Josif Pashko: Si t'i shfrytëzojmë maksimalisht të burgosurit e Zadrimës, Kamzës dhe Tiranës

0
362

Dokumenti i dhjetorit 1955, ku jepet plani i detajuar dhe kostot e tre kampeve me të burgosur, që do të shfrytëzoheshin në punë të detyruar nga regjimi komunist

Ata mund të ishin intelektualë, përkthyes, artistë, shkrimtarë, fizikantë, inxhinierë, mjekë,  juristë, profesorë, etj., por pas humbjes së lirisë, me futjen e tyre në burg, regjimi komunist i shndërronte në punëtorë krahu, pothuajse të gjithë. Ata thanin këneta, hapnin kanale, zhytur në baltë gjer në brez, ngrinin me krahë mijëra metër kub dhè, ndërtonin rrugë, pallate, ura, uzina e fabrika.

Të burgosurit politikë në Shqipëri, gjatë viteve të regjimit komunist, trajtoheshin si skllevër. Ata janë shfrytëzuar ekstremisht si forcë pune, madje edhe në kushtet kur ishin të sëmurë e të pamundur për të punuar. Ky është tashmë një fakt i vërtetuar katërcipërisht, jo vetëm përmes dëshmive të të mbijetuarve, por edhe nga një varg dokumentesh zyrtare, ku shpjegohet në detaje se si ngriheshin e më tej, si funksiononin kampet e punës së detyruar për të burgosurit dhe si shfrytëzoheshin ata për punë në frontet më të vështira, e të pamundura për t'u mbuluar nga punëtorët e lirë.

Pas publikimit të dokumenteve mbi hapjen e një kampi të ri pune për të burgosurit në Zadrimë, në fund të vitit 1955, Kujto.al sjell sot një tjetër dokument, po nga kjo periudhë, që merr shkas nga e njëjta temë dhe që zbulon në detaje, se si ngriheshin kampet e punës së detyruar, me ç’kosto dhe si bëheshin planet për të shfrytëzuar me detyrim të burgosurit si forcë pune.

Dokumenti mban datën 8 dhjetor 1955 dhe dërgohet në Kryeminsitri, nga ministri i Ndërtimit, Josif Pashko. Duke vënë në dijeni edhe ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, në këtë dokument, Josif Pashko parashtron me hollësi një plan, se si mund të shfrytëzoheshin  më mirë forcat e të burgosurve dhe se nga viti në vit, kostot për lëvizjen e të burgosurve nga një kamp te një kamp tjetër, ishin rritur shumë.

Pasi liston gjithë kostot për ngritjen e një kampi si ai i Zadrimës, por edhe i Kamzëz dhe Tiranës, të cilët do të shfrytëzoheshin për punë gjatë vitit 1956, Josif Pashko shkruan: “lidhur me karakterin e punimeve t’ona dhe për një shfrytëzim më racjonal të forcave të shihesh mundësija për të krijuar kampe më të shumta dhe me më pak njerëz mbasi kështu ato mund të shfrytëzoheshin më mirë dhe nuk do rrinin kot puntorë sikundër rrijnë sot në objektin e Kamzës ku nga 1000 veta, ne sot përdorim reth 500 për mungesë front pune nga stina e keqe, etj, sepse i tillë është karakteri i punimeve t’ona që në tremujorin e e I/rë dhe në të IV/tin mund të përdorim më pak puntorë dhe në tremujorin e II/të dhe në të III/tin më shumë”.

Përgjatë gjithë dokumentit, fakti që bie në sy, është shfrytëzimi maksimal i forcës së të burgosurve dhe ulja e kostove të ndërtimit, për të mos e rënduar buxhetin e regjimit. Më poshtë, e sjellim të plotë dokumentin e nënshkruar nga Josif Pashko, më 8 dhjetor 1955:

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

Ministrija e Ndërtimit.

Drejtorija Organizim / Kontrollit.

Nr. 929 Prot. Sekret.

Tiranë, me 8/XII/1955.

LANDA: Mbi ndërtimin e kampit të ri në Zadrimë për vitin 1956, si edhe për Kamzë dhe për Nd/jen 21 Dhjetori Tiranë.

SHOKUT GJENERAL BEQIR BALLUKU

ZAV/KRYEMINISTËR

Për njoftim:

SHOKUT GJENERAL KADRI HAZBIU

MINISTËR I P. TË MBRENDSHME

T I R A N Ë

Sikundër Jeni në dijeni, Ministrija e Ndërtimit përdorë një numër të konsiderueshëm të burgosurish në punimet e saja. Gjatë vitit 1955 ne kemi patur ttillë forca në Zadrimë, Kamzë dhe Tiranë dhe parashohim që po në këto qendra të kemi dhe për vitin e ardhëshëm mbasi punimet në këto objekte do vazhdojnë.

Në këtë rast deshim të Ju vejmë në dijeni se nga viti në vitë përdorimi i këtyre forcave është duke u bërë gjithnjë më pak i leverdisëshëm pë ndërtimin dhe i shtrejtë për ekonomin e shtetit nga fakti se kërkesat e Ministris së P. të Mbrendshme në lidhje me trajtimin e tyre dhe të forcave të Policis shoqëronjëse kanë ardhur gjithnjë duke u shtuar. Përveç fjetoreve të burgosunve për të cilët ka normativë, ne ndërtojmë brenda rethimit dhe shumë objekte të tjera si zyra, kino-theatër, robaqepësi, këpucari, berber, guzhinë, infermieri, depo plaçkash, godina centrali, etj, të cilat kapin reth 41,% të gjithë sipërfaqes që ndërtojmë mbrenda rethimit.

Për trup-rojet, gazermat, komandën, bibliothekën, depot, mensa, guzhinë, shtallat, etj, ndërtojmë jashtë rethimit një sipërfaqe prej 30,% mbi sipërfaqen totale të ndërtimeve mbrenda dhe jashtë rethimit.

Përveç sa sipër, me qenë se gjithë policët marrin me vehte edhe familjet e tyre, kushtimi i kampit ngrihet akoma sepse për strehimin e familjeve të tyre jemi të detyruar të ndërtojmë dhe një sipërfaqe tjetër prej 51,% të gjithë sipërfaqes që ndërtohet përsa u përmend më sipër mbrenda dhe jashtë rethimit.

Të gjitha këto kërkesa e bëjnë tani ndërtimin e kampeve shumë të kushtueshëm kështu që për një kamp prej 1000 vetash, nevojiten të shpenzohen reth 5.200.000 lek.

Këtu poshtë po përshkruajmë analizën komplete për ndërtimin e një kampi për 1000 veta.

a/ BARAKE PËR KAMPIN:

- Fjetore për 1000 veta .................................................................. m2     1285.

- Dhoma shërbimi (zyra, kino-theatër,

ropaqepse, këpuctari, berber, etj) ..................................................  “         576.

- Guzhinë .....................................................................................   “         105.

- Infermieri ...................................................................................  “         105.

- Depo plaçkash ............................................................................  “           70.

- Godinë centralit ..........................................................................  “           60.

Shuma m2 2201.

 

b/ P O L I C I J A:

- Trup roje 4 copë ............................................................................. m2        64.

- Gazermë policësh ...........................................................................  “        206.

- Oficer roje ......................................................................................  “          41.

- Gazermë sigurimi ...........................................................................  “        105.

- Komanda ........................................................................................  “        158.

- Bibliotheka .....................................................................................  “        104.

- Depo ..............................................................................................  “        126.

- Mencë, guzhinë, depo ....................................................................  “        100.

- Shtallë për kafshë ...........................................................................  “         18.

Shuma  m2     922.

 

c/ F A M I L J A R Ë T:

- Dhoma për 60 familje ....................................................................  m2   1500.

- D y q a n ........................................................................................   “        60.

- Magazinë ........................................................................................  “        20.

- Ë/C/ totale .....................................................................................   “        45.

 Shuma  m2   1605.

Gjithsejt si totale m2, 4728 x 1100 lek/m2. = 5.200.000.

Ne mejtojmë se Ministrija e Punvet të Mbrendshme duhet të rishqyrtojë kërkesat e saja si edhe organikat e forcave në frymën e shkurtimit të shpenzimeve të përgjithshme dhe administrative sigurisht pa dëmtuar sigurinë e nevojshme.

Sidomos e kemi fjalën për forcat improduktive të shumta që grumbullohen ndër kampet t’ona të cilat shpesh harrijnë edhe mbi 20% të forcave totale. Ne mejtojmë që shpenzimet t’ona dhe të tyret administrative rriten dhe më tepër në këtë mënyrë duke ndejur këta puntorë të smurë dhe të pa aftë nëpër kampe si p.sh. në Tiranë dhe në Zadrimë dhe do t’ishte më e leverdisëshme që këta të rrinin nëpër burgje sesa të transportohen poshtë e lart, këto dhe teshat e tyre, të sigurohen për to drutë e ushqimi dhe forcat  për ruajtjen e tyre.

Ministrija e Punvet të Mbrendshme duhet të marrë masat e nevojshme për zavendsimin e tyre në mënyrë që përqindja e të pa aftve të mos kalojë 5,%.

Duke marrë parasyesh sa më sipër, ne mejtojmë gjithashtu që lidhur me karakterin e punimeve t’ona dhe për një shfrytëzim më racjonal të forcave të shihesh mundësija për të krijuar kampe më të shumta dhe me më pak njerëz mbasi kështu ato mund të shfrytëzoheshin më mirë dhe nuk do rrinin kot puntorë sikundër rrijnë sot në objektin e Kamzës ku nga 1000 veta, ne sot përdorim reth 500 për mungesë front pune nga stina e keqe, etj, sepse i tillë është karakteri i punimeve t’ona që në tremujorin e e I/rë dhe në të IV/tin mund të përdorim më pak puntorë dhe në tremujorin e II/të dhe në të III/tin më shumë.

Përfundimisht ne kërkojmë që të vendoset ndarja e forcave të burgosurve në ndërtim për vitin 1956 dhe të mundim ne kështu të fillojmë menjiherë nga ndërtimi i kampeve.

Nevojat t’ona konkrete për vitin 1956 në forca të burgosurve janë:

1/ Për bonifikimin e Zadrimës, një forcë kostante vjetore në punë prej 700 veta. Sot në kampin e Zadrimës ndodhen mbi 1000 veta.

Për këtë propozojmë të ngrihet një kamp për 700 veta në punë në vendin që është caktuar bashkërisht me Ministrin e Punvet të Mbrendshme por në se kampi do të ndërtohet simbas kërkesave të sotshme që përmendëm më lart duke ndërtuar pranë tyre edhe barakat për strehimin e familjeve të policve ay do të kushtojë reth 3.350.000 lek. Për vajtjen në vendin e ndërtimit të kampit të ri, do të nevojitet dhe meremetimi i 3 km rrugë katundi e cila do të kushtojë reth 1.100.000 lek kështu që kushtimi total i kampit të ri do të vejë reth 4.450.000 lek shifër mjaft e naltë.

Me qenë se në kampin ekzistues sot janë ngritur banesat e familjeve të policve dhe distanca ndërmjet kampit të ri dhe kampit ekzistent nuk është më se 13 km, ne mejtojmë dhe propozojmë që familjet e policve të mbeten atje ku janë dhe ne të ngrehim vetëm kampin për të burgosurit dhe nevojat e tjera të policis që përmenden në pikat a) dhe b) duke mos ngritur ngrehinat e pikës c). Policët mund të transportohen herë mbas here në familjet e tyre me maqinë. Në këtë mënyrë kampi bëhet më pak i kushtueshëm.

Në këtë mënyrë kushtimi i kampit do të mbrinte në:

- Për ngritjen e kampit                               2.500.000 lek

- Për ndërtimin e rrugës                             1.100.000   “

Gjithsejt                                                       3.600.000 lek.

 

Kjo shifër mund të ulet edhe më, në se Ministrija e P. të Mbrendshme do të pranojë të ulin pak dhe normativat e tjera të ngrehinave që përmenden në pikat a) dhe b) të analizës sipërme.

2/

Për objektin e Kamzës na nevojitet një forcë mesatare në punë për 800 veta ndarë si vijon:

Tremuj. I/rë 500, Tremuj. II/të 1000, Trem. III 1000, trem. IV 500.

Për këtë objekt janë sot reth 1000 veta në kamp dhe janë siguruar me baraka e tjera simbas normativës ekzistente dhe policët, familjet e tyre dhe të burgosurit. Do të merren masa për sigurimin e mëtejshëm të barakave.

3/

Për ndërtesat e banimit në Tiranë (Kantjeri i Nd/jes 21 Dhjetori) na nevojitet një forcë mesatare për 300 veta në punë ndarë si vijon:

Trem. I/rë 200 veta, Trem. II/të 400, trem. III/të 400, trem. IV 200.

Për këtë objekt janë sot reth 400 veta porsa shumica e tyre improduktive. Duhet të merren masa për zavendsimin e tyre. Atje po ndërtohet për vitin 1956 kampi dhe instalimi i tyre do të bëhet në një pjesë të ndërtesave definitive ku ato po punojnë sot. Strehimi i tyre parashihet të bëhet brenda Dhjetorit 1955.

Duke marrë parasyesh se jemi afër përfundimit të vitit, është e nevojshme që kjo çështje të shqyrtohet dhe të vendoset nga ana e Juaj në mënyrë që ne të marrim masat e nevojshme sidomos përsa i përket ngritjes kampit të ri të Zadrimës ku punimet e vitit 1955 parashihet të përfundojnë shpejtë dhe rezigohet që forcat të mbeten pa punë mbasi, për ndërtimin e kampit si edhe të rrugës do të nevojiten të paktën dy muaj.

Këto janë frontet e punës më të domosdoshme për këto lloj forcash për vitin 1956 dhe front pune tjetër për vitin 1956 të përshtatëshëm për forca të tilla, kjo Ministri, nuk ka.

Mbetemi në pritje të një përfundimi sa më të shpejtë të çështjes.

M I N I S T R I.

(JOSIF PASHKo)

(vula, firma)

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here