1944/Konfiskime pasurie e vënie zjarri shtëpive të kundërshtarëve politikë

0
3155
blank

Pushkatimi i ballistëve, djegiet e shtëpive dhe konfiskimi i pasurisë nga Grupi i Pezës, nga nëntori i vitit 1943 deri në janar të vitit pasardhës, siç e tregon informacioni i janarit 1944 që shtabi i këtij grupi i drejtonte Komitetit Qarkor

Në një informacion pa datë të janarit 1944, të shtabit të Grupit të Pezës nënshkruar nga Kristo Themelko (“Shulja”) drejtuar Komitetit Qarkor të PKSH-së për Tiranën për luftimet e këtij grupi në periudhën 1 nëntor 1943 deri më 30 janar 1944, zërin kryesor nuk e zë lufta ndaj pushtuesit, por ajo kundër kundërshtarëve politikë. Ja një pjesë nga letra e gjatë e “Shules”:

-Më datën 5 nëntor (1943) në mbrëmje, një njësit i Batalionit III, hyri në Kavajë dhe sulmoi një ndërtesë, çerdhe e tradhtarëve të Ballit Kombëtar, ku gjendeshin bashibozuket e tyre. Nga ata u vra 1 dhe të tjerë mbetën të plagosur; 6 të tjerë u zunë rob dhe u liruan më vonë, mbasi iu mbajt një konferencë. Njësiti ynë u tërhoq pa asnjë humbje...

-Më datën 29 nëntor (1943), njësitë tona u ndeshën me një fuqi balliste prej 115 vetash nën komandën e tradhtarit Hajdar Tilja. Mbas një luftimi prej 2-3 orësh, tradhtarët u shpartalluan dhe u vunë në ikje. Nga ana e tradhtarëve mbetën 5 të vrarë, ndërmjet të cilëve edhe vëllai i komandantit të tyre Hajdar Tilja (komandanti u plagos). Zumë 11 ballistë rob nga të cilët 1 u pushkatua. Asnjë humbje nga ana jonë. Këta tradhtarë ishin të dërguar nga Mehmet Alltuni.

-Në datën 8.12.1943, Batalioni 3 dhe një çetë e Batalionit I rrethuan shtëpitë e ballistëve Sul Selimi e Sul Beshiri, dy agjentë të Gestapos (nuk ishin agjentë dhe as kishin lidhje-shënim). Dy tradhtarët nuk u gjenden ndër shtëpitë e tyre. Në bazë të direktivave të Shtabit të Përgjithshëm dhe të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, ne iu konfiskuam pasuritë, mbasi lamë një pjesë për familjet e tyre. I vumë zjarrin shtëpive dhe dyqanit të Sul Selimit (u vra më 1.3.1950 në përpjekje me komunistët-shënim), mbasi morë me vete të gjithë gjënë e gjallë, materialin ushqimor dhe ushtarak.

-Në datën 19.12.1943 u vra spiuni provokator, Haki Shpuza, agjent i Gestapos (i përmenduri nuk kishte lidhje me Gestapon-shënim) dhe i ballistëve në rrethimin dhe kontrollin e Kavajës.

-Në datën 2.1.1944, duke u gdhirë data 3, u rrethua në katundin Muharremaj, bashibozuku Murat Gorja. Ky tradhtar mercenar kishte dalë nëpër katunde për të prishur këshillat nacionalçlirimtare dhe për të çarmatosur ushtarët e popullit. Me forcë kërkonte për të rekrutuar fshatarët për t’i vënë në shërbim të okupatorit nazist (ky mercenar është aderues i Legalitetit dhe këtë e reklamon në të gjitha fshatrat nga vete...) U rrethua nga një çetë e Batalionit të 3-të nën kryesinë e nënkomandantit të Batalionit të 3-të. Luftimet vazhduan disa orë. Bashibozukët u vunë në të ikur me panik dhe u ndoqën, deri në kazermat gjermane.

Me sa thuhet, ata kanë parë 14 të vrarë e të plagosur. Nga ana jonë mbeti i vrarë komandanti i çetës së 3-të të Batalionit të 3-të (i plagosur dhe vdiq më vonë).

Shënim: Në foton kryesore, partizanë në Pezë

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here