Dukagjini n'flakë

0
278
blank

Raport i Ndreko Rinos për spastrimet në Dukagjin/ “...Raport mbi operacionit që është bërë në Komunën e Shalës prej forcave të Brigatës XXIV. Forcat e kësaj Brigade filluan nga veprimi në Komunën e Shalës duke kërkuar nga këshilli armët; mbasi nuk pat rezultate të mira në këtë mënyrë, nuk ipnin armët atëherë u detyruam të përdorim aty ktu drurin, me anën e të cilit qitëm mjaft armë, aqë sa skishim për të qitur kurrë me të mirë. Çarmatimi i Shalës pothuajse është bërë i gjithë, janë mbledhur 462 pushkë nesër na vijnë edhe disa nga Thethi...”

Ky raport i datës 22 shkurt 1945, zbulon në detaje dhunën e ushtruar në gjithë Malësinë e Dukagjinit, prej brigadave partizane. Pasi i kishin çarmatosur shtëpi më shtëpi gjithë familjet e Dukagjinit, komunistët kishin nisur vrasjet, arrestimet dhe torturat, plaçkitjet dhe djegiet e shtëpive.

Ndreko Rino, në këtë raport të brigadës 24, shkruan se: “Në çarmatimin që iu bë popullit, disa fshatarë, mohonin se kishin armë edhe mbasi rifeshin me dru, nga ana tjetër shanin keq pushtetin dhe ushtrin t’onë pastaj kur u gjend arma u veprua simbas Urdhërit t’Operacionit d. m. th. u pushkatuan. Të pushkatuarit janë: Lulash Sokoli nga Nicaj, Marash Gjeloshi nga Gimaj dhe Lulash Shytani nga Gimaj...”.

Më tej Ndreko Rino tregon për mobilizimet e shumta me forcë, kërcënimet ndaj të arratisurve të cilëve ju kishin djegur shtëpitë e sekuestruar mallin dhe  për arrestimet e shumta, mbi 30 vetë vetëm në komunën e Shalës. Ja raporti i plotë mbi krimet në Dukagjin:

Komanda e Operacjonit

Dukagjin

vdekje fashizmit

liri e popullit

Dukagjin 22/2/1945

komandës së operacionit

sh k o d ë r

Po ju paraqesim raportin mbi operacionit që është bërë në Komunën e Shalës prej forcave të Brigatës XXIV. Forcat e kësaj Brigate filluan nga veprimi në Komunën e Shalës duke kërkuar nga këshilli armët; mbasi nuk pat rezultate të mira në këtë mënyrë, nuk ipnin armët atëherë u detyruam të përdorim aty ktu drurin, me anën e të cilit qitëm mjaftë armë, aqë sa skishim për të qitur kurrë me të mirë. Çarmatimi i Shalës pothuajse është bërë i gjithë, janë mbledhur 462 pushkë nesër na vijnë edhe disa nga Thethi. Nga 462 armët III (njiqintë njimëdhjetë) i mbajti Brigata pse i mungonin dhe 351 janë nisur për në Shkodër (nga këto 103 u janë dhënë vullnetarve të mobilizuar që vijnë bashk me armët). Gjithashtu janë zënë 4 (katër[)] arka me municion, pushkë Italije duke patur çdo arkë 1800 fyshekë. Janë kapur afro 5000 fyshekë llojlloj nga të cilët 2500 fyshekë i ka mbajtur Brigata. Janë zënë 12 revole (Karadaklije të vjetra 9, nji nagant dhe nji (1) karabinierë e nji gjashtshe asht mbajtur prej Brigatës), janë kap 15 gjordan fyshekësh.

Paralelisht me çarmatimin është bërë dhe mobilizimi, edhe këtu hasën pengesa të mëdha u mobilizuan 229 veta, nga të cilët 116 u dërguan për në Shkodër dhe të tjerët nji sasi mbajti Brigata e disa në Komandat e vendit.

Mbi riorganizimin: Shokët spastruan këshillat e vjetra duke vendosur në pjesën më të madhe kshilltar të rinj, u janë mbajtur Konferenca ashtu siç shpjegonte Urdhëri i Operacionit të Gjeneral Major Mehmet Shehut.

Opinioni i Popullit: - Nga lista qi na ka dhanë Komanda e RRethit kostatohet se nji pjesë fare e vogël ka qenë me L. N. CL kurse shumica ka qenë me reaksionin dhe reaksionarët kanë akoma baza në Dukagjin. Ky popull ësht pothuajse dallaveraxhi, nuk e ka kuptuar mirë Lëvizjen t’onë, Ushtrin t’onë, Pushtetin t’onë, janë njerëz të dhanun shum mbas lekut; me gjith’at me punën t’onë do të rregullohen, kur filloi Operacioni në fillim u friksuan, nga masat që muarëm për të qitur armët, dhe në çdo çasht si konferenca që mbajshin shokët ashtu dhe në komand kur paraqiteshin u skjaronte mirë ky operacion se bëhesh për të zhdukur reaksionarët, dhe për rahatin e për të mirën e popullit. Në përgjithësi partizanët mirë janë sjellur me popullin, përveç nji toge (të Bataljonit IV. ) që u suallnë si bazhibuzukët. Morali i shokvet qëndron mirë me gjithë vojtjet (të ftohtit dhe pak ushqim).

Në çarmatimin që iu bë popullit, disa fshatarë, mohonin se kishin armë edhe mbasi rifeshin me dru, nga ana tjetër shanin keq pushtetin dhe ushtrin t’onë pastaj kur u gjend arma u veprua simbas Urdhërit t’Operacionit d. m. th. u pushkatuan. Të pushkatuarit janë:

Gjithashtu u muarën masa edhe për t’arratisurit të cilve u dha nji afat dhe nuk u kthyen, këtyre iu dogj shtëpija si dhe i u sekuestrue malli.

Shtëpit e djegura:

  • Të Zef Nikës nga katundi Nicaj
  • Të Pjetër Micit nga katundi Nicaj
  • Të Ndue Kolës nga katundi Lekaj.

Malli i sekuestruar:

  • Të Zef Nikës... nji lopë, dy (2) mëzat, 4 dhi, 2 keca, 300 kg misër.
  • Pjetër Micit... nji (1) lopë, 2 dhen, 3 dhi.
  • Mark Sadikut... 9 dhi, 3 lopë e viça, nji (1) ka, nji (1) dash.

Me anën e Këshillit u shpërnda familjeve të vobekta 300 kg misër të sekuestruar. Ushqimi tjetër u mbajt për forcat.

blankArrestimet: - Në Komunën e Shalës janë arestuar gjithsej 30 (tridhjetë) veta, reaksionarë të ndryshëm; shumica nga këto i përfshinte lista e informatave dhe janë përcjellë me akuzat. Deri tashti janë dërguar aty 12 t’arrestuar me akuzat komplet. Mark Delis nga Lotaj (Shalë) t’i shtohet edhe kjo akuzë: Ka marë direktiva nga majori Englez Nill që të punojë edhe mbasi Shqipërija të jetë në dorë të parizanve. Dyshohet shumë si agjent i Reaksionit Ndërkombëtar. – Do të përcjellim edhe 21 të tjerë nga të cilët disa nuk i kanë dërguar akoma akuzat.

Komandat e vendeve: Në Komunën e Shalës deri diku janë spastruar nga elementa që skryenin shërbimin [ushtarak]; por kta përgjegjsa të vendit sa do të mirë që të jenë kanë traditat që nuk i lenë e punojnë ashtu siç duhet, p. sh. kanë Besën, që ësht nji vyrtyt i mirë porse njikohësisht përfiton dhe reaksionari, kanë miqsin që shpesh sjell pengesë në detyrë. Mbas mendimit t’onë do t’kishte më mirë që në Dukagjin të vinin nji pjesë e përgjegjsave prej ushtris ose prej krahinave të tjera.

Brigata XXIV, tashti ka nisë veprimet në Komunën e Pultit.

Brigata XI. s’ka mbaruar akoma operacionin në Komunën Shllak.

Kemi dërguar fjalë që Bajraktari i Shalës dhe ay i Shoshit të dorëzohen pa kondita si dhe Mark Sadikut.

Komandanti operacionit Dukagjin

Major

(Ndreko Rino)

(Firma)

P.S. U dorëzua Bajraktari i Shalës (Kol Nou)/Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here