Dokumentari ''Pasqyrë e Thyer - Spaçi''

0
556

''Spaçi nuk ishte burg, ishte kamp shfarosjeje shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht.. Ferri i Dantes është parajsë!''

Të gjithë kemi dëgjuar për burgun e Spaçit, si një dëshmi e sakrificave të atyre që luftuan për liri e kundër torturave çnjerëzore, të cilët shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje.

Dëshmitë e plota

Spaçi ishte skëterrë pa varr. Dy gurë hapnin atje edhe të fusnin pa vdekur mirë edhe të hidhnin gurët mbi të.

Në orën 6 niseshim për tek porta e telave me gjemba, për tu futur në galeri. Punohej me tre turne. Nxirrej pirit, nxirrej edhe bakër. Mali përballë kishte katër galeri për të nxjerrë bakër. Ndërsa mali matanë që i thoshin zona e dytë nxirrte Pirit.

Kam qenë 17 vjeç e gjysmë kur jam arrestuar. Në Spaç i bie të kem bërë 3 vjet e gjysmë.

Kur dilnim nga turni i tretë pyesnim njëri-tjetrin, doli filani? Doli. Po filani? U vra. Atje janë akoma, nuk dihet se ku janë. I linin atje, edhe kur largoheshim i hidhnin s’dihet se ku i kanë lënë. I kanë ngrënë qentë. S’kanë varr. Nuk kanë varr.

Atje thuajse ishte një skëterrë. Nuk krahasohej. Një vagon atje, Pirit quhej, peshonte 1 ton e gjysmë. Punoja 8 orë brenda pa bërë pushim.

1980 - 84 kam ndenjur në Spaç unë. Ishte një djalë nga Tropoja. Djalë më të qetë, më njerëzor nuk kam parë, më trim nuk e bënte nëna. Edhe një djalë tjetër, ai kishte qenë në mundje. I dënuan të dy me vdekje në Pukë. Kur i kanë pushkatuar, i kanë lidhur me tel me gjëmba. I kanë thyer duart e këmbët. Kur i kanë thënë Sokol Sokolit, - “ç’ke për të thënë i pandehur, për fjalën e fundit”? E para mos më vrisni prapa krahëve. Më lejoni ta bëj varrin vetë. U nuk i kam bërë askujt keq.

Spaçi ishte vendi i skëterrës, vendi i vuajtjeve. Për disa ishte zoti me ta, por për disa jo. Kur kujtoj ata shokët që vdisnin atje, e i shikoje që përpiqeshin atje dhe nuk të linin ta prekje me dorë. Për nder të familjes po. Ik tutje thoshin.  Do ikje çfarë do bëje? I pafuqishëm ishe. Ja ai ishte Spaçi. Kur iknim në punë thoshim: “mirëardhsh”, “ardhsh shëndoshë”. Por vije apo nuk vije, ajo nuk dihej.

Në një nga ato dhomat flinin 50 vete, me 3 kate edhe frymë më frymë. Ata që mbaronin turnin e parë, hanin bukë, bënin 2 orë pushim dhe në orën 4 ose 5, nuk më kujtohet mirë, fillonin leximin e veprave të shokut Enver.

Ajo ishte tortura më e madhe. Orë e kulturës masive quhej. Ne ishim arrestuar se nuk donim Enver Hoxhën. Ata na lexonin qitapet e Enver Hoxhës, 70 veprat që nxorri shoku Enver.

Mirësjellja ishte gjë e madhe. Ishte një gjë atje, unë lija veten, jo unë se ne ishim 9 veta atje që hanim bukë  bashkë. Ti haje bukë, ai tjetri që nuk kishte, rrinte në këmbë të shikonte. A haej buka?!

Ferri i Dantes ishte parajsë. Ata që ishin pa punë, në mëngjes fasule, një kokërr këtu një atje. Unë për gjashtë muaj kam ngrënë 400 gram bukë edhe pak kripë, e hidhja këtu sepse nuk e duroja dot. Patatet pa vaj, bënin ndonje supë me patate pa vaj, të mbyste era. Për të plotësuar gjoja bukën, na jepnin patate të zjera, se do i kursejmë bukën qeverisë. Atje do të haje kur nuk nuk të hahej. Do flije kur nuk të flihej. Do punoje kur nuk duhet të punoje.

Spaçi ishte 1 600 veta. 1 600 të burgosur. Kishte nga ata që kishin 30 vjet, 32 vjet, 37 vjet. 24 orë në ditë, mund të kishe 10 minuta që mund të ishe në humor, ndërsa e gjithë pjesa tjetër ishte “OH”…

Aty kam parë drama që nuk  mund t’i tregoj. Ishin kushte edhe trajtim i tillë, jo për të edukuar, se i thoshin kamp riedukimi, po ishte kamp shfarrosjeje, shpirtërisht, mendërisht dhe fizikisht.

Do hyje në minierë dhe do futeshe në “Ortë”. “Ortë” quheshin ato. Do vije njëherë do të kontrolloje frontin, bie shkëmbi apo jo, se do punoje nën shkëmb. Tavani ishte me ca trupa prej ahu të kalbur. Të shembej, ai do ta mbante, ai trupi? Prandaj na e zinte shokun brenda dhe nuk ishim të zotë ta nxirrnim. Se më vjen për të qarë. E nxirrje të vdekur, shokun tënd. Më ka rastisur mua vetë me shokun tim, mbeti atje brenda dhe nuk e nxorra dot.

Nuk kishte ditë që të mos dilte një njeri i këputur në mes, i qorruar, thyer krahët, thyer këmbët se ata donin normën. Po nuk e bëre të fusnin brenda në birucë. Është edhe për të qeshur edhe për të ulëritur. Aty nuk kishe kohë të mendoje diçka, sepse në çdo sekondë ishe në alarm. Kontrolle, krijonin gjëra të paqena. Për shembull të ndalonin letrat. “Pse nuk vijnë letrat? Janë sëmurë, kanë vdekur”? Kjo është luftë psikologjike. S’ka nevojë të të rrahë. 15 ditë që nuk ke letra, u çmende.

Kur u arrestova isha 36 vjeç. 4 vjet kisha martuar me gruan. Bëra 8 vjet. Norma ishte e rëndë, por do bëhej se s’bën. Se nëse nuk bëhej, ata të sillnin të haje bukë dhe të çonin përsëri natën.

557 shkallë, i kam bërë vetë. E sillnin të burgosurin nga zona 1 ose 2, s’bëre normën ose shave policin? E sillnin në 12 të natës se ishte turni i dytë. E çonin tek porta e jashtme, ia fusin duart në atë krah, trupi këtej. Atje tek porta ishte një kubik betoni, një kubik i vogël 25 me 25. Ai çbënte? I vinin hekurat nga ana tjetër e portës ia shtrëngonin deri në fund dhe merrnin atë betonin, e ngrinin peshë edhe ia varnin në duar, që t’i shqyheshin duart. Po s’është një vit more vëlla, është 10, 15, 25 vjet, e njëjta gjë. Edhe makinë elektronike të jesh, nuk mundesh me atë ushqim që haje ti, me atë torturë.

Kur frynte murlani dhe binte erën, me shi edhe me borë, ngrinin pikat e shiut dhe mbylleshim në akull edhe dridheshim.

Kur pyesja, - sa vite je dënuar ti? - 7 vjet. Sa ke bërë? -28 vite. Dënoheshin atje brenda. Për mos të dale nga burgu, edhe ata që ishin dënuar me 7 dhe bënin 28 vjet, në fund u pushkatuan me gjyq.

Populli shqiptar ka qënë i tëri i burgosur. Ishe përjashta? Po unë isha përjashta isha. Çdo natë mendoja “bobo sot do të na arrestojnë”.

Unë quhem Agim Qejvani, kam qënë në Spaç rreth 4 vjet.

Quhem Hysen Ismail Haxhiaj, në Spaç kam ndenjur 13 vjet. Kam punuar në galeri 13 vjet e 7 muaj.

Më quajnë Ylvi Toro, i biri i Ibrahim Toros, nga Kurjani. Jam arrestuar më 9 maj të vitit 1970 dhe jam liruar më 1980-ën. Burgun e kam bërë në Spaç.

Unë jam Kudret Qëndro Likaj nga Sevasteri i Vlorës. Jam dënuar 10 vjet dhe 24 vjet internim.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here