“I kam parë me sy arkivolet e fëmijëve” 

0
166

Kujto.al publikon dëshminë e Fetah Hamataj, i cili në vitin 1988, ka zbuluar një prej vendvarrimeve masive të kampit të Tepelenës. 

Nga Blerina Gjoka

Fetah Hamataj ka marrë me vete një karton të palosur, të cilin e shpalos dhe e palos gjatë kohës që na tregon sekretin që ka mbajtur në shpirt, për 31 vite. Hamataj punonte si usta në ndërtim në vitin 1988, kur ka zbuluar varret e fëmijëve të vdekur, në kampin e Tepelenës.

Ai ka mësuar se më 23 Gusht, në kamp, do të vijnë përfaqësues të insitucioneve e familjarë të atyre që vuajtën në këtë kamp, në fillimet e regjimit komunist (1949-1954) dhe ka ardhur të rrëfejë sekretin e tij.

“Isha duke punuar për hapjen e themeleve, se do të ndërtoheshin disa pallate në vitin 1988, kur gjeta arkivolet rrjesht (shpalos kartonin si për të treguar mënyrën si ishin vendosur). Ishin arkivole fëmijësh. Ishin shumë. Nuk e di 100, 200 a më shumë. Kishte dhe varre më të mëdha, po ato ishin gërmuar më thellë, ndërsa të fëmijëve ishin shumë cekët. U tmerrova dhe vajta i tregova drejtorit. ‘Nuk punoj aty, aty ka varre fëmijësh’- i thashë. “Ç’të duhet ty më tha, ik vazhdo punën. Por aty nuk u ndërtua më. Vetëm një godinë u bë një kat dhe e lanë ashtu.”

Vendi që na tregon Fetahu është përpara kampit, para fushës së sportit, në mes të rrugës kryesore dhe ish-kampit, që ndodhet matanë rrugës. Por nuk ka asnjë tabelë a shenjë tjetër që aty ndodhet një varrezë masive.

Sot e kësaj dite, aty ka vetëm ferra dhe kati i asaj godinës që guxuan ta bënin mbi varre, mbeti aty si dëshmi e përpjekjes së fundit të komunizmit për të shkelur mbi ata fëmijë të pafajshëm.

Ardita Repishti, përfaqësuese e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, institucioni që organizon këtë pelegrinazh me rastin 23 Gushtit, ditës europiane të të zhdukurve nga regjimet totalitare, po i merr rrëfimin. Ajo shpreson se më këtë dëshmi dhe fotot e vendit që tregon Fetahu, do të nxisë institucione të tjera që të merren me këtë punë.

Tani ka më shumë shpresë se kurrë më parë. ICMP, një organizatë ndërkombëtare për gjetjen e personave të humbur, që ka punuar në Bosnje e Kosovë më parë, ka vendosur zyrën e saj në Tiranë. Shpresa është që kjo zyrë, me mbështetjen e shtetit shqiptar, do të bëjë zhvarrimet në këtë vend dhe do të identifikojë trupat e gjetur.

“Ajo që duhet të bëni tani të gjithë ju dhe kush ka qenë në këtë kamp dhe ka varrosur një familjar të vetin këtu, është përpjekja për t’i gjetur trupat. Duhet të jepni kampionin tuaj të gjakut që të identifikohen nëpërmjet ADN-së”, - u drejtohet Repishti ish-të përndjekurve që kanë vuajtur në këtë kamp dhe familjarëve të tyre.

Fetahu shoqëron disa përfaqësues të shoqatës së ish të përndjekurve politikë për t'u treguar me saktësi vendin se ku ai i ka parë ato varre. Atje ka vetëm bar e ferra. Të rritur mbi këtë tokë që mbulon krimin komunist, ferrat mbulojnë një skenë të ngjashme me holokaustin; fëmijë që vdesin nga uria dhe sëmundjet që dergjen në harresë, që prej 70 vitesh, në pritje që dikush t’i nxjerrë në dritë.

Fetahu e mbart këtë dëshmi si amanet edhe për hir të babait të tij, Barjam Hamataj, i pushkatuar për kryengritjen e Zhabokikës.

Sipas dëshmive në kampin e Tepelenës, kanë vdekur shumë njerëz dhe në fillim të internuarit i varrosnin ata në sheshin kryesor të kampit, por më pas u urdhëruan nga policia që t’i zhvarrosnin dhe t’i varrosnin jashtë kampit. Dëshmitë deri më tani, kanë qenë për varrezën buzë lumit Vjosë që është në njërin krah të kampit. Shumë prej eshtrave, mendohet se i ka marrë rrjedha e lumit në dimër.

“Por në bregun e lumit, vijojnë të jenë akoma eshtra. Disa kohë më parë një banor i zonës nxori disa eshtra, duke gërmuar për të ndërtuar shtëpinë e tij”- tregon Repishti, e cila ka kontaktuar me ata që janë në dijeni. Por dhe aty nuk ka pasur asnjë gërmim deri tani për gjetjen dhe identifikimin e njerëzve të humbur./kujto.al

23 Gusht 2019/ Ish-Kampi i Internimit, Tepelenë

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here