Homazh për Qemal Elezin, antikomunisti që triumfoi mbi diktaturën

0
911
blank

I arrestuar në moshën 17-vjeçare, si pjesë e grupit të të rinjve antikomunistë shkodranë, për të kaluar dhjetë vite të mundimshme në burgjet e diktaturës

Ishte mesditë e ftohtë në Shkodër, më 26 janar 1945.  Një djalë i vogël, po qëndronte i drojtur te dera e burgut me një çantë në shpinë. Priste dikë që të dilte e ta merrte. Ishte Qemal Elezi, djali 11-vjeçar me atë çantë me ushqime për të atin Shaban Elezi. Një ditë më herët, polici i burgut e kishte pranuar çantën ndërsa sot ai s'po dukej në derë edhe pse djalin e kishte parë të priste atje. Qemali ishte duke pritur me shpresë se polici do të shfaqej shpejt kur dëgjoi papritmas një breshëri armësh. Krisma e pushkëve e trembi djalin e vogël. Me çantën e hedhur mbi kurriz u nis vrap drejt shtëpisë së tij. Qemali nuk e dinte se krismat e atyre armëve kishin rrëzuar përtokë të atin, Shaban Elezin. E kuptoi pak çaste më vonë kur në shtëpi nisi britma e gjyshes së tij… atë ditë Qemali e kuptoi se jeta e tij nuk do të ishtë më njësoj.

***

Prokurori komunist i orëve të para të diktaturës, Josif Pashko, kishte zbarkuar në Shkodër ato ditë janari dhe kishte nisur aksionin për ekzekutimin e burrave të këtij qyteti, blankkundërshtarë të regjimit komunist. Shaban Elezi, Palok Pikolini, Elez Hoti, Ded Shabani, Shefki HalitiPjetër Nikaj, Abdyl Bushati dhe Selim Rama, ishin të parët që u ekzekutuan mesditën e 26 janarit 1945. Historia e vrasjeve dhe burgosjeve në Shkodër sapo kishte nisur për të vazhduar për 45 vjet me radhë, duke e renditur Shkodrën krahinën më të goditur nga regjimi komunist.

Atë mesditë janari kur Shaban Elezi u vra, tre djemtë e tij, nëna dhe bashkëshortja do të nisnin rrugën e vuajtjeve të tmerrshme gjatë regjimit komunist. Regjimi do të godiste gjtihashtu edhe të vëllanë e Shaban Elezit, Smajl Elezi i cili në kohën e pushtimit fashist ishte internuar në Itali sepse kishte qenë ndër veprimtarët kundër pushtimit fashist. Me t'u kthyer në Shkodër, regjimi komunist e arrestoi pa marrë parasysh se kishte qenë ndër djemtë që kishte luftuar kundër pushtuesve. U dënua me 25 vjet burg dhe pas pak vitesh ndërroi jetë në qelitë e burgjeve komuniste.

Ndërkohë familja e Shabanit, ishte në shenjestër nga regjimi. Pas gjashtë vitesh, kur Qemali, i biri mbushi 17 vjeç, u angazhua bashkë me të rinj të tjerë shkodranë në një përpjekje kundër regjimit komunist.  Në vitin 1951, Qemali bashkë me kushërinjtë e tij, Ymer dhe Ali Elezi u arrestuan dhe u dënuan me nga 10 vite burg politik. Akuzoheshin si pjesë e grupit antikomunist të gjimnazit të Shkodrës. Pak kohë më pas, arrestohet dhe dënohet me 18 vjet burg, Ruzhdi Elezi, vëllai i Qemalit. I treti prej djemve të Shaban Elezit, ishte Shyqyri Elezi, miqtë e moshatarët e tij i thërrisnin Cyli. Ishte një ndër këngëtarët e spikatur në Shkodrën e  atyre viteve, mik i ngushtë me Gac Çunin, i cili gjithashtu u burgos e ndërroi jetë në burgun e  Burrelit. Shyqyri Elezi këndonte me kitarë nëpër dasma e gëzime familjare në Shkodër por kurrë nuk u lejua të ngjitej në skenë. Persekutimi komunist vazhdoi për 46 vjet me radhë edhe ndaj fëmijëve të Qemalit.

Qemal Elezi nuk u dorëzua kurrë por vazhdoi përpjekjet për të mbijetuar ndaj diktaturës. Në viet 90, ishte ndër të parët shkodranë që u angazhua në betejat për rrëzimin e diktaturës. Pas shpalljes së pluarlizmit, ai vazhdoi përpjekjet për ta treguar e shkruar historinë e krimeve të diktaturës. Ishte ndër themeluesit e shoqatës së ish-të përndjekurve politikë në Shkodër. Qemal Elezi, u nda nga jeta pak ditë më parë, duke lënë pas dhimbjen e familjarëve të tij bashkë me krenarinë për triumfin e këtij burri mbi diktaturën komuniste.

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here