Ndër të vetmit i cili ka një foto afërsisht me atë të revoltës, është Jorgo Spiro Papa, lindur 3.1.1941 në Tremul të Sarandës, minoritar grek. Ai u dënua dy herë, në vitet 1962 dhe 1973, duke vuajtur më pak se 27 vjet heqje lirie në vitet 1962-1989. Hyri në burg në moshën 21 vjeçare dhe doli prej andej 49 vjeç.
Dënimi i parë
U arrestua më 18.10.1962. U akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenin 10 të Kodit Penal. U përfshi në një proces së bashku me shtetasin Llazo Buba nga Leshnica e Sarandës. Të dy u orvatën të arratiseshin në “Greqinë monarko-fashiste”. Ata ishin njohur gjatë punës në hidrocentralin e Bistricës dhe ranë dakord për t’u arratisur nga vendi i quajtur “Buronjat” afër Dhrovjanit, por u kapën nga forcat kufitare dhe u arrestuan.
Gjykata Ushtarake Gjirokastër, me vendimin nr.3, datë 4.2.1963 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. Llazo Buba u dënua me 13 vjet e 4 muaj. U la në fuqi me vendimin nr.14, datë 26.2.1963 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. Gjatë kohës së vuajtjes së këtij dënimi, është realizuar edhe fotografia në Repartin nr.307 Rubik. Ajo është pjesë e një grupi të paktë fotosh, të cilat të dënuarit mundën të kenë me vete.
Ridënimi në revoltën e Spaçit
U arrestua më 23.5.1973. Ishte duke vuajtur dënimin kur mori pjesë në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. Emri i tij u përfshi në grupin e parë me 12 persona që ishte më kryesori dhe u gjykua më shpejt. U akuzua në bazë të neneve 72, 73/2 dhe 76 të Kodit Penal, për pjesëmarrje në “një organizatë kundër pushtetit popullor” që kishte synim sabotimin e ekonomisë, agjitacionin e propagandën për “minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor”. U pyet vazhdimisht se kush ishin organizatorët, por gjithnjë u përgjigj se nuk dinte gjë. Aktakuza u përgatit nga hetuesi Shaban Dani. Hetimi dhe gjykimi u bënë shpejt e shpejt në Repartin nr. 303 Spaç. Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, i përbërë nga Hilmi Telegrafi (anëtar i kësaj gjykate), Ymer Aliko, Mit’hat Goskova (të dy ndihmësgjyqtarë të kësaj gjykate), me pjesëmarrjen e prokurorit Zaim Myftari, me vendimin nr.1, datë 23.5.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Nga ky proces, Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi u dënuan me vdekje pushkatim. Të dënuar të tjerë ishin: Lush Vata, Hodo Sokoli, Syrja Lame, Dashnor Kazazi, Luan Koka, Luan Burimi, Sami Dangëllia. U lirua më 24.6.1989 nga Reparti nr.311 Qafë-Bari, me dekretin nr.7309, datë 20.6.1989 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.1 i listës).
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.