Përtej portës së dhimbjeve

0
276

Nga Luljeta Progni

Kur hodha hapin e parë sapo u hap porta e kampit të Tepelenës, një ndjesi shumë e fortë më mbërtheu menjëherë. 69 vjet më parë atë portë e ka kaluar nëna dhe gjyshja ime, në kushte krejt të tjera. Padyshim që e lidh ndjesinë me rrëfimet që kam dëgjuar prej tyre. Rrëfime që s'të shqiten nga mendja dhe kur hyn tek ajo port mbart me vete edhe shumë dhimbje.

Ai kamp më trazon shpirtin shumë më tepër se sa kujtimet e nënës time. Kam dëgjuar shumë rrëfime për këtë copëz toke, që mban brenda saj shpirtra të trazuar fëmijësh, grash e të moshuarish.

Ndaj, atë ditë të 23 gushtit, kur u gjenda në mes të kampit, nëpër muret e kazermave të rënuara, filluan të më projektohen historitë e atyre njerëzve për të cilët ky vend ishte vetë Ferri.

Pëpiqem të hamendësoj ku kanë jetuar vuajtjet e tyre nëna, gjyshja... Hyj në një prej kazermave rrënoja... Gjej një qoshe dhe vendos ta përcakoj pikërisht aty vendin ku fjeti e drobitur nëna ime pasi kthehej nga puna, ku rënkoi nga lodhja e dhimbjet, nga uria. Përpiqem të komunikoj me atë qoshe ku bien rrezet e diellit që perëndon, duke krijuar imazhin e saj. Mundohem të kuptoj çfarë mendonte, për çfarë lutej... Ec pak më tej dhe vazhdoj të gjej një vend për Zef Markun, Marie Tinaj, Djamant Zajmin, Age Ndrethinën, Zyrha Prroin...ata fëmijë që nuk u kthyen kurrë nga ky kamp, e që nuk dihet se ku i kanë eshtrat. Është e rëndë të hysh në atë botë, të përpiqesh të inskenosh çfarë i ka ndodhur këtyre fëmijëve...

Largohem nga kazerma dhe përballë shoh Klara Merlikën.  Ajo po shëtit nëpër kamp. Është 84 vjeçe dhe nuk do t'ia dijë aspak për vapën e asaj dite gushti. I ka marrë me rradhë kazermat duke i vrojtuar. Është një rit që ajo nuk e bën për herë të parë. Kthehet atje thuajse çdo vit dhe i viziton të gjitha kazermat me rradhë, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë tokën ku qëndroi për pesë vite, ku kaloi fëmijërinë mes urisë e vuajtjeve, ku pa me sytë e saj tek vdisnin bashkëmoshatarë e të moshuar. Vazhdon të lotojë papushim, derisa arrin tek kazerma e fundit, e pastaj tek porta.

Është ora 4 pasdite dhe kampi është thuasje i boshatisur, pëveç disa punonjësve që po bëjnë gati skenën për aktivitetin e mbrëmjes, ku do të mblidhen disa nga të mbiejtuarit dhe ku presidenti do të dekorojë katër prej tyre. Klara ka përfunduar vizitën e saj dhe unë timen. Të dyja kemi mbërritur në hijen e një peme, të lodhura sikur kemi ardhur prej një pelegrinazhi të gjatë nga një vend i largët.

Klara nuk pushon së treguari çdo moment historitë që jetuar vetë aty. Janë përjetime që të therrin në shpirt. Duke biseduar me Klarën na afrohet një burrë. Ulet aty pa e ftuar dhe nis të flasë. Nuk u prezantua veçse tha se ishte banor i lagjes dhe shtëpinë e kishte ngjitur me kampin. Kuptova se donte të bisedonte me Klarën. Biseda mes tyre nisi e qetë, po shpejt u tensionua. Banori i ri i kampit të Tepelenës kishte ardhur për debat me Klarën ose për të shtyrë kohën, me sa kuptova. Po i tregonte se koha që ai kishte kaluar në emigracion kishte qënë shumë më e vështirë se sa koha që kishte kaluar Klara dhe bashkëvuajtësit e saj në kampin e Tepelenës. Klara është shumë e tensionuar dhe e ka të vështirë t'i pranojë këto krahasime ndaj i kthehet me një ton disi të acaruar mysafirit të paftuar në këtë bisedë.

“Ti nuk ke qenë këtu kur ishim ne dhe s'ke si ta dish, por nuk mund të vësh në dyshim vuajtjet tona... Ata tepelenas që ishin këtu atëherë e kanë parë dhe e kanë ndjerë dhimbjen tonë... e kanë vuajtur bashkë me ne”...

Biseda sa vinte bëhej më e tensionuar dhe në një moment vendosa ta xhiroj me aparatin celular. Banori nisi ta qetësojë tonin dhe moderoi edhe gjuhën. “Kur erdha këtu të ndërtoja shtëpi nuk e dija se po shkelja mbi eshtra njerzish”...

Bashkë me kolegët e tjerë gazetarë morëm Klarën dhe u ngjitëm në qytet, aty ku po zhvilloheshin aktivitete të organizuara nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të shtetit. Drejtuesja e këtij institucioni Gentiana Sulaj dhe stafi i saj, kishin organizuar një sërë aktivitetesh mjaft interesante për ti kthyer në kujtesën e të mbijetuarve detaje të jetës në kamp. Në godinën e kinemasë është një ekspozitë me dosje të Tepelenës. Ka emra fëmijësh që humbën jetën atje ... Në sallë janë mbledhur të ftuar të ndryshëm, shumica të mbijetuarit e Tepelenës dhe të afërm të tyre. Pas takimit në kinema ata janë ftuar të shohin një aktivitet tjetër interesant: Në një kamion të ngjashëm me atë që kishte sjellë me përdhunë në Tepelenë të persekutuarit, do të hipnin disa të rinj që simbolikisht do të udhëtonin nga qyteti drejt kampit.

E para ëshë aktorja Ema Andrea, e cila ngjitet e emocionuar në kamion. Më pas arkitekti Gjon Radovani, për të cilin Tepelena është vendi ku vuajtën familjarët e tij, shkrimtari Agron Tufa, i cili është edhe drejtues i Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit. Një tjetër vizitor në atë kamion është edhe Koordinatori i Perhershem i OKB-se ne Shqiperi, Brian James Williams. Në kamion ka shumë të tjerë, të rinj e familjarë të të mbijetuarve të atij kampi.

Lekë Pervizi e kundron me emocion skenën dhe natyrish përlotet ashtu si dhe e shoqja Beba, Klara, Prenga, Nika, Zoja, e shumë të tjerë të mbijetuar të atij kampi. Makina niset, ndërsa në sfond dëgjohet zëri i Mariza Ikonomit. Është duke kënduar vargjet e këngëve që të intenuarit kishin krijuar në atë kohë në kazerma. Janë fjalë dhimbje që Mariza i mësoi nga Klara Merlika dhe i këndon mes lotësh.

Të gjithë duan t'i dëgjojnë edhe njëherë fjalët e këngës... Të mbijetuarit i pëshpërisin ato pa zë...mes lotësh.

Kamioni ka ndalur. Edhe kënga. Ema zbret nga kamioni dhe thërret bashkëudhëtarët të zbresin njëri pas tjetrit për të shkuar tek ekspozita që është vendosur në muret e kazermave të kampit me fotografitë e dhimbjes, portrete që të flasin. Duket sikur secili prej tyre të thërret t'i afrohesh e ta dëgjosh....

Jam në rresht me të tjerë njerëz që po shohin fotografitë. Në krahun tim është një burrë i moshuar. Ndalon tek secila fotografi dhe herë pas here përlotet. Iu afrova dhe e pyeta se çfarë e lidhte me këtë kamp. "Kam jetuar këtu moj bijë. Isha 13 vjeç." fillon të rrëfejë Preng Mëlyshi, njëri prej mirditorëve që u internua në vitin 1949. E pyeta nëse në ato fotografi kishte dikë të familjes së tij. Më pas e ftova të me tregonte godinën ku kishte jetuar.

Më tregon se familja e tij nëna, motrat e vëllezërit kishin mbijetuar, por atje kishte mbetur djali i tezes së tij dy vjeç, Dod Markabiba.

Prenga endet nëpër njerëz në kërkim të shokëve të tij të mbijetuar të atij kampi.... Në mendje i vijnë herë pas here bashkëmoshtarët që mbetën atje, që nuk i mbijetuan vuajtjve.

Kur po intervistoja Prengën, përballë meje ndaloi një makinë dhe prej aty zbritën dy mirditore: Gjelë Gjikola e Mrika Gjikola, dy gratë mirditore që humbën vajzat e tyre të mitura në këtë kamp. Gjela dhe Mrika jënë shumë të moshura, mbi 90 vjeç, por nuk kishin hezituar aspak të vinin atë ditë në Tepelenë. Presidenti do t'i dekoronte pas pak, bashkë me Lekë Pervizin e Drane Jakajn.

Vazhdoj bisedën me Prengën, i cili ka dëshirë të më tregojë shenjat që i ka lënë Tepelena. Kur kishte qenë fëmijë kishte çarë këmbën nëpër telat e kampit në përpjekje për t'i shpëtuar një shpërthimi mine, ku kishte mbetur i vdekur një bashkëmoshatar i tij.

Bashkë me plagën Prenga na tregon edhe ditën kur kishte ndjerë më shumë ftohtë e uri, kur kishte ndjerë frikë.

...Nika dhe Zojë Bushgjoka, janë dy prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Janë fëmijët e Drane Jakajt, personazhi i një prej historive tronditëse të kampit të Tepelenës. Zefi, i biri i Dranes, vëllai i Zojës dhe Nikës, humbi jetën në Tepelenë. Dranja refuzoi ta lërë në Tepelenë birin e saj  dhe vendosi ta marë me vete ashtu të vdekur, gjatë rrugës së gjatë të kthimit për në shtëpi. Është një nga ato historitë në kufijtë e të pabesueshmes. E kam shkruar këtë histori dy vite më parë, kur ndërroi jetë Drane Jakja. Rrugëtimin e saj të tmerrshëm e ka kaluar edhe Zoja dhe Nika. Ata nuk duan ta kujtojnë atë më, sepse ka lënë shumë gjurmë në jetën e tyre. Ishin fëmijë të mitur.

Të heshtur, me lot në sy u rreshtuan krah bashkëvuajtësve të tjerë në sheshin e improvizuar në kampin e Tepelenës, sepse nëna e tyre do të dekorohej për kurajon dhe dinjitetin njerëzor nga presidenti i republikës, Ilir Meta.

Ka filluar të errësohet, aktivitetet kanë përfunduar dhe jemi ngjitur në qytet bashkë me të mbijetuarit e kampit. Në një prej tavolinave jam ulur me Nikë Bushgjokën të motrën Zojën dhe fëmijët e nipat e tyre. Diku afër është edhe Sokol Miraka. Shkova ta takoj dhe e ftova në tavolinën tonë. U takua me Nikën dhe filluan të bisedojnë për ngjarje interesante që gërmonin nëpër kujtimet e tyre.

Zoja mban mend nënën time që ka të njëjtin emër, kanë jetuar bashkë në kamp sepse ishin nga një krahinë, ndërsa Nika mban mend gjyshen time, Sofinë. E mban mend, sepse ajo kishte gjithmonë në dore rruzaret, me të cilat lutej papushim. Më rrëfyen se si shpesh kishte ndarë rracionin e saj me fëmijet e Zojës.

Të nesërmen në mëngjes, bashkë me kolegët e mi gazetarë shkuam sërish në kamp. Zbrazëti. Janë vetëm vazot me qiparisë. Ema Andrea dhe Gjon Radovani janë kujdesur të sjellin atje qiparisë për secilin fëmijë të vdekur në Tepelenë. Vendosa emrin e njërit prej tyre, Zyhra Prroi e cila ishte vetëm 2 vjec kur vdiq nga dizanteria në kampine  tpelenës.

Nisëm rrugën e kthimit, duke marrë me vete imazhin e atyre qiparisave stolisur me emrat e fëmijëve e duke përshpëritur lutjen “Jepju zot pushimin e pasosun”.

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here