Florian Borshi: Kontributi im, një detyrë që të mos harrohen krimet e komunizmit

0
369

Fondacioni Kujto.al falenderon zotin Florian Borshi, mbështetës i misionit tonë për krijimin e arkivës online të viktimave dhe krimeve të komunizmit.

Z.Borshi ka kontribuar me shumën 1000 euro për realizimin e dokumentarit “Kryet Nalt” kushtuar figurës së Haviz Ali Krajës, një klerik i persekutuar nga regjimi komunist.

Ai beson se publikimi i dëshmive personale dhe historive të viktimave të komunizmit është një mision i rëndësishëm pasi komunizmi i trajtonte të persekutuarit si një “turmë”.

Ai tregon arsyet pse kontribuoi financiarisht për realizimin e këtij projekti.

Borshi shprehet se: “Në respekt të punës suaj misionare, të cilën duhet ta çmojë çdokush që ka patur fatin e keq t'i përkasë shtresës së persekutuarve e sidomos të afërm të viktimave, kam menduar që një kontribut sado modest është një detyrim që të gjithë ne kemi ndaj shpirtrave të humbur në mënyrën më kriminale që ekziston. Edhe nëse ndonjë ditë do të falen këto krime të paktën të mos harrohen.

Misioni i Kujto.al më ka tërhequr vëmendjen si një aktivitet me shumë rëndësi për zbardhjen e krimeve gjatë regjimit në mënyrë të veçantë, ku përmes shembujve individualë të viktimave të krijojnë një pamje reale të mënyrave çnjerëzore të përdoruna nga kriminelët me pushtet, por me një kompleks iferioriteti ndaj intelektit dhe patriotizmit.

Viktimat e komunizmit janë të shumtë dhe secili ka veçantinë në mënyrën e vuajtjes së dënimit, por që kriminelët komunistë dhe trashëgimtarët e tyre duan t'i trajtojnë si një "tufë" e groposur "gabimisht" nga rregjimi dhe që askush nuk merr përgjegjësi dhe kerkon falje...”

Në gjakun e Florian Borshit, rrjedhin genet e njerëzve të guximshëm, nga ata të parët që i thanë “jo” instalimit të diktaturës komuniste në Shqipëri.

Gjyshi i tij është Shyqyri Borshi, ish-ushtarak dhe drejtor i përgjithshëm i policisë shqiptare në vitet 1942-1943, i ekzekutuar me vendim të "gjyqit special" në Prill 1945, kur komunistët pa ardhur akoma në pushtet, vranë klasën intelektuale. Nga nëna, ai është nip i Qemal Draçinit (daja i tij), artist disident i masakruar në burgjet komuniste, në vitin 1947.

“Gjenetikisht si trashëgimtar i Shyqyri Borshit e Qemal Draçinit, lufta e klasave ka qenë dhe vazhdon të jetë diktuesi i fatit tonë. Personalisht i kthyer nga emigracioni në 1994-ën, me shpresë se në Shqipëri po frynte një "erë e re", jam përballur me të njëjtën situatë që kisha lënë pas në vitin 1990. Në çdo aspekt, ka qenë prezente ndjesia e të qenurit "i persekutuar" e sidomos në terrenin e biznesit ku u futa dhe mbërrita pa asnjë përkrahje, madje edhe i sulmuar, por me shumë sakrifica munda të mbijetoj”, shprehet Borshi.

Fondacioni Kujto.al, një projekt i themeluar dhe financuar nga zoti Agron Shehaj, biznesmen dhe politikan, mirëpret kontributin e të gjithëve për të vijuar këtë mision, në punën tonë për mbledhjen e dëshmive të viktimave të komunizmit, në krijimin e profileve të të gjithë atyre që vuajtën në atë regjim, realizimin e dokumentarëve për ngjarje dhe personazhe që kanë shenjuar këtë periudhë. /kujto.al

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here