Gëzim Mahmut Çela, i burgosuri politik që vizatoi kampet e diktaturës

0
273
blank

Ndërroi jetë më 22.7.2024 në Durrës, në moshën 89 vjeçare, Gëzim Mahmut Çela, tri herë i dënuar politik me një vuajtje në tërësi prej 20 vjet, 2 muaj, 28 ditësh në vitet 1957-1964 dhe 1971-1984. Në vitet 1970-1971 u internua për motive politike në Manzë të Durrësit. U burgos 22 vjeç dhe doli prej andej kur ishte 59 vjeç. Po ashtu ai ishte një ndër të dënuarit e revoltës së Spaçit të vitit 1973. Duke qenë i biri i një ish-ushtaraku, ish-prefekti e ish-drejtuesi i shërbimit sekret shqiptar, i cili u largua nga Shqipëria pas vitit 1944, mbi Gëzimin ra gjithë hakmarrja e regjimit. Para dhe pas burgosjes ai punoi si piktor e marangoz. Duke iu dhënë dora për pikturë arriti të sjellë skicat e kampit të Rinasit, për të cilin nuk kishte asnjë lloj përfytyrimi se si kishte qenë. Kujtimet e tij, Gëzimi i hodhi në libra dhe kurrë nuk pushoi të ndihmojë procesin e kujtesës.

 

Dënimi i parë

U arrestua më 1.10.1957. U akuzua në bazë të nenit 64 dhe më vonë edhe 103 të Kodit Penal.

Më 1.10.1957, iu drejtua kufirit së bashku me shtetasit Gjon  Shllaku (68 vjeç) dhe djalin e tij, Luigj Gjon Shllaku. Gjoni u vra nga kufitarët, ndërsa dy të rinjtë shpëtuan nga fati vetëm se kufitarit iu bllokua arma. Në hetuesi, Gëzimi shpjegoi se ishte trajtuar keq nga pushteti, refuzuar shkollimi, se komiteti i rinisë udhëzonte të rinjtë të mos takoheshin me të, etj., e për këtë qëllim donte të shkonte te babai në Kanada. Gjykata Ushtarake Tiranë me veprim në Shkodër, me vendimin nr.180, datë 27.12.1957, e deklaroi Gëzimin dhe e dënoi me 16 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë (përfshi 87 monedhat e floririt që kishte me vete) dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Në bazë të një dekreti amnistie, vendimi iu kthye në 12 vjet heqje lirie. U la në fuqi nga Këshilli Gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.4, datë 29.1.1958. U lirua më 15.4.1964 nga Reparti nr.309 Laç.

 

Dënimi i dytë

U arrestua më 8.1.1971. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. U kallëzua se dëgjonte radiot e huaja, italiane dhe “Zërin e Amerikës”. Pasi ky kallëzim ishte rezervë, më 10 dhe 15 tetor 1970 u përfshinë dy kallëzime të tjera në dosje nga ata që e njihnin Gëzimin në Manzë, një i internuar dhe një teknik. Hetuesi e pyet çfarë gjuhësh të huaja dinte, çka nënkupton se kjo ishte një pjesë e rëndësishme e goditjes së tij. Menjëherë Gëzimi deklaroi se nuk e pranonte akuzën dhe se nga gjuhët kish mësuar vetë italishten e frëngjishten.

Në aktakuzë, pas origjinës, përmendej se Gëzimi kish thënë se në Itali bëhej qejf, se në vendet perëndimore njeriu vinte pasuri, se në Shqipëri nuk kishte nisma private, se në Shqipëri njerëzit lodheshin e nuk pushonin, se kish treguar një foto të babait të tij dalë në lokalin e tij në Kanada, etj.. Gjykimi u kthye më 13.5.1971 nga gjykata sepse nuk ishte bërë i plotë. Gjykata e Rrethit Durrës, me vendimin nr.67, datë 12.7.1971, e deklaroi fajtor për agjitacion e propagandë për minimin e pushtetit dhe e dënoi me 8 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.729, datë 20.8.1971 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.

 

Dënimi i tretë, ridënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973 kur u ridënua për pjesëmarrje në revoltën e Spaçit më 21-23 maj 1973. U akuzua në bazë të neneve 72 (sabotimi), 73/2 (agjitacioni me pasoja të rënda), 76 (pjesëmarrja në organizatë kundër pushtetit), të Kodit Penal. U përfshi në grupin ku ishin edhe 14 të dënuar të tjerë: Sali Çuni, Bebi Konomi, Rexhep Lazri, Kostandin Papa, Shefqet Gjana, Ulusi Pashollari, Fatmir Llagami, Nuri Stepa, Bashkim Fishta, Agron Xhelili, Niazi Bylykbashi, Sherif Allamani, Marash Gjon, Refik Beqo. Gjykata Popullore Mirditë, me vendimin nr.34, datë 13.7.1973, e deklaroi fajtor dhe në bashkim të dënimeve e dënoi me 12 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.1301, datë 8.9.1973 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. U lirua më 26.9.1984 nga Reparti nr.302 Zejmen.

 

 

Në foto Gëzim Çela për herë të fundit në Spaç, 21 maj 2023

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here