Imzot Vinçens Prennushi/ Mbylli sytë nën tortura, duke kërkuar dritë

0
1010
blank

70 vjet nga vdekja/ Kujtimet e Arshi Pipës: “E detyruen me bajtë trupa të randë druni… e kanë rrahë ma parë me dru, mandej e kanë lidhë për kambësh e për duersh, i kanë kallë mes tyne nji dru me nji çengel në të, mandej e kanë varë drunin në nji gozhdë të madhe në murin e nevojtores së Degës së Sigurimit, tue e lanë aty deri sa i ka ra të fikët”…

Imzot Vinçens Prennushi do të kërkonte dritë edhe në çastet e fundit të jetës, në një nga birucat e Burgut të Durrësit, natën e 19 Marsit të vitit 1949. Do të mbyllte sytë duke cituar fjalët e Gëtes: “Mehr Licht – Dua dritë”. Të burgosurit bashkëvuajtës me të, që i kishin qëndruar mbi kokë deri në ato çaste, përpiqeshin t’i bënin sado pak dritë! E mandej, shpirti i tij me ato fjalë në gojë, do të fluturonte në qiell…

Sot është 70 vjetori i ndarjes nga jeta të këtij martiri, të sakrifikuar nga regjimi komunist. Ishte 64 vjeç me një jetë të mbushur plot me vepra  të vyera, si eseist, poet, dramaturg, përkthyes.

Lindi në Shkodër në 04.09.1885. Kushtet e Përjetshme i bëri në Salisburg (Austri) në 12.12.1904. U shugurua meshtar po në Salisburg, në 19.03.1908. U zgjodh Ipeshkëv i Sapës, në 27.02.1936 dhe u shugurua në Shkodër, në 19.03.1936. U transferua në selinë arqipeshkvnore të Durrësit, në 26.06.1940. U arrestua në 19.05.1947 dhe u dënua me 20 vjet burg, në 24.12.1947. Vdiq në burgun e Durrësit prej infarktit, shkaktuar prej keqtrajtimeve, torturave dhe kushteve të këqija ku jetoi, në 19.03.1949. Trupi i tij pushon në kishën e Shën Luçisë, në Durrës.

Arshi Pipa, i cili ka qenë bashkëvuajtës me Prennushin në të njëjtën qeli, shkruan: “Mbasi e burgosën, e torturuen. E detyruen me bajtë trupa të randë druni… e kanë rrahë ma parë me dru, mandej e kanë lidhë për kambësh e për duersh, i kanë kallë mes tyne nji dru me nji çengel në të, mandej e kanë varë drunin në nji gozhdë të madhe në murin e nevojtores të Degës së Sigurimit, tue e lanë aty deri sa i ka ra të fikët”.

Ngritja e kolegjit franceskan dhe kthimi në Degë të Brendshme nga Komunistët

blank

Në kohën kur Imzot Prennushi realizoi projektin e tij për lartësimin e Provincës Françeskane Shqiptare, në vitin 1930 në funksionin e Provincialit, bleu godinën, në të cilën do vendosej Kolegji Françeskan, godinë e cila në vitin 1946, do të sekuestrohej nga Shteti komunist, me urdhër direkt të Enver Hoxhës dhe do të shndërrohej në Degën e Punëve të Brendshme dhe "vendin terror" të qytetit të Shkodrës, e cila sot është shndërruar në hapësirë muzeale e njohur si “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.

Kujto.al sjell sot dokumentin e sekuestrimit të kësaj godine, me urdhër të firmosur nga Enver Hoxha.

Në këtë dokument, Hoxha urdhëron:

1)Mbylljen e gjithë instituteve shkollore të çdo natyre dhe të çdo grade të mbajtur e të drejtuar nga kleri katolik.

2) Mbylljen e dy seminareve, atë françeskan e atë Jezuit

3) Shpërndarjen e organizatave e shoqërive të ndryshme si dhe ndalimin e çdo veprimtarie të tyre.

4) Rekuizimin e gjithë pronës së këtyre shkollave dhe orendive të tjera, organizatave, institutive dhe shoqërive qoftë të luajtshme ose të paluajtshme.

5) Konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të urdhrit jezuit, me përjashtim të kishave.

6) Gjithë kjo pronë konsiderohet pronë shteti dhe marrja në dorëzim të bëhet menjëherë.

blank

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here