarë kasaphane do të bëhet. Historia jonë do të shkruhet me gjak për gjithë këto të këqija. Kam një urrejtje shumë të madh për këtë pushtet, aq sa nuk di si ta shpreh. Para botës ne jemi nul. Po shkojmë drejt kafshëzimit”.

Dënimi

U arrestua më 8.10.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Gjykata e Rrethit Durrës, e drejtuar nga Vasilika Sotiri, me pjesëmarrjen e prokurorit Aristotel Koti, me vendimin nr.9, datë 19.10.1980, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 6 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 2 vjet (pas dënimit). I lirua më 15.11.1982 nga Reparti nr.318 Kosovë, vetëm pas amnistisë së përgjithshme të 70-vjetorit të Pavarësisë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here