In memoriam/Kurt Kola, njeriu që vuajti 26 vite në burgjet e diktaturës

0
1878
blank
Kurt Kola u nda nga jeta më 29 janar 2022. Që në moshën 8 vjeç u rrit kampeve të internimit nga Kuçova në Berat, Tepelenë, Lushnje derisa arriti moshën 15 vjeç, kur xhelatët e diktaturës i fallsifikuan moshën për ta dënuar me burg. U dënua disa herë duke kaluar plot 26 vite të jetës së tij nëpër burgjet e diktaturës komuniste, ndërsa familja e tij vazhdonte dënimin me internim në Plug të Lushnjes.

Ishte data 10 maj 1945, kur forcat e sigurimit të shtetit u shfaqën në dyert e kullës së Bilal Kolës. Atje kishin mbetur gra e fëmijë të cilët regjimi kishte vendosur ti dënojë pa asnjë faj. Nëntë fëmijë pa baballarë, me nënat e tyre u nisën nga kulla në fshatin Macukull më 10 maj 1945 për të nisur kalvarin 45 vjeçar nën torturat e diktaturës komuniste. Kurt Kola ishte në atë kohë vetëm 8 vjeç. Ai u rrit kampeve të internimit nga Kuçova në Berat, tepelenë Lushnje deri kur arriti moshën 15 vjeç, kur xhelatët e diktaturës I fallsifikuan moshën dhe e dënuan me burg. Denimi i pare iu dha ne vitin 1952 deri ne 1962, me pas u ridenua disa here për të kaluar plot 26 vite të jetës së tij nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Ndërkohë familja e tij vazhdonte dënimin me internim në Plug të Lushnjes. Kurt Kola ka shkruar një libër me titull : “Në Shqipërinë burg”, ku përshkruan kalvarin e familjes së tij por edhe të bashkëvuajtësve të tij nëpër burgjet e diktaturës. Një prej rrëfimeve të tij më të dhimbshme i përket kampit të Tepelenës.

Kujto.al sjell për lexuesin një pjesë nga libri i tij ku përshkruan ngjarje rrënqethëse në kampin e internimit në Tepelenë.

Nga Kurt Kola

blankIshte një shesh para portës së kampit, të cilin komanda e përdori për të varrosur të vdekurit e përditshëm. Ishte goxha i madh ai shesh, që sot ka mbetur një copëz e vogël si edhe vetë kampi i gjenocidit, prej ndërtimeve private e shumëkatëshet shtetërore. Por, si kampi, edhe shesh-varreza e kanë ruajtur të freskët atmosferën e krimit, sepse sapo afrohesh, të mbërthen ndjenja e trishtimit. Fëmijë, të rritur e të moshuar i varrosnin para portës së kampit. Ata qenë të vetmit fqinj që ne kishim afër, thuajse ngjitur me kazermën e parë të kampit. Dhe këtë fqinjësi me të dashur e të vdekur, nuk e krijuan sepse mungonte vendi diku tjetër. Jo, ishte një mënyrë tjetër që nënave, motrave e vëllezërve t’u rrinte shpirti i helmuar, duke i patur para syve! Edhe kur erdhi urdhri për t’i hequr prej aty, nuk ishte qëllimi të zbusnin dhimbjen e njerëzve, ishte shumë më djallëzore se kaq…

Komanda e kampit përzgjodhi një grup të rinjsh, fizikisht të fortë, për t’u marrë me zhvarrosjen e mbi pesëqind vetëve të vdekur, në një hark kohor më pak se trevjeçar. Grupi i të rinjve përbëhej nga Daut Muzhaqi, përgjegjës i grupit, Pajazit Kaloshi, Viktor Dosti, Ndue Nika, Ali Kaso, Bush Dërguti, Seit Uka, Ali Dema, Hysen Golja, Ferit Daci, Gani Muzhaqi dhe Bam Brahimi. Policë shoqërimi të grupit të këtij “misioni”, u caktuan kapterët, Tomi e Koçi, nga efektivi i prapavijës. Së pari, bënë numërimin e varreve para portës së kampit, që, po kaq të hapeshin edhe në Bënçë, në vendin ku do të rivarroseshin.

Norma u caktua dy varre për çdo anëtar të grupit në ditë. Meqenëse toka ishte zhurishte tepër e vështirë, do të gërmohej me kazmë, kështu që, i binte të hapeshin njëzet e katër varre në ditë dhe për të gjithë varret, do të duheshin njëzet e pesë ditë. Ditën e fundit të hapjes së varreve, njëri nga anëtarët e grupit, Ali Kaso, një i ri njëzetvjeçar nga Librazhdi, u shtri në varrin që hapi dhe tha: “Ky qenka fiks për mua!”. “Pusho mor budalla!” – i bërtitën njëzëri të tjerët. “Nuk do të thotë gjë”, – ia ktheu shqetësimit të tyre Aliu.

Filloi zhvarrimi pa kurrfarë dezinfektimi, asgjë sanitare, as maskë garze te hunda e goja. Një llahtar i vërtetë! Do zhvarroseshin qindra kufoma, shumë syresh pa u dekompozuar! Familjarët, nëna kryesisht, por edhe motra apo vëllai, rrinin buzë varrit me një batanije të vjetër shtrirë, për të hedhur eshtrat ose trupin e të vdekurit. Disa qëndronin të heshtur, të mpirë e të përfshirë në marramendjen që krijon zhvarrosja e kufomave, disa të tjerë qanin, rivajtonin e bërtisnin në kupë të qiellit, kur shikonin se nga varri dilte trupi i fëmijës, ashtu siç qe varrosur para një muaji! Toka, ende e kishte ruajtur njomëzakun, pa e prekur nga grabitqarët e nëndheshëm! Nënës, me sy të rrëmbushur me lot, i dukej si i gjallë e sulej ta rrëmbente për ta shtrënguar në gjoksin e tharë nga uria, por, kur në duart e saj binte një masë akull e ftohtë, e lëshonte mbi batanije, duke e shoqëruar me britmën e dashurisë pafund!…

blank

Erë e rëndë! Atmosferë mbytëse! Varrezë e mbushur me kufoma e me njerëz! Prisnin e përcillnin njëri-tjetrin! Situatë e jashtëzakonshme! Të gjallët prisnin të vdekurit për t’i përcjellë diku tjetër! Dramë e llahtarshme, krijuar nga komunizmi i llahtarshëm!

“Vëllai im!” – tha Zefi, sapo pa kafkën boshe të hedhur mbi batanije nga Ganiu.

“Motra ime!” – bërtiti në krahun tjetër Diana, teksa Ali Kaso mblidhte eshtrat e Zanës në thellësinë e varrit. Thirreshin emrat njëri pas tjetrit. Nuk ishte apeli i mëngjesit apo i mbrëmjes, që bënte zakonshëm shkurtabiqi, kapter Selfo. Ishte apeli, në të cilin, të gjallët thërrisnin të vdekurit, që po zhvarroseshin! Ishte një përzierje çmendurie, të gjallë me të vdekur! Bëheshin monologë. Derdheshin lot. Përqafoheshin eshtra. Putheshin kafka foshnjash!…

Ndërkaq, Mara Prenga nga Shkodra, shpërtheu në të qeshura frenetike, ndërsa shihte eshtrat e tre fëmijëve të saj të hidheshin mbi batanijen e shtrirë. Ishte një çmenduri e papërshkruar, që të rrëqethte çdo qelizë të helmuar nga ajo vdekje masive, nga e para. Dhe kështu vazhdoi me ditë të tëra, tragjizmi panoramik i varrim-zhvarrimit…

Po a nuk ishte mrekulli kjo që Zoti bëri në këtë atmosferë krejtësisht të ndotur, të qelbur e helmuese, pa masa karantine?! Asnjë epidemi shfarosëse dhe as edhe një të infektuar: as nga ata që u morën me varrim-zhvarrimin, as nga familjarët që ndenjën aty gjatë gjithë kohës që u desh të bëhej zhvendosja! E kjo mrekulli u zu ngoje gjatë nga të dy palët e përfshira. Për këtë shkak, efektivi i Degës së Punëve të Brendshme, që e kishte urdhëruar vetë këtë vepër makabre, qëllimisht për përhapje epidemie, turfullonte, ndërsa të internuarit falenderuan dhe iu lutën Zotit.

blank

U zhvarrosën të gjitha kufomat dhe u rivarrosën përtej urës së lumit në Bënçë, në varrezat që ishin hapur posaçërisht. Mbeti pa kufomë vetëm një varr, që sigurisht, ishte bërë gabimisht tepër. Nuk ishte në pjesët anësore të varrezës së re, por diku afër qendrës. Kur u vëzhgua me vëmendje, varri i mbetur pa kufomë ishte pikërisht ai, në të cilin ishte shtrirë Ali Kaso, ditë më parë. Mirë që ai varr ishte hapur gabimisht, por edhe koha që nuk vdiq njeri në kampin e internimit, zgjati në një afat që kurrë s’kish ndodhur më parë…..

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here