Letra nga burgu i Burrelit/ Muharrem Xhakoni: Ju rrëfej torturat çnjerzore dhe vdekjet në burg

0
734
blank

"Isha me temperaturë 40 nga gripi aziatik, kapter Asllani më ngriti nga dysheku, me futi në qeli, më zhveshi, më zbathi kur çimentoja ishte e lagur dhe temperatura ishte 8 gradë nën zero. Mbas 8 orëve, në atë gjendje, më ngriu gjaku, u paralizova dhe humba ndjenjat"

Nga Kastriot Dervishi

Burgu i Burrelit, i njohur fillimisht si Burgu nr.3 dhe më pas si Reparti nr.321, përmblidhte të burgosurit më të rrezikshëm për regjimin komunist. Në rast se Shqipëria pushtohej prej ndonjë shteti, të gjithë të burgosurit e Burrelit ekzekutoheshin. Muharrem Avdulla Xhakoni, i vitlindjes 1924, u arrestua në vitin 1955 dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie për tendencë arratisjeje, megjithëse ishte në Sukth kur u arrestua. Ishte një nga të dënuarit e këtij burgu. Më 20 shkurt 1963, ai dërgoi një letër përmes së cilës bën të njohura torturat dhe vdekjet në burgun e Burrelit.

Ekstrakt nga letra

Këtë ankesë po e ngre kundra ndihmësmjekut kapter Kamberit dhe kapter Asllanit, të dy efektivë të këtij reparti.
-Kur isha me temperaturë 40 nga gripi aziatik, kapter Asllani më ngriti nga dysheku, me futi në qeli, më zhveshi, më zbathi kur çimentoja ishte e lagur dhe temperatura e të ftohtit (ishte) 8 (gradë) nën zero. Mbas 8 orëve, në atë gjendje, më ngriu gjaku, u paralizova dhe humba ndjenjat. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në dhomë. U ktheva në jetë nga masazhet e shokëve dhe borseta me ujë të ngrohtë.
-Herën e fundit, më ngre në mesnatë nga dysheku, më futi në qeli e pastaj së bashku me ndihmësmjekun Kamber, më zhveshin, më zbathin, më lidhin me hekura dhe kur duart m’u mpinë, kur duart u nxinë, atëherë m’i tërhoqën, m’i tundën në formë torture.
-Kapter Asllani më nxjerr në oborrin e burgut me imponim kur bien shira të rënda. Pleq, të sëmurë dhe të vobektë që janë të zbathur e me lecka, lagen në shi, pa pas zjarr, ndërresa dhe soba me u terë.
-Kur ecim, kërkohet një heshtje absolute. Po të thuash fjalën mirëmëngjesi, kapter Asllani të fut në qeli me gjithë pasojat e tjera, sikur të ishim hije të vdekura e jo qenie njerëzore të gjalla.
-Po të bësh 5 minuta gjimnastikë në vendin tënd, të fusin në qeli, të zbathur e të zhveshur. Kjo gjë na dëmton të gjithëve, sidomos ata që vuajnë nga reumatizma dhe paraliza të ndryshme.
-Ky kapter ka dhënë urdhër të prerë mos me la kokën, qafën, veshët dhe mos me përdor sapun në mëngjes. Viktimat e këtij urdhri janë me duzina të burgosur. Patër Donat Kurti, pse lau pak kokën, u dënua në birucë. Mori një ftohje në veshkë, si efekt i tri ditëve në qeli pa tesha. Ka tre muaj që bën kura, i shtruar në infermierinë e burgut.
-Kur hapen dyert me dalë në oborr, duhet të ecim me vrap, në formë krosi popullor. Në korridoret e ngushta këputen rripat e nallaneve, të sëmurët pleq rrëzohen. Të pasmit hipin sipër atyre që janë më përpara dhe përsëri dëgjohet e fuqishme komanda e rojës që thotë: vrap, vrap, vrap. Pra kolona tundet përsëri dhe ata që mbesin në bisht futen të gjithë në birucë.
-S’ka ditë që kur ka shërbimin kapter Asllani të mos zhvishen, zbathen e futen ndër birucat e lagura e gjithnjë pa tesha fjetjeje, 4-5 të burgosur.
-Meqenëse komanda e ka emëruar si kujdestar të rojeve të tjera (kapter Asllani), i ka urdhëruar edhe ata të veprojnë si ai. Dënimet e tij, megjithëse të papërfshira në rregullore, të shumtat e rasteve i kalojnë 10-15-30 ditë, pa tesha fjetjeje, zhveshur, zbathur ndër birucat e lagura. 95% e dënimeve, janë arbitrare.

-Dënimi ynë në biruca që lagen me ujë shiu gjithë dimrit, të zhveshur, të zbathur e pa tesha fjetjeje, po na shkakton vazhdimisht sëmundje: gastrit, ulçer, interkolit, hemorroide, reumatizëm, paraliza të ndryshme dhe të gjitha sëmundjet e tjera tuberkulare... Dënime të tilla na kanë çuar dhe po na çojnë në një vdekje që vjen në forma graduale. Ata trupa që me rezistencën e tyre natyrale e durojnë, mbeten invalidë përjetë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here