“Rezidenturat e huaja”/Ekzekutime dhe dënime mbi bazën e legjendave

0
174
blank

Legjendat e grupeve të brendshme që mbanin kontakt me ato jashtë vendit dhe rrinin në gatishmëri për të rrëzuar pushtetin popullor, u treguan me gjuhë zyrtare për disa dhjetëvjeçarë në Shqipërinë komuniste, si dëshmojnë edhe këto dokumente të viteve '50, '60, '70. Përmes tyre, justifikohej arrestimi ose edhe ekzekutimi i personave që partia i konsideronte armiq dhe i ngriheshin lavde vigjilencës së strukturave të shtetit

Nga Xhafer Sadiku

Gjatë viteve 1948-1949, u bë riorganizimi i sigurimit. Me organizimin e ri, seksionet e Përmetit e Këlcyrës u bashkuan, duke krijuar seksionin e sigurimit të rrethit të Përmet. Sigurimi theksonte se veprimtaria armiqësore në rrethin e Përmetit filloi të intensifikohej akoma më tepër, sidomos nga ana e zbulimeve kapitaliste.

…Vitet 1956-1960 ishin vitet e daljes në skenë të kontradiktave në gjirin e kampit socialist, ku udhëheqja komuniste zgjodhi të ishte në krahun stalinist. E vetizoluar, ajo zbatoi teorinë se armiku i jashtëm mbështetet tek armiku i brendshëm dhe për të mbajtur pushtetin, intensifikoi masat represive brenda vendit.

…Në zbatim të mësimeve të Partisë, edhe në rrethin e Përmetit sigurimi organizoi kombinacione të ndryshme agjenturalo-operative, për të “vërtetuar” tezën, se armiku i jashtëm vepron në bashkëpunim me armikun e brendshëm. Në analizën e seksionit të sigurimit, më 27 dhjetor 1960, theksohej se në drejtim të zbulimeve kapitaliste, në fillim të vitit kishte pasur të regjistruar në kontigjent 501 persona.

Karakteristikë e veprimtarisë armiqësore në rrethin e Përmetit, për këtë periudhë, theksonte sigurimi, ka qenë organizimi dhe drejtimi i punës armiqësore nëpërmjet rezidenturave të krijuara e të drejtuara nga zbulimet e huaja.

Çfarë thuhej për Mihal Nikën

Sipas sigurimit, një nga “rezidenturat” e para ishte ajo e Mihal Nikës, në të cilën sigurimi kishte skeduar Ilia Anastasin, Kristina Ristanin, Kolo Zoraq Stefanin, Medi Ismail Agon, Koço Mandin etj..

Në fakt, e tëra ishte një skenar, madje ishte e njëjta skemë e përdorur vite më parë nga sigurimi për të dënuar Papa Aleksin dhe persona të tjerë. Sipas sigurimit, “grupi” i Papa Aleksit kishte pasur “korrier” një person, që i kishte sjellë vetëm një letër. Për çudi, i njëjti person, bashkëpunëtor i sigurimit, ishte “korrier” edhe i “rezidenturës” së Mihal Nikës. Ishte ky person që në një takim me punëtorin operativ: “informoi midis të tjerash edhe për ekzistencën dhe veprimtarinë në zonën e Çarshovës të një rezidenture, që kryesohej nga Mihal Nika”. Skema funksionoi dhe në mars e prill 1950, u arrestuan Stavri Jovanllari, Medi Ago dhe Kolo Zoraq Stefani.

Medi Ago, nga katundi Biovizhdë, ishte njëri nga komunistët dhe partizanët e parë në krahinë, madje ishte plagosur në luftë. Sipas procesverbalit të hetuesisë së sigurimit, ai kishte pranuar se kishte propaganduar kundër pushtetit, por refuzoi të kishte kryer tradhti ndaj atdheut. E dënuan me 15 vjet burg. Sigurimi goditi të gjithë familjen Ago, njërën nga mbështetëset e lëvizjes nacionalçlirimtare në krahinën e Rrëzës.

Kolo Zoraq Stefani. Ishte nga katundi Draçovë dhe një nga burrat më me autoritet në lokalitetin e Çarshovës. Në vitet e mbretërisë, kishte qenë bekçi i fshatrave të zonës. Me autoritetin që gëzonte dhe influencën që kishte në administratën shtetërore të kohës, krijonte siguri për banorët, të cilët i çmonin korrektesën dhe ndershmërinë.

Gjatë viteve të luftës, celula komuniste e Përmetit e shikonte si kundërshtar politik në zonën e Çarshovës.

Pas vendosjes së regjimit komunist, e arrestuan, megjithëse nuk kishin asnjë provë kundër tij. Në arrestimin e dytë, megjithëse kaloi 18 muaj me radhë në tortura, nuk pranoi akuzat që i bënte sigurimi. E mbajtën tërë kohën të izoluar plotësisht, aq sa familja e tij nuk e takoi kurrë.

Sigurimi e realizoi skenarin kundër Kolo Zoraq Stefanit kur arrestoi Mihal Nikën, i kthyer në fshat për të takuar familjen e tij, si bënte edhe herë të tjera. Sigurimi bëri lidhjen, sipas skemës së zakonshme për të gjitha rastet e tjera. Sipas sigurimit, Kolo Zoraqi dhe Mihal Nika duhej të ishin në një “grup”. Nuk dihet asgjë se çfarë ndodhi me ta në birucat e sigurimit, por ajo që dihet me siguri është fakti se Mihal Nika dhe Kolo Zoraq Stefani u ekzekutuan.

“Rezidentura” e Zhepovës

Një tjetër “rezidenturë” e krijuar në letra nga sigurimi, ishte ajo e Zhepovës, e “kryesuar” nga Tefik Shkurti. Sipas sigurimit, “zbulimi amerikan, me anën e bandës së Iliaz Gurit, mundi që në vitin 1950, të vërë në shërbim dhe të aktivizojë kundër pushtetit popullor rezidenturën e përbërë prej shtatë vetash dhe e kryesuar nga Tefik Shkurti, në katundin Zhepovë. Veprimtaria “armiqësore” e kësaj “rezidenture”, “konsistonte në agjitacion e propagandë, si dhe organizimi i akteve të terrorit dhe diversionit, të bënin me vete sa më shumë njerëz dhe qëllimi final i tyre ka qenë rrëzimi i pushtetit popullor” (marrë nga  dokumentet e ASHS-së të vitit 1975).

Raportet e sigurimit vinin në dukje se: “Si rezultat i një pune të mirë që bëri seksioni i sigurimit të Përmetit arriti që brenda një periudhe shumë të shkurtër të zbulohej dhe goditej kjo rezidenturë”. Informacionet, sikur ata mbanin të fshehura armë lufte, i ishin dërguar sigurimit “nga agjentura dhe populli”. Sipas sigurimit, pas arrestimit të tyre u gjetën armët, të cilat, “sipas deponimeve të tyre në hetuesi, i kishin të fshehura dhe do t’i përdornin në rastin më të volitshëm që do të jepej sinjali…”

Shtatë burra nga katundi Zhepovë, do të përmbysnin pushtetin popullor!

Në të vërtetë, në Zhepovë nuk kishte kurrfarë grupi. Ata që u arrestuan ishin me autoritet në fshat edhe për shkak të lidhjeve të shumta fisnore. Kështu, Tefik Shkurti kishte mjaft ndikim në organizatën e partisë, pasiqë bashkëshortja e tij ishte një nga komunistet e para në Përmet. Po kështu, Gani Hasani (Kasa) ishte sekretar i Frontit Demokratik, ndërsa i vëllai i tij i madh, Alikua, gjatë luftës, kishte qenë sekretar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit. Midis të arrestuarve ishte edhe mësuesi Tomorr Gjergjani, nga një familje e parisë së Gjirokastrës dhe dhëndër i Hasan Dostit. Të burgosur të tjerë ishin Daman Hasani (Kasa), Refit Dajlani, Novruz Muarremi. Të gjithë u dënuan me shumë vite burg. Akuza që u bëhej nuk kishte bazë, pasiqë, në banesat e tyre nuk u gjetën armë. Sipas raporteve të Partisë, në fshat kishte shumë komunistë që mbanin armë të fshehura në banesë, por askush nuk u dënua prej tyre.

Shënim: Marrë nga libri "Skenarë të përgjakur (Përmeti 1943-1990)" i autorit Xhafer Sadiku, botim i ISKK.

Në foton kryesore: Kolo Stefani. Burimi: Familja

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here