Përgjakja e hekurudhave në hetuesi

0
1260
blank

Iu vunë prangat me akuzën e pavërtetë se kishin sabotuar punën në hekurudhë në shërbim të UDB-së jugosllave. I torturuan për 18 muaj deri në atë pikë sa dy prej tyre vranë veten, një i tretë çau barkun me ashkël druri dhe një i katërt u çmend. Një histori rrëqethëse, e treguar nga një prej të dënuarve të këtij grupi

 

Shqipëria kishte prishur tashmë marrëdhëniet me ish-Jugosllavinë dhe vazhdonte të fajësonte atë si përgjegjëse për gjithçka nuk shkonte mirë. Dhe një nga gjërat që nuk shkonin mirë ishin hekurudhat. Arsyet ishin të qarta: shumica e njerëzve që punonin në to ishin djem të rinj ose fshatarë të pakualifikuar; hekurudhat ishin ndërtuar me mbeturina shinash nga Lufta e Parë Botërore; lokomotivat ishin po të asaj kohe. Mirëpo, regjimi, si në çdo fushë tjetër dhe si në çdo periudhë të mëvonshme pas-divorci me aleatët e vet, servirte, si shkak, sabotimin e udhëhequr nga miqtë e vjetër-rishtas armiq të betuar. Dhe në vitin 1949, ishte koha për të krijuar dhe dënuar grupe sabotatorësh të instruktuar nga Jugosllavia që dëmtonin ndërtimin e Shqipërisë socialiste.

Një grup të tillë e krijuan në drejtorinë e hekurudhave. Perlat Çaçi, një prej të arrestuarve me këtë grup, ka treguar në programin “Histori me zhurmues” të TvKlan, të gjithë procesin që u mori jetën tre vetave dhe dënoi me burg disa të tjerë.

blank
Perlat Caci, ne vitin 2010, i ftuar ne programin "Histori me zhurmues"

Perlati vinte nga një familje që kishte mbështetur Luftën Nacionalçlirimtare, ku, megjithëse 12-13 vjeç, kishte marrë pjesë edhe vetë. Kishin në familje edhe një hero të kësaj lufte, Skënder Çaçin. “Në '47-ën, shkova vullnetar në hekurudhë. Një pjesë tonën na zgjodhën dhe krijuan një brigadë të veçantë për kuadrot e hekurudhës. Nga kjo brigadë, nja 4-5 elementë na zgjodhën për të vazhduar shkollën tekniko-hekurudhore në Jugosllavi. Në korrik, në vitin 1948 kur po shpërndaheshim për punë praktike, u prishën marrëdhëniet”. U detyruan të kthehen në Shqipëri, ku zvministri i komunikacionit Njazi Islami, ku shkuan të interesohen për fatin e tyre i priti me këmbët e para. “Ai na tha: E ç’keni mësuar ju?! Ju nuk keni mësuar gjë, ju nuk dini të lëvizni një tren. “Ne, edhe një çikë për t’u mburrur, thamë: “Dimë që ç’ke me të” dhe na çuan në hekurudhë. Ne donim të ndihmonim në të vërtetë. Mundoheshim të bënim më të mirën. Mirëpo ndodhën disa gjëra, defekte, përplasje… Ne ishim shumë të rinj. Edhe ndërruesit e shinave, ishin fshatarë, të papërgatitur. Erdhën të analizonin: Pse nuk vete puna mirë? Pati një përplasje të fortë mes ministrisë dhe ne punëtorëve sepse ne kërkonim të ishin gjërat siç i kishim parë dhe kërkonim që organizimi të ishte i përsosur … E gjithë hekurudha ishte e sajuar me mbeturina shinash që nga Lufta e Parë dhe kur bashkoheshin krijonin probleme. Lokomotivat, në një rast, një kaldaist italian zbuloi që ishin prodhim i 1914-ës…Ata të gjithë shkakun e shkarkonin te ne”.

Si pasojë, në gusht të ‘49-ës, 14-15 persona përfshihen në një valë arrestimesh. “Na arrestuan pa e ditur përse. Mua më arrestuan në Tiranë. Kur erdhën më morën, më futën në një veturë, më vunë dy rovole anash kokës dhe më thanë: “Je i arrestuar!”. -“Pse, për çfarë?” – “E di ti! Për çfarë ke bërë”. Nga burgu i Tiranës më çuan në burgun e Durrësit. Më dhanë fletën e arrestit: “Me urdhër të prokurorit të përgjithshëm Ciril Çarçani, arrestohet për aktivitet sabotimi në hekurudhë në shërbim të UDB-së jugosllave”...Që të gjithë me përjashtim të tre vetave, ishin kandidatë dhe anëtarë partie, të ardhur nga lufta. Kishte dhe nga ata që u kishte ndodhur ndonjë incident, siç ishte rasti im. Mua nuk më punoi mirë aparati i thithjes së ujit, nuk u furnizua kaldaja mirë, u detyrova ta fik lokomotivën në mes të rrugës, ta tërheq deri në Durrës. Më quajtën “sabotator që dogja një lokomotivë, e nxora nga përdorimi”. Me të tjerët kishte ndodhur që ndërruesi i linjave nuk dinte çfarë bëhej: në vend që ta ndërronte linjën që të ikte treni drejt, e futi në linjë tjetër dhe u përplas me vagonat e ndaluar. Ai ndërruesi i linjave u dënua dy vjet në vend, por më pas e ndërruan dhe thanë që e kishte fajin Hekuran Dajlani, që ishte makinist. E dënuan me këtë grup edhe Hekuranin…”.

Më këtë grup u arrestuan edhe makinistët e tjerë Seit Çorapi, Tafil Gërdelli, Jashar Jaho, Demir Dino,  ish-shefi i kuadrit dhe ish-oficer i LNÇ, Feti Dvorani, 4-5 manovrues, disa kryetar trenash dhe një daktilografiste.

Disave edhe u kishin ndodhur me të vërtetë avari e defekte, por asnjë prej tyre nuk po gjykohej për to. Procesi donte të nxirrte që ata ishin bashkëpunëtorë të UDB-së. Të tjerë nuk kishin të bënin fare me gabimet, por grupi duhej të ishte sa më i madh. Ndonjë do të bëhej pjesë e këtij grupi edhe për shkak të mbiemrit, siç ishte daktilografistja Vera Kokolari, e vetmja grua në atë grup prej 14-15 të arrestuarish. Megjithatë të arrestuarit nuk pranonin të pohonin akuzat e pavërteta. Për këtë arsye torturoheshin vazhdimisht, me të gjitha format.

“Hetuesia zgjati pothuaj 1 vit e gjysmë. Ne kishim dy hetues për person. Njëri ishte nevrik, tjetri i butë. Unë kisha qëndrimin tim për defektet e ndodhura, ndryshe nga ajo që thoshin ata. Më thanë: Shkruaji! Edhe unë i shkruajta. Kur më vjen hetuesi, ai nevriku: “Ç’janë këto paçavure? Pse të bëhesh avokat, të thamë ne?  Kujt i bëhesh avokat?” Bën sikur i grisën dhe pse më vonë mora vesh që nuk kishin grisur fletët që kisha shkruajtur unë. Unë i thashë: Jeni ju! Jeni ju që bashkëpunoni me jugosllavët, jo ne. Unë një detyrë që m’u ngarkua në Jugosllavi, atje, e kreva, kurse ju këtu i fshinit opingat jugosllavëve. Ç’keni me ne ju?” Ai në atë moment më kap nofullën, bashkë me policin që kishte aty dhe më shuan cigaren në gjuhë: “Kjo gjuhë do ta hajë!”, më tha”, ka treguar Perlati në programin televiziv.

Torturat dhe presionet ishin të personalizuara për çdo të arrestuar. Në kërkim të pikës së tyre të dobët, asaj pike ku njeriu thyhet. Dhe nuk kishin të sosur! Hetimi zgjati pesë herë më shumë sesa proceset e zakonshme. E në këtë rrugë që po dukej e pafund, disa u dorëzuan. Dy të arrestuar vranë veten në hetuesi dhe një tjetër tentoi, duke çarë barkun me një ashkël druri. Një tjetër u çmend.

Abdullah Liçit i vjen Nevzat Haznedari që e kishte ky një çikë kushëri nga e ëma dhe i thotë: Po ti pse nuk pranon? “Çfarë të pranoj! Kryetar treni kam qenë unë, s'kam asgjë, asnjë defekt”, i tha ky.-"Pse u përplas treni?"-Po nuk e ngas unë! “Dëgjo këtu, i thotë, mos u bëj budalla. Me ty e kemi kollaj ne, ti je djalë kulaku, hidhu nga të duash, do dënohesh më shumë. Kështu që pranoje dhe... do lirohesh për së shpejti”. Shumë nga këta djemtë nuk duruan dot. Demir Dino dikur ishte sekretar i partisë, u hodh nga kati i pestë me kokë në çimento. Kur i ka kërcitur koka atij në çimento, ne menduam mos plasi ndonjë bombë se ishim në biruca. Biruca u thënçin se kishin qenë banjo dhe i kishin ndarë. Foto Bezho kapërceu një kuti me ilaçe se u hoq si i sëmurë me ethet e Maltës. Edhe ky vdiq në hetuesi. Një Tafil Gërdelli, anëtar partie, çau barkun. Do thuash ti me çfarë e çau barkun? Me një ashkël druri të nxjerrë nga një parvaz penxhereje. Merre me mend. Një Jashar Jaho iku, kaloi... nga trutë”.

Tashmë, kushdo kishte humbur shpresën te ajo që besonte se do e shpëtonte, partia apo drejtësia.  Hetuesit e kishin bërë të qartë dhe koha e kishte vërtetuar se ata do i shkonin deri në fund trillit për të dënuar një grup sabotatorësh në shërbim të UDB-së. Një trill, për hir të të cilit disa humbën jetën dhe disa të tjerë, rininë, punën, jetën normale dhe, për çudi, vetëm një u çmend.

A.Çano/kujto

Shënim: Ky shkrim është mbështetur në dëshminë e Perlat Çaçit, në emisionin "Histori me zhurmues", "Viti 1949", të vitit 2010, transmetuar në TVKlan. Intervista ndodhet e plotë në  youtube.

Shënim: Mbi këtë proces dhe dënimet e tij, kujto.al do të publikojë në vijim edhe një shkrim tjetër.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here