Sot, 1 vit nga ndarja nga jeta e Sherif Merdanit.
Vjeshtën e vitit 1973, në Burgun e Tiranës, ku mblidheshin të dënuarit nga gjithë Shqipëria që shpërndaheshin më pas, sipas moshës e gjendjes shëndetësore, në kampe e burgje të ndryshme, në kaushin me numër 7, hyri dhe një djalë, të paktën zëri i të cilit, nuk ishte i panjohur për disa nga të dënuarit. Ishte këngëtari Sherif Merdani. Kasim Hoxha tregon kujtimet e asaj kohe, udhëtimin për në Spaç dhe punën në minierë së bashku, ku ditën e parë, Sherifi u nxi aq shumë në fytyrë nga pluhuri sa nuk njihej. Megjithatë ai nuk e humbi kurrë shpresën duke u bërë burim kurajoje edhe për të tjerët. Optimizmi ishte kënga e tij edhe atëherë kur nuk këndonte. Një këngë me të cilën, ndoshta pa e ditur as vetë, ngrohu zemrat e të dënuarve që kishte pranë.
Nga Kasim Hoxha
Burgu i Tiranës
Kaushi nr.7
…Polic Skënderi e urdhëroi të futej brenda. i burgosuri i ri, që në prag të derës, të cilën polici s’e kishte mbyllur ende, përshëndeti buzëqeshur: “Mirë se ju gjej, shokë!”. Ai ishte një djalë i ri elegant, i veshur me rroba të modës së fundit. Flokët kishin filluar t’i binin dhe aty-këtu dukeshin thinja të parakohshme.
Pa na u dhënë mundësia të pyesnim, se kush ishte ky djalë, ai tha: “Jam Sherif Merdani, besoj se e keni dëgjuar këngën time?”-duke zgjatur dorën të bënte toka me të gjithë. Unë isha shtangur në qoshen time dhe nuk u besoja syve. Tanushi (Frashëri) gjithnjë i gatshëm për të mirëseardhur të burgosurit e rinj, zbriti nga krevati i tij në katin e tretë, e ngushëlloi Sherifin dhe, shpejt e shpejt, i poqi një kafe.
…Sherfi na tregoi dramën e tij. Pas festivalit të këngës, Sherifi punonte në Librazhd të Elbasanit, si mësues në gjimnaz. Festivali i 11-të i këngës, që u zhvillua në dhjetor 1972, bëri bujë, u mirëprit nga publiku shqiptar për muzikën e bukur dhe këngët ku më tepër i këndohej dashurisë për Enverin dhe Partinë. Festivali u kritikua nga vetë Enveri, si një festival me muzikë dekadente. Menjëherë diktatori mbajti Pleniumin e 4-t, të Komitetit Qendror. Ai kritikoi Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Radio-Televizionin. Më pas dënoi me burgime të rënda shokët e tij: Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Mihal Luarasin dhe shumë shkrimtarë e artistë të tjerë. Një nga këto viktima ishte edhe Sherif Merdani, i cili tani ndodhej i mbyllur në këtë kaush të errët, të qelbur, bashkë me mua. Për mua Sherifi ishte një yll i këtij festivali dhe do të mbetet i tillë.
Mund të them pa hezituar, se ardhja e Sherifit më dha kurajo. Ndjeva se nuk isha vetëm në këtë botë. Megjithëse jetonim momente tepër të vështira të jetës, jetë aq e mërzitur sa kurrë nuk më bëhej të buzëqeshja apo të ndjehesha i gëzuar, ky njeri më ngjalli, me kurajon e tij, optimizmin e tij, sikur të dinte se ky nuk ishte fundi. Ai këndonte, vërshëllente, duke më thënë: “Mos u mërzit Kasem, do të ketë ditë të mira edhe për ne”.
Sherifi nuk kishte hidhërim në zemrën e tij, por tinguj hyjnorë muzike që mbanin shpresën gjallë, jo vetëm të Sherifit, por të gjithë atyre shokëve që e rrethonin. Çdo ditë e dëgjoja me ëndje këtë njeri që una e quaja gjeni dhe ndihesha tepër i gëzuar që pata rastin të njihem me të.
Reparti nr.303
Më 6 nëntor, aty nga ora 10 e mëngjesit, polici hapi derën dhe me një listë në dorë lexoi emrat e të burgosurve: Qani Çollaku, Lavdosh Sheme, Kasim Hoxha, Sherif Merdani dhe nja dy të tjerë. Na urdhëroi të merrnim plaçkat e të dilnim në korridor të burgut.
U gëzuam që po dilnim nga ky varr, por nuk e dinim se do të shkonim në një varr edhe më të tmerrshëm. Na lidhën dy e nga dy me hekura, mua dhe Sherifin na lidhën së bashku.
Sherifi si gjithnjë në gjendje të lartë shpirtërore, më pëshpëriti në vesh: “Po na çojnë në Spaç”. Ai vazhdoi: “Mos u mërzit Kasem, aty është edhe kushëriri im Ylber Merdani”…
Sherifi gjatë më tepër se dy javë në burgun e Tiranës, më tregoi tërë dramën e jetës së tij. Regjimi i Enver Hoxhës i burgosi babën dhe nanën e tij, si dhe gjithë fisin e Merdanajve, pasi ishin njerëz të pasur. Sherifi me vështirësi i mbaroi studimet, por regjimi i dha punë në një zonë të pazhvilluar, më tepër për ta izoluar këtë talent. Megjithatë ky shkëlqeu. Dhe tani diktatori e fuste në varr të gjallë, për ta shuar përjetë atë zë, aq të ëmbël.
Pas më tepër se tri orë udhëtim në atë makinë-burg, ku nuk kishte asnjë vrimë për ajrin, arritëm në Spaç.
…Sa hymë në kaush, të burgosurit na pritën me shumë dashamirësi…Në dhomë na erdhën vizitorë. Sherifit i erdhi kushëriri i parë për ta takuar, Ylber Merdani, kurse mua një fshatar nga Verva, Xhemal Bali, bashkë me një shokun e tij, Feti Kumanakun nga Fieri.
Atë natë unë me Sherifin shkuam turni i tretë. Na caktuan të bënim punën e minatorit, një punë shumë e rëndë dhe me rrezik të madh…Hidajet Vesho do të më instruktonte se si ta përdorja martelin për të hapur 10-15 vrima për minat.
Nata e parë në punë, në burg
…Polic Mark Marku priste te dera e galerisë. Duhet të rreshtoheshim, numëroheshim para se të hynim në burg. Grupi i Hidajetit doli i pari nga galeria…Ndërkohë doli Sherifi, të cilin unë nuk e njoha fare. Pluhuri i zi i mbulonte fytyrën. Ai s’pati kohë që të shpëlante pak surratin. Ai m’u afrua… “Kurajo, Kasem!”-më pëshpëriti ngadalë, për të mos e dëgjuar polici. Sherifin nuk e dekurajoi puna e rëndë e galerisë. Ai qëndronte shpirtërisht i fortë, i pathyeshëm….
…Erdhi e diela, ditë pushimi për të gjithë…Që në mëngjes, të dielën, dhoma u mbush me të burgosur. Shumica kureshtarë për këngëtarin e dëgjuar në Shqipëri, disa kërkonin që Sherifi të këndonte një nga këngët e tij. Më tepër e nxiste një i burgosur që e quanin Hysen Xhani, shkurt e thërrisnin “Loçe”. Ky, për t’i hequr ndrojtjen Sherifit, filloi të këndojë në frëngjisht këngën “Mexko, Mexko…”. Na impresionoi të gjithëve, edhe vetë Sherifin Por kjo nuk zgjati shumë. Polic Preng Rrapi erdhi dhe shpërndau turmën.
Shënim: Pjesa është marrë me shkurtime nga libri “Tokë e bukur kohë e shëmtuar” i autorit Kaso Hoxha, botim i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.