Hodo Sokoli, në burg, i paralizuar, deri në vitin 1990

0
482
blank

Me dy dënime dhe 24 vjet, 3 muaj, 9 ditë burgim, arsimtari Hodo Isuf Sokoli u prangos 36 vjeç e doli prej andej kur ishte 60 vjeç. Kujto.al sjell historinë e njeriut që vuajti burgimin komunist nga viti 1966-1990 dhe foton nga gjyqi i tij.

Dënimi i parë

U arrestua më 4.6.1966. U akuzua me të tjerë me një varg trillimesh të rënda, në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10 (tradhti ndaj atdheut), 73/1 (agjitacion e propagandë) dhe 218/2 (moskallëzim krimi) të Kodit Penal. Konsiderohej pjesë e një “grupi” të madh prej të cilit u dënuan me vdekje Mursin Muka dhe Brahim Tepelia. Në “grup” bënin pjesë edhe Hamza Cungu, Faik Hoxha, Hafiz Sabri Koçi (më vonë kryemyfti i Shqipërisë) dhe Hajdar Meta. Pjesëtarët e “grupit” bënin pjesë në sektin Tixhani. Gjyqi ndaj këtij grupi u bë publik. Kjo për shkak të rrethanave të revolucionit kulturor kinez, i cili në Shqipëri njihej me fjalët “revolucionarizim i jetës së vendit”. Poshtërimi publik ishte tipar dallues i kësaj kohe.

Gjykata e Qarkut Shkodër me vendimin nr.34, datë 10.9.1966 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 16 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e të drejtës zgjedhore për  3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.143, datë 30.9.1966 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i dytë, ridënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit) të Kodit Penal. U përfshi në revoltën e Spaçit të 21-23 majit 1973. Hodo refuzoi të nënshkruajë akuzën e hetuesisë. Nuk i pranoi akuzat për pjesëmarrje në një organizatë kundërrevolucionare dhe të sabotimit të ekonomisë socialiste. Deklaroi se vuante nga zemra. U dënua në Spaç me grupin e parë, grup nga i cili u dënuan me vdekje Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Pal Zefi.

Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me veprim në Spaç, i përbërë nga Hilmi Telegrafi (anëtar i kësaj gjykate), Ymer  Aliko, Mit’hat Goskova (të dy ndihmësgjyqtarë të kësaj gjykate), me pjesëmarrjen e prokurorit Zaim Myftari, me vendimin nr.1, datë 23.5.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet.

Më 21.6.1990, “Amnesty International USA”, i dërgoi një peticion Ramiz Alisë ku kërkonte lirimin e tij nga burgimi. Peticioni ishte nënshkruar nga disa shtetas amerikanë duke filluar nga Sami Repishti. Në kërkesë thuhej se Hodoja vuante dënimin në Repartin nr.305 Përparim dhe ishte i paralizuar. U lirua më 15.9.1990 nga Reparti nr.305 Përparim sipas dekretit nr.7412, datë 8.9.1990 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here