1990/Letra anonime e 77-vjeçarit që akuzonte Enver Hoxhën dhe kërkonte pluralizëm politik

0
1746
blank

Më 31.1.1990, shtetasi Ramiz Kaca, i dërgoi ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, një letër anonime “me përmbajtje tepër armiqësore”, të nënshkruar në fund me fjalët “Komiteti për Shpëtimin Kombëtar”. Kërkonte lirimin e të burgosurve politikë, të mos shtypeshin me dhunë revoltat e pritshme, shpallej pluralizmi, etj, pasi në të kundërt, gjithë ministrinë e priste vdekja. Letra ishte shumë kritike për diktatorin Enver Hoxha, i cili bëhej fajtor për gjithë krimet e kryera.

Për një kohë të shkurtër, organet e Sigurimit mundën ta zbulonin, ai ishte 77-vjeçari Ramiz Selman Kaca, nga Vinjolla e Matit. Ramizi në vitin 1933 kish mbaruar Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë. Në vitet 1933-1939 punoi gjeometër në Tiranë. Në nëntor 1949 deri në janar 1940 punoi shofer i Beqir Valterit. Pasi bleu një makinë, punoi shofer taksie në vitet 1940-1943. Pasi shet makinën, në vitet 1942-1943 punon shofer i orendive në Ministrinë e Arsimit. Gjatë luftës, konsiderohej si zogist. Për një letër që i kish dërguar Abaz Kupit gjatë luftës, në vitin 1946 u dënua me 2 vjet burgim. Në vitet 1948-1950 punoi si kontroll prodhimi në uzinën “Enver”, pastaj në vitet 1950-1956 shofer i Myftar Tares. Më 1956-1960 shofer në parkun e mallrave dhe në vitet 1960-1967 në parkun urban në Tiranë. Në prill 1967 pasi kritikoi mishmashet që bëheshin me financat, iu pa biografia dhe me vendim në kolektivit, u dënua të jetonte në fshatin e lindjes. Për këtë kishte shkruar edhe gazeta “Puna” e datës 4.4.1967. Kërkon të drejtën, por nuk e gjend askund.

Më 23.2.1990, Ramiz Kacës i merrej një deklaratë mbi aktivitetin e tij. Në këtë tekst, ai nuk tregoi asnjë pendesë. Midis të tjerash thotë:

“Këtu e ka zanafillën urrejtja ime e shfrenuar ndaj Enver Hoxhës, e më shumë akoma ndaj Nexhmijes, i ati i së cilës më donte aq shumë si jetim, pasi tim atë ma kishin vrarë; kurse ajo gjatë gjithë kohës 45 vjeçare nuk më pranoi asnjëherë me biseduar me të, sigurisht sepse ajo është zhveshur komplet nga traditat tona malësore. Në fshatin tim ku isha kthyer pas 49 vjetëve, isha i panjohur për moshën e re, por dhe ata të moshës sime, më braktisën komplet dhe mbeta fill vetëm në jetë. Po mos vallë njeriu ka dy jetë? Atëherë si ka mundësi të mos ndizet urrejtja për Enver Hoxhën kur i kalon këto tortura njerëzore në heshtje? A nuk jam unë vallë bir i kësaj toke që të gëzoj ato të drejta të shënuara në kushtetutë? Pse edhe atje ndiqesha nga operativ Gjini? Pse të më arrestonin nëpërmjet komplotit dhe intrigave për hakmarrje?”.

Në vitin 1972 u dënua me 10 vjet burgim për agjitacion e propagandë, dënim të cilin e kish vuajtur në Ballsh. Pas lirimit në vitin 1982 u vendos në vendlindje dhe në vitin 1988 erdhi në Tiranë pranë gruas e fëmijëve. Në fund të deklaratës, Ramiz Kaca, shpall synimet e tij:

“Në letrën që ju kam dërguar, jam shpreh me urrejtjen më të madhe ndaj diktatorit të paparë deri më sot në historinë e njerëzimit, Stalinit dhe të shokut të tij Enver Hoxha. Në këtë rast unë kam bërë punën time, sepse jam në fundin e jetës dhe mendova se po vdes pa e shprehur urrejtjen ndaj tyre. Ju më pyetët çfarë kërkon.

1-Kërkoj pluralizëm politik me reforma demokratike të gjera ku njeriu të shprehë pa frikë atë që mendon bashkë me botëkuptimin e tij.

2-Të lirohen të gjithë të burgosurit politikë dhe të mos rëndojë ndaj tyre më autobiografia.

3-Të ndalohet kategorikisht lufta e klasave...

4-Të bëhen zgjedhje të lira.

Këto pra janë bindjen e mia që duhej t’i shprehja me letër të hapur dhe jo anonime, por kam bindje që ju më dhatë besën shqiptare që të gjitha pasojat do të m’i ngarkoni mua e jo fëmijëve të mi, të cilët nuk dinë asgjë për këtë letër”.

Kaca shkruan gjerësisht se komunizmi kishte falimentuar politikisht dhe ekonomikisht dhe se Shqipëria duhej të ndiqte shembullin e vendeve të Lindjes. Ai e quante Enver Hoxhën “diktator famëkeq”.

Burgosja

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Simon Stefani, pasi lexoi deklaratën la këtë shënim:

“Shoku Zylyftar! Ramiz Kaca është armik i betuar. Në deklaratën e atij, ai edhe njëherë i qëndron besnik mendimit të tij kundër pushtetit popullor. Nuk tregohet aspak i penduar për fajin që ka bërë, megjithëse është i moshuar, por tepër agresiv. Mendoj që ai të ndiqet penalisht”. Në një shënim tjetër shkruanin se nuk mund të lihej i lirë sepse ai “villte vrer”.

Ministria e Punëve të Brendshme, dokumentet ia dërgoi Hetuesisë së Përgjithshme me shkresën nr.1911, datë 3.3.1990, për ta proceduar penalisht në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Kjo e fundit ia ktheu praktikën MPB-së me shkresën nr.271/1, datë 7.3.1990 me arsyetimin se problemi qëndronte, por mosha e të ndaluarit ishte e madhe. Por MPB me shkresën nr.1911/2, datë 23.3.1990 ridërgoi praktikën për Hetuesinë e Përgjithshme. Ramiz Kaca u dënua, por në fund të vitit, pas ndërhyrjeve nga jashtë u lirua me amnisti të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here