Historia e Dom Shtejfnit, e pushkatuan sepse pagëzoi të sapolindurin

0
106

Në moshën 73-vjeçare Dom Shtjefën Kurti arrestohet në Kurbin dhe dënohet me pushkatim për akuzën se ka pagëzuar një fëmijë të sapolindur. Kalvari i vuajtjeve i klerikut me origjinë nga Kosova që u persekutua nga serbët, por dha shpirt në Shqipëri, i pushkatuar nga diktatura komuniste.

Historia e Dom Stjefën Kurtit është nga ata raste që kapërcen kufijtë e imagjinatës dhe u bë martiri i kohës së diktaturës komuniste, që shkoi para plumbit, sepse pagëzoi një fëmijë të sapolindur. I dha bekimin një jete, për të humbur me koshiencë jetën e tij, pasi kishte kaluar më parë në burgjet e diktaturës komuniste. Jeta e Dom Shtjefnit ishte po kaq e rëndë edhe në Kosovë, nga ku kishte prejadhjen. Dom Shtjefni lindi në Ferizaj të Kosovës me 24 dhjetor 1897, në një familje patriotike të njohur në këtë zonë. Pasi mbaroi shkollën fillore në Ferizaj, vazhdoi Seminarin Pontifik të Shkodrës. Rreth vitit 1914 mbaron shkollën e mesme dhe fiton të drejtën e vazhdimit të studimeve teologjike në Romë, duke i përfunduar me rezultate mjaft të mira dhe duke zotëruar pesë gjuhë të huaja, mes të cilave latinishten, gjermanishten dhe frëngjishten. Gjatë viteve që punoi në Kosovë, Dom Shtjefën Kurti nuk reshti së denocuari keqtrajtimet, torturat dhe dhunën e ushtruar mbi popullsisë shqiptare të Kosovës nga sistemi diktatorial serb. Materialet e mbledhura janë sistemuar dhe radhitur në formë peticione e prej tyre lindi memorandumi i tre klerikëve të shquar, drejtuar OKB-së, me 5 maj 1930, me seli në Gjenevë të Zvicrës. Ky memorandum ishte konceptuar në 6 kapituj: Mbrojtja e jetës, mbojtja e lirisë, e drejta e pronës, e drejta e përdorimit të gjuhës, e drejta e shkollimit dhe e drejta e ushtrimit të fesë për të gjithë shqiptarët pa dallim. Prandaj gazeta “Drita”, e Ferizajt, do të theksonte: “…Këta klerikë nuk do të mbesin në histori vetëm për peticionin drejtuar OKB-së në Gjenevë, por edhe për pasqyrimin e ankesave  të tjera për çeshtjen kombëtare shqiptare”.

Ndërsa po ndjente rrezikun që i kanosej nga serbët, Dom Shtjefën Kurti vendosi të arratisej, duke ardhur në Shqipëri në vitin 1930. Menjëherë fillon punën e meshtarëve, ku Dom Shtjefën Kurti fillimisht u emërtua famullitar në Shënpremte, ku qëndroi pak kohë, vetëm dy vjet. Zhvendoset në Tiranë ku u dallua për ngritjen dhe funskionimin e mjaft rretheve kulturore dhe artistike, letrare, teatrore dhe fetare, të cilat kishin si qëllim edukimin fetar dhe atdhetar të masës. Por kalvari i vuajtjeve të tmerrshme për klerikun katolik nisën në vitin 1946, pas ardhjes në pushtet të komunistëve, të cilët shtrinë diktaturën nën diktatin e dhunës. Më 27 tetor 1946, pas rrethimit të famullisë, forcat e Sigurimit të Shtetit e arrestojnë me akuzën: “Bashkëpunëtor i organizatës terroriste të Sami Qeribashit dhe agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”.

Ky arrestim erdhi si rezultat i mospranimit të një thirrjeje të bërë nga diktatori Enver Hoxha, që Dom Shtjefni të merrte në dorë drejtimin e fesë katolike dhe ortodokse në Shqipëri, me kusht që të hiqte dorë nga lidhjet me Vatikanin. Refuzimi i Dom Shtjefnit ishte kategorik, ai u tha: “Unë nuk mundem me tradhtue idealin tim, siç keni tradhtu ju Kosovën, dhe tani doni me i shit Titos Shqipërinë”. Në moshën 50-vjeçare detyrohet të provojë qelitë e ftohta të burgut. Fillimisht për të shfryrë urrejtjen ndaj tij, pushtetarët komunistë e dënuan me vdekje, por në sallën e gjyqit ai deklaroi: “Nuk i kam shërbyer askujt, vetëm Zotit dhe idealit tim, që kur kam veshur veladonin”. Dënimi iu kthye në 25 vjet burg. U transferua në burgun e Burrelit. Hetuesit mizorë i bënin tortura nga më të ndryshmet, vetëm që të përkulej, por atij i jepte fuqi Zoti, prandaj morali i tij në çdo moment ishte i lartë. Pas 17 viteve privim lirie, në nëntor të vitit 1963, largohet nga qelitë e burgut, për t’u ndjerë përkohësisht i lirë. Fillimisht shkoi në famullinë e Tiranës, ku ndenji pak kohë me Don Mark Dushin, pastaj u kthye përsëri në kishën e Gurëzit. Goditjen e madhe në shpirt Dom Shtejfni e mori në vitin 1967, kur feja u shpall antiligjore dhe objektet e kultit u mbyllën. Për një klerik që gjithë jetën ia kishte kushtuar besimtarëve krijohej mundësia për të shërbyer ende. Por sigurimi i shtetit ishte afër, ai e ndiqte dhe e survejonte ne çdo lëvizje dhe pikërisht sepse pagëzoi fshehtas një fëmijë e arrestojnë për herë të dytë në moceen 73 vjeçare.

Në qershor të vitit 1970, Dom Shtjefën Kurti detyrohet t’u kthehet qelive të burgut. Arrestohet në fshatin Gurëz, të Kurbinit, me akuzën qesharake: “Ka kryer shërbime fetare dhe ka pagëzuar një fëmijë”. Detyrohet t’u nënshtrohet tortura çnjerëzore, kësaj radhe në moshë të thyer. Madje u ngrit edhe hipoteza e ekzistencën së një grupi armiqësor që po “sabotonte” ekonominë bujqësore, duke i shërbyer kështu Beogradit. Përveç Shtjefën Kurtit, në grupin “armiqësor” bënin pjesë edhe mjaft të tjerë, bij nga më të mirët, më të urtit e Gurëzit. Pasi denigrohen plotësisht, nxirren në gjyq, me dt. 30 korrik 1971, dhe trupi gjykues, duke improvizuar dëshmitarë të rremë arriti të japë dënime absurde dhe anikushtetuese. Njeriu i madh don Shtjefën Kurti u dënua me vdekje-pushkatim, Bardhok Marku, 18 vjet burg, Fran Ndoci, 14 vjet burg për sabotim në ekonomi, Pjetër Biba 14 vjet burg, Agustin Preçi – mësues, 13 vjet burg, për propagandë tek nxënësit kundër pushtetit popullor, Zef Nishi 12 vjet burg dhe Ndue Leti 10 vjet burg. Kleriku i njohur u pushkatua në moshën 73-vjeçare me akuzën se kishte pagëzuar një fëmijë të sapoardhur në jetë. Në këtë mënyrë shkoi para togës së opushkatimit Dom Shtjefni, i bindur se vdekja e tij ia vlejti, pikërisht për fëmijën që kishte pagëzuar.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here