"Skllevër ishin këta, babi, që jetonin në këto kasolle?" do pyesnin fëmijët e lindur dhe rritur në liri, para banesave ku kishin jetuar, vite me radhë, të afërmit e tyre. Ata të afërm që shkuan fëmijë dhe u kthyen pleq nga kampet e internimit. Copëza jete rrëqethëse siç i kanë treguar vetë të internuarit
Familja e zotit Vehip Hoxha, zonja Aneja, vajzat Handan, Suzana dhe Nerimani u internuan pasi djali dhe vëllai i vetëm Asafi, u arratis më 17 gusht 1960. E nderuara Neriman Hoxha, tregon: “Na nisën për një udhë pa mbarim dhe të mundimshme. Kaluam Durrësin, Kavajën, Rrogozhinën dhe në fund, mbërritëm në Lushnjë. Ishim pesë vetë, dy prindërit e mi të moshuar si dhe ne, tri vajza të reja. Ne vajzat u thinjëm në internim. Na sistemuan në Savër, 4-5 km larg nga Lushnja. Të gjithë të internuarit na ndihmuan. Ne nuk dinim ende se në kamp ishin të internuara familjet e personaliteteve të larta, kapedanët e Malësisë etj..
Savra është një fshat i vogël, i ndarë në dy pjesë, majtas në anën veriore, ishin barakat me kallamishte të suvatuara për të internuarit, ndërsa djathtas ndërtime me tulla për banorët e lirë. Kthinat e barakës ishin pjesë e një hangari, në të cilin ndaheshin kthinat me një mur shumë të hollë. Çdo gjë që ndodhte te komshiu, dëgjohej qartë. Vaji i foshnjave na trondiste çdo natë. Në verë nuk kishim një minutë qetësi, djersët na kullonin çurkë. Në dimër, kur binte shi, oborri mbushej me ujë. Kanalet e ujit nuk funksiononin. Për ujë të pastër, duhet të zgjoheshe herët, në katër të mëngjesit dhe të vrapoje për te pusi. Nevojtoret ishin në gjendje të mjerueshme.
Dy herë në ditë, në ditë të zakonshme dhe tri herë në ditët festive, bëhej apeli. Pas apelit, jepej plani ditor i punës që do të kryenim. Fillonte një ditë e mundimshme dhe e gjatë që të dukej pa mbarim. Në verë, qëndrimi në fushë nga 7 e mëngjesit deri në 6 të mbrëmjes, me diellin si saç mbi kokë, që të vlonte trutë, ishte torturë e vërtetë. Ngarkoheshin si hamej, pasi duhej të merrnim veglat e punës, trastat me ushqim, ujë, etj.. Na detyronim të dilnim në punë çdo ditë”.
Në Savër internuan vajzën 16-vjeçare, Valbona Çoku, që e strehuan në barakën tonë. Operativi Llazar Goga kishte detyrë të rekrutonte informatorë të Sigurimit. Me ngulm kërkonin të hyja në shërbim të Sigurimit të Shtetit, n/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme Vasil Nika dhe Llazar Goga. Lufta e klasave u bë mekanizmi për të vrarë të vërtetën e për të mbyllur gojën ndokujt, ndër ta i përkushtuar ishte Petraq Nushi. I dënoi dy të rinj 16-vjeçarë, Agim Proda dhe Enkeleid Kurti (me 8 vite burg).
Shqipëria ishte kthyer në burg dhe në kamp internimi. Të internuarve u binin në qafë jo vetëm Sigurimi i Shtetit, por edhe “të lirët”, siç i quanim ne familjet që nuk ishin të internuara. Dega e Punëve të Brendshme herë pas here arrestonte të internuarit. Xhipsi i Degës ishte tmerri për familjet, terror për fëmijët.
Mundimi i madh i grave, mungesa e të drejtave për shkollim dhe punësim, varfëria e tejskajshme dhe burgosja e burrave në burgje e kampe, si: Burreli, Spaçi, Qafë-Bari, Tërnova etj., ishte bërë e zakonshme dhe rëndonte akoma më tepër gjendjen e familjeve të internuara. Familjet që kishin njerëz në burgje e kishin të vështirë të largoheshin apo edhe t'u dërgonin ushqime të burgosurve. Kampet e internimit ishin të përcaktuara tanimë si vende izolimi dhe mundimi të armiqve politikë, antikomunistë.
Të gjithë të internuarit ishin nën mbikqyrje të vazhdueshme, të gjithë trajtoheshin si "armiq" dhe ndëshkimi shtrihej jo vetëm tek personi, por tek e gjithë familja, përfshirë edhe fëmijët e vegjël e të mëdhenj, të lindur dhe të rritur brenda kampeve të internimit, në Gjazë, Gradisht, Grabjan, Çermë, Berat etj..
Të internuarit trajtoheshin pa dinjitet. Ata ishin gjithnjë, siç thoshte populli "me trasta në duar”, për të lëvizur sa andej-këtej, si t'u tekej përfaqësuesve të diktaturës.
Të internuarit duheshin lëvizur që të mos gjenin "rehati asnjë herë. Urdhrat e transferimit vinin papritur. Kështu i ndodhi Tefik Çelës (nipi i Mehdi e Mit'hat Frashërit) e familjeve Dosti, Kupi, Mirakaj, Merlika, Mulleti..."
Tefik Çela thotë: "Hyra në internim 10 vjeç dhe dola 52 vjeç, i lodhur, i dërrmuar dhe pa asnjë dhëmb në gojë. Aty lamë rininë, ëndërrat, prirjet dhe shpresat tona, aty lamë një pjesë të zemrës sonë, prindërit dhe shokët e vdekur.
Patëm më shumë vuajtje, lodhje, mospërfillje, lot shumë e pak gëzime të vogla. Aty u martuam, lindëm fëmijët. Aty u martuan edhe fëmijët, aty na lindën nipat dhe mbesat, aty u bënë gjyshe e gjyshër. A mund ta imagjinoni, ishim katër breza të dënuar! Na fusnin në kazerma të internuar pa dallim moshe e seksi. Aty ishin Dom Mikel Koliqi dhe Pader Pjetër Meshkalla".
Të dielën priftërinjtë celebronin meshë mes shtretërve të tyre. Të gjithë dëgjonin meshën në heshtje dhe ne që ishim myslimanë. Ç'rëndësi kishte feja, fundja! Zoti ishte i njëjtë për të gjithë, ashtu siç ishin edhe hallet dhe shpresat që kishim të përbashkëta.
Patër Mark Harapi i përjetonte çastet e torturave. Një herë hoqi çorapët. Të gjithë ngrimë! Nuk kishte asnjë thua në këmbë. Ia kishin shkulur.
Më 23 prill, më në fund e lamë Savrën pas 31 viteve internim. Erdhi vëllai Asafi nga Amerika, i martuar, me fëmijë. Takimi me nënën ishte shumë prekës. Babai tanimë ishte në amëshim. Shkuam edhe te varri i babait. Vizituam kasollen tonë në Savër, pamë edhe kasollet e tjera. Fëmijët e Asafit, të lindur dhe të rritur në Amerikë pyetën babain e tyre: "Skllevër ishin këta, babi, që jetonin në këto kasolle?
Natyrshëm që po, ishin skllevërit e Shqipërisë Socialiste, të asaj Shqipërie që drejtohej nga Partia (e Kuqe) e Punës së Shqipërisë".
Neriman Hoxha vijon tregimet dhe përjetimet: "Liri Gashi, vajza e Muharrem Bajraktarit dhe Fatime Kolgjini, vajza e Tahir Kolgjinit, i shpëtuan jetën Suzana Hoxhës, motrës sime duke e ndihmuar të dilte nga një pellg moçalor në të cilin kishte ngelë ndërsa balta po e thithte ngadalë".
Tefta Çapaj nga Dukati i Vlorës, nëna Vahide, Lajde Kokali, Fatina Kuqeshi e Marika Bullma ndihmonin njëra-tjetrën.
Zina Dukagjini, burri i së cilës vdiq në internim, u lirua nga internimi pas 19 viteve.
Fran Tinaj nga Vermoshi, dëshmonte: "Qe bërë e modës që pa kurrfarë motivacioni të dyfishonin apo trefishonin vitet e qëndrimit në internim".
Ganimete Çuka e nëna e saj, duke mos duruar më jetën në kampe, i dhanë fund jetës jetës tyre në Ndërmendas, Fier.
Adelina Çeliku vari veten më 1986, për të mos dalë dëshmitare kundër burrit të saj.
Shënim: Shkëputur nga libri “Dhimbje 5”, i autores Fatbardha Saraçi Mulleti, Fiorentia, Shkodër 2023.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.
