Karrocieri i diplomuar në Tuluzë

0
1601
blank

Historia e gjyqtarit Fetih Selenica, të diplomuar në Tuluzë e të ndëshkuar nga regjimi komunist për një fjalim të mbajtur në kinema Majestik në Korçë. Përndjekja e intelektualit që vetëm 10 vjet punoi si gjyqtar dhe 16 të tjera i kaloi në burgje dhe punë të rënda deri sa mbylli sytë para kohe, i internuar në fushat e Myzeqesë.

 

Komunistët i njihnin mirë kundërshtarët e tyre dhe me të ardhur në pushtet, madje edhe para se të merrnin zyrtarisht drejtimin e Shqipërisë, nisën t’i ekzekutonin, burgosnin apo internonin. Në axhendën e hakmarrjes së tyre, ishte shënuar edhe emri i gjyqtarit Fetih Selenica. Më 17 nëntor 1945, në kinemanë “Majestik” të Korçës u zhvillua gjyqi kundër tij që e dënoi me 15 vjet burg. Seanca zhvillohej pikërisht në atë vend ku një vit më parë, në një takim të intelektualëve të Korçës, Fetih Selenica kishte mbajtur një fjalim kundër vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, që realisht do të ishte vendosje e pushtetit jugosllav, duke e mbyllur me fjalinë: “Nuk kam ç’e dua trimërinë, kur s’e kam për Shqipërinë”. Ishte pikërisht ky fjalim që përcaktoi përfundimisht përcaktimin e tij si armik, hije që i endej mbi kokë edhe për faktin se kishte mbaruar Liceun Francez me rezultate të larta dhe kishte studiuar në Perëndim, arritje që në shumicën e rasteve, diktatura i ktheu në motive ndëshkimi për intelektualët shqiptarë. Siç ka treguar e bija, Nimfa Selenica, gjyqtari doli në gjyq pas disa muaj hetuesie dhe prokuror i çështjes së tij, ishte një nga emrat më famëkëqij të regjimit komunist, Nevzat Haznedari. Mes tyre, në sallën e kinemasë të kthyer në sallë shfaqjesh për ndëshkimin e kundërshtarëve politikë, u zhvillua edhe një debat, në të cilin vihet re vendosmëria e Fetih Selenicës për bindjet dhe veprimet e tij.

blank

Haznedari: “Përse shkove në Tetovë?”

Selenica: “Se atje nuk do të më ndiqnin italianët”. Haznedari: “Cilën quani Shqipëri Etnike?”

Selenica: “Atë që zgjeruan italianët”.

Haznedari: “Kush e ka ndjekur këtë politikë?”

Selenica: “Balli Kombëtar”.

Haznedari: “Pse ke folur për Shqipëri të Madhe?”

Selenica: “Jo, as e kam propaganduar?”

Haznedari: “Kur ke hyrë në Ballin Kombëtar?”

Selenica: “Nuk kam ndruar parti politike. Faslli Frashërin dhe Dhimitër Fallon i kam njohur si miq dhe nuk kam pasur lidhje politike me ta”.

Haznedari: “E ke luftuar Okupatorin?”

Selenica: “Po”.

Haznedari: “Të mbash konferenca në sallën “Majestikut” me bajonetat gjermane dhe të pretendosh kundra okupatorit, është luftë e okupatorit? Ke mbajtur konferencë në “Majestik”?”

Selenica: “Po, me temën “S’kam ç’e dua trimërinë, kur s’e kam për Shqipërinë”.

Haznedari: “Kjo konferencë ishte në interes të popullit?”

Selenica: “Po”.

Një debat që para gjykatësit Kohë, shpërfaq dinjitetin e Fetih Selenicës dhe turpin e vendimit të gjyqit që e dënoi me 15 vjet burg.

Shqelma mbi trofetë e një jete të ndershme

Fetih Selenica vinte nga një familje e varfër, por patriote. I ati kishte luftuar me çetat që u formuan kundër pushtuesit osmanë, përfshirë edhe atë të Themistokli Gërmenjit. Kur familja u zhvendos nga fshatrat e Kolonjës në qytetin e Korçës, Fetihu u regjistrua në Liceun Francez të qytetit, të cilin e përfundoi me rezultate të larta. Punoi për pesë vjet si mësues në fshatra dhe në vitin 1932, iu aprovua kërkesa për bursë studimesh jashtë Shqipërisë. Studioi për Jurisprudencë në Universitetin e Tuluzës në Francë dhe pas diplomimit, u kthye në Shqipëri, ku nisi punë si gjyqtar në disa rrethe: Vlorë, Kavajë e pastaj Korçë, ku shërbeu si kryetar i Gjykatës së Faktit. Në vitin 1943,u zhvendos në Tetovë përsëri në rolin e gjyqtarit. Kjo do të ishte karriera 10-vjeçare e njeriut që arriti gjithçka me aftësitë e tij, që njihej nga të gjithë si “jurist i përgatitur dhe njeri i pakompromentueshëm”, antifashistit dhe antikomunistit të vendosur që nuk u përzie kurrë me asnjë forcë politike. Fjalimi i mbajtur në fund të vitit 1944 do mbyllte edhe karrierën e tij dhe jetën prej intelektuali. Pasi mori dënimin, filloi të provonte burgjet dhe kampet e punës së rëndë të diktaturës: Burrel, Maliq, Vloçisht, Beden…Familja do të kishte pjesën e saj të vuajtjeve, jo vetëm shpirtërore, por edhe ekonomike. Pas arrestimit të Fetihut, u dënua me tetë vjet burg edhe i vëllai, Tahir Selenica.

blank

blank

Shtëpia u sekuestrua nga të gjitha plaçkat, ashtu si edhe biblioteka e pasur. Fetihu porositi bashkëshorten të shkonte bashkë me fëmijët në Tiranë, të vëllai i saj, por ndërkohë në Korçë mbeten dy prindërit e tij të moshuar, të cilëve u morën gjithçka u kishin siguruar fëmijët e rritur me mundim. Ata ndërruan jetë, brenda dy vitesh, njëri pas tjetrit, në varfëri dhe mjerim të plotë.

Bashkëshortja, gjithsesi mundohej me mish e shpirt që të mblidhte një trastë ushqimesh për Fetihun, të cilën ia dërgonte ku do ai ndodhej në burgje e kampe për 11 vitet, që zgjati dënimi. Në vitin 1955, Fetih Selenica u lirua nga burgu, por vazhdoi të ishte i dënuar. Sipas rrëfimit të së bijës, ai punoi për dy vjet si karrocier në uzinën “Partizani” dhe më pas, për gjithë familjen erdhi vendimi i internimit që i dërgoi ata në fermën “Çlirim” të Fierit. Edhe këtu, për gjyqtarin nuk  ofrohej më shumë sesa puna në bujqësi, të cilën e përballoi për gati 4 vite, derisa një ditë maji të vitit 1961, në moshën 55 vjeç, i ndali zemra e lodhur nga gjithçka kishte përjetuar 16 vitet e fundit.

 

 

Pamfleti në astar

Fetih Selenica pati fatin e mirë, brenda fatkeqësisë së madhe, që një pjesë të dënimit ta vuante në burgun e Burrelit, i cili në vitet e para të regjimit komunist kishte një bibliotekë të pasur me libra e autorë që shpeshherë nuk i gjeje jashtë burgut, por edhe një grup  intelektualësh që e kthente sheshin e ajrimit në një agorë që s’e gjeje askund tjetër në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe ai pati mundësi jo vetëm të lexonte, por edhe të shkruante. Mes kriimeve, spikat pamfleti politik “Më I ftohtë se akulli” që avokati e shkroi në vitin 1947, pas dy vitesh burg, duke prerë lëkurën e demagogjisë komuniste dhe duke zbuluar çfarë fshihej nën të. Pas tetë vitesh të tjera burg, kur erdhi dita e lirimit, preu astarin e xhaketës dhe e fshehu brenda saj pamfletin politik “Më i ftohtë se akulli”.

Ia besoi të kunatit, Kujtim Ismailatit, i cili e mbajti të fshehur në shtëpinë e tij në Tiranë, këtë pamflet, që po të zbulohej do sillte shumë pasoja me të vërtetat e thëna hapur që përmbante. “Komunizmi, me demagogjinë e tij të bukur, me fanarin e tij magjik, me premtime që kalojnë çdo dëshirë, gjurmon në errësirë ambiciozët, aventurierët, njerëzit e lindur kriminelë, pesimistët, disa naivë të rinj e të reja i fut në kullën e tij të ndritëhme të hekurt, u mbyll derën e daljes njëherë e përgjithmonë, u rrëmben ndjenjat e mira që mund të kishin, u zhduk shpirtin, u forcon trupin, u mbush mendjen me ëndrra të bukura ambicioze, i armatos me thikë me helm dhe pastaj, të mobilizuar i ndërsen kundër njerëzve të tjerë, që duan të mbrojnë lirinë, ndjenjat humanitare, burrërinë, nderin, familjen, Atdheun, fenë, zakonet, punën e tyre dhe frutin e saj. Dhe me flamurin fallco të punëtorit e të bujkut, me parrullën e diktaturës së punëtorëve, mban diktaturën e pak vetëve, zhduk çdo gjë të shenjtë e të vjetër të njeriut, grabit pa fre çdo gjë që i pëlqen për të majmur krerët udhëheqës, var në hu e në litar ose varros të  gjallë nëpër kanale ata që nuk i duhen dhe të tjerët i lidh me prangat e urisë dhe të ftohtit, për t’i përdorur si kafshë pune nëpër mure kineze, në piramida egjyptiane dhe nëpër kanalet e hidrocentraleve ruse gjersa të vdesin. Ata më me fat që i shpëtojnë rrebeshit, i përplas nëpër birucat e ftohta me çimento, pa dritë, pa zjarr, me një racion buke të thatë, në pritje të japin shpirtin ligjërisht me proces-verbalin e drejtorit të burgut”, shkruan Fetih Selenica në këtë pamflet të cilin e mbyll, gjithsesi me shpresën, që një ditë “Drita e së vërtetës dhe e Lirisë do ta verbojë atë që do errësirën dhe do t’i hapë sytë atij që i janë verbuar nga magjia e kullës komuniste. Dhe komunizmi do të tregohet si një ëndërr e llahtarshme!”. Një shpresë, që nuk e pa të përmbushej. Ndërsa ëndrra e llahtarshme, ende mundon me makthe jetët e sa e sa njerëzve që vuajtën padrejtësisht dhe ende as sot nuk kanë marrë ndjesën dhe nderimin e merituar.

Shënim: Ky shkrim është mbështetur në të dhënat e publikuara nga gazetari Dashnor Kaloçi, në memorie.al.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here