Krimet pas Mukjes, ekzekutimi i fshehtë i dy ushtarakëve nga Kosova

0
395
blank

Një nga krimet e para të komunistëve shqiptarë nën urdhrat e atyre jugosllavë, eliminimi i dy ushtarakëve nga Kosova që në Konferencën e Mukjes u shprehën në favor të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Një vrasje pa gjyq, që u përsërit nga shumë të ngjashme gjatë viteve të luftës, por edhe pas vendosjes zyrtare të regjimit komunist

Vrasjet pa gjyq të komunistëve shqiptarë kanë nisur që në vitin 1943. Dy prej viktimave të para, janë edhe dy ushtarakët nga Kosova të diplomuar në akademitë evropiane, Ismail Shehu dhe z.Krasniqi. Verën e atij viti ata kishin marrë pjesë në mbledhjen e Mukjes, ku, megjithëse pa të drejtë vote, ishin shprehur në favor të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Vendimet e asaj mbledhjeje u hodhën poshtë pak ditë më pas, me urdhër të komunistëve jugosllavë, të cilët nuk mund të pranonin shkëputjen e Kosovës nga Jugosllavia. Ata, me shumë mundësi, kanë urdhëruar edhe ekzekutimin e dy ushtarakëve që kishin kërkuar të kundërtën. Fakt është që, rrugës së kthimit për në Gjakovë, dy shqiptarët e Kosovës, janë vrarë me atentat në Rrapaj të Pukës.

Filip Guraziu, djali i një prej të pushkatuarve të 22 shkurtit 1951, Pjerin Guraziu, në librin e tij, “Mollat e vjetit të ri”, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ka sjellë në vëmendjen e lexuesit këtë krim të mbështjellë me mister dhe vazhdimin e historisë në vitet që rodhën, në të cilat u kryen qindra krime të ngjashme. Më 26 shkurt 1951, sërish pa gjyq, u ekzekutuan në rrethinat e Tiranës 22 persona, intelektualë e tregtarë të njohur, mes të cilëve edhe vëllai i ushtarakut nga Kosova të vrarë në vitin 1943, Tefik Shehu, i diplomuar për ekonomi dhe jursiprudencë në Itali. Djali i Tefikut, Hyseni, njeriu kryesor që kontribuoi në gjetjen e eshtrave të 22 të pushkatuarve në fshatin Mënik, në vitin 1993, gati 20 vjet më parë kishte pasur mundësinë të gjente eshtrat e xhaxhait të tij, Ismailit, të cilat për shkak të rrethanave, iu desh t’i ruante për gati 17 vjet në një kuti prej teneqeje në oborrin e shtëpisë.

Gjatë kohës që kryente ushtrinë, si shkruan në librin e tij Filip Guraziu, Hysen Shehu kishte dëgjuar nga një ushtar me të cilin ishte miqësuar, historinë e errët të tetorit 1943, të cilën ushtari tjetër, Avni Çera e kishte dëgjuar prej babait të vet.

Më 8 tetor 1943, kur ushtarakët nga Kosova po shkonin në Gjakovë, një kamionçinë ishte ndalur para veturës së tyre dhe dy njerëz kishin zbritur prej saj gjoja për të parë defektin. Ushtarakët kishin zbritur nga makina për t’i ndihmuar dhe në atë kohë, dy personat e zbritur nga kamionçina i kishin vrarë me automatik. Më pas ishin larguar duke i lënë të shtrirë për tokë. Breshërinë e automatikëve e kishte dëgjuar z.Çera, livadhi i të cilit kufizohej me rrugën automobilistike. Ai kishte shkuar drejt rrugës, ku kishte mbetur me sy hapur prej asaj që kishte parë. Kishin kaluar orë të tëra dhe askush nuk kishte ardhur për të marrë kufomat, atëherë, ai i kishte marrë trupat dhe pasi kishte kuptuar kush ishin nga dokumentet që ishin me vete i groposi në oborrin e shtëpisë, duke u shënuar në shishe qelqi, identitetin. Me intuitë, e kuptoi që bëhej fjalë për një vrasje politike dhe për t’iu shmangur pasojave, nuk bëri asnjë denoncim, por sekretin ua  besoi familjarëve me shpresë se një ditë e vërteta do dilte në dritë. Dhe ashtu ndodhi! Në tregimin e ushtarit Avni Çela, ushtari Hysen Shehu njohu historinë e xhaxhait të vet të zhdukur prej 20 vitesh. Kur mbaroi shërbimin ushtarak, ai shkoi “për vizitë” te shtëpia e shokut të tij. Aty gjeti eshtrat e xhaxhait, Ismail Shehut dhe i vendosi në një kuti teneqeje që përdonin bojaxhinjtë, duke i premtuar shokut që do e ruante sekretin edhe prej vetë familjes së tij, nënës e motrës. E mori kutinë në shtëpi, duke i porositur gratë të mos e ngacmonin. Të nesërmen shkoi në varrezat e Tiranës, por varrmihësi nuk mund të pranonte varrosjen e eshtrave sepse për këtë procedurë nevojiteshin dokumente. Hyseni u kthye sërish në shtëpi dhe e la kutinë e teneqesë në oborr. Për 17 vjet. Në vitin 1991, kur sistemi që kishte nisur me pushkatime pa gjyq, si ai i Ismail Shehut, u rrëzua, Hsyeni i vendosi eshtrat e xhaxhait në një varr dinjitoz.

Menjëherë më pas, nisi kërkimin e eshtrave të babait. Një proces i vështirë që përfundoi me sukses kur në baltën e kuqe të Mënikut shkëlqeu unaza e florinjtë e një prej të pushkatuarve, Zyhdi Herrit. Një gëzim pa gëzim, por megjithatë një arritje që siguronte një farë qetësie për familjet e 22 të pushkatuarve, mes tyre edhe familjen e Hysen Shehut, që diktatura i vrau pa gjyq dhe pa faj dy burra.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.