"Më kanë dënuar me vdekje"

0
270
blank

Fati tragjik i të riut Engjëll Emiri, i cili u ekzekutua në fshehtësi nga Sigurimi i Shtetit. Majin e vitit 1949, në errësirë, u shfaq një i panjohur në derë e shtëpisë së 23-vjeçarit dhe solli haberin e frikshëm përmes një pusulle ku shquhej shkrimi i Engjëllit dhe lajmi i kobshëm se ishte dënuar me vdekje... Familja nuk u informua kurrë për arsyet e ekzekutimit.  

Në mesin e errësirës së një natë maji në vitin 1949, një njeri i panjohur trokiti në derën e shtëpisë së Engjëll Emirit. Natën nëpër errësirë ai la pusullën dhe nuk dha asnjë sqarim. Familjarët që, prej kohësh, jetonin ankthin për mungesën e kontakteve me të birin, Engjëllin, hapën menjëherë pusullën dhe atje gjetën togfjalëshin e tmerrshëm: "Më kanë dënuar me vdekje".

Engjëll Emiri ishte asokohe vetëm 23 vjeç. Prej javësh ai kishte humbur kontaktet me familjen, por për shkak të mënyrës së jetesës që ai bënte, për disa ditë familja nuk ishte shqetësuar për shkak se Engjëlli ishte një i ri i apasionuar pas udhëtimeve me motor nëpër Shqipëri dhe ata kishin menduar se mund të ishte në një udhëtim të tillë. Por një natë, forcat e Sigurimit të Shtetit zbarkuan në shtëpinë e Engjëll Emirit për të bastisur banesën e terrorizuar familjen e tij. Ditën që Sigurimi i Shtetit bastisi shtëpinë, familjarët u shqetësuan dhe nisën kërkimet për Engjëllin 23-vjeçar. Trokitën në çdo derë, por nuk morën asnjë informacion. Pas disa përpjekjesh, ata kuptuan se djali i tyre ishte arrestuar.

Engjëll Emiri kishte qenë qysh 15 vjeç i angazhuar me të rinjtë antifashistë në Durrës. Pas luftës ishte mik dhe oficer i Nako Spirut, i cili ishte emëruar ministër i Ekonomisë. Më pas, Nako Spiru u ekzekutua si “armik i brendshëm” dhe situata për njerëzit e tij të afërt dhe bashkëpunëtorët do të vështirësohej. Një ndër ta ishte edhe Engjëll Emiri, i cili kishte qënë oficer i parë në stafin e tij. Ndërkohë, pozitat e Engjëll Emirit ishin gjithashtu të vështirësuara për shkak edhe se një vit më parë ishte dënuar dhe ekzekutuar daja i tij, Aqif Kashahu.

Motrat e Engjëll Emirit nuk i ndalën përpjekjet në kërkim të vëllait të vetëm, por asnjë derë nuk hapej për to. Megjithëse nuk e panë asnjëherë më, ato çonin ushqime dhe veshmbathje te vendi ku mbanin të dënuarit. Erdhi një moment kur rojet nuk i pranonim më pakot e tyre, por motrat e tij nuk u sqaruan për cilën arsye i kishin pranuar deri atëherë dhe pse tani refuzohej ushqimi dhe veshjet për të vëllanë, Engjëll Emiri.

Kohë më vonë familja mori vesh se Engjëll Emiri ishte "gjykuar" brenda pak ditësh prej kohës kur kishte mbërritur pusulla në shtëpi dhe ato ditë ishte ekzekutuar. Askush nuk i mësoi dot arsyet e vërteta, por u hamendësua se Engjëlli mund të ishte dëshmitar i gjallë, që mund të tregonte nga ato që dinte, kishte parë, apo dëgjuar në lidhje me vrasjen e Nako Spirut....Në skedën e tij shkruhet se është dënuar me vdekje me pushkatim, për "tradhëti ndaj atdheut" me Vendim Nr. 1, datë 30 maj 1949 dhe është ekzekutuar po atë ditë.

Kështu u ekzekutua i riu i pafajshëm, Engjëll Emiri, për të cilin familja nuk pati kurrë të drejtën e informacionit për cilën arsye ishte ekzekutuar.

Shënim: Informacionet rreth historisë së Engjëll Emirit, janë marrë në faqen: Muzeu Kokalari

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here