Dokumenti i Sigurimit: Ish-klerikët dhe besimtarët reaksionarë në Korçë

0
166
blank

Klerikët kanë qenë gjithnjë në qendër të veprimtarisë së organeve të Sigurimit të Shtetit. Deri në vitin 1967 në vrojtim ishte kleri, ndërsa pas këtij viti dhe deri në fund, këta kategorizoheshin si “ish kleri”. Një degë në Drejtorinë e Parë të Sigurimit të Shtetit, trajtonte edhe çështjet e klerit si para dhe pas vitit 1967, kryesisht në degën e kundërspiunazhit. Goditja e madhe e klerit në vitin kur u mbyllën kisha dhe xhami, nuk e ndaloi përpunimin agjenturial ndaj klerikëve dhe besimtarëve. Ata u trajtuan gjithnjë nga dega përkatëse dhe seksionet e Sigurimit të Shtetit në Degët e Punëve të Brendshme në rrethe. Në të gjitha rrethet, ish-klerikët dhe besimtarë të dyshuar ishin të regjistruar në radhët e kontingjenteve armike.

Sipas shkresës nr.1027, datë 29.6.1981 të Degës së Punëve të Brendshme Korçë, analizohej veprimtaria e “ish klerit reaksionar” dhe “besimtarëve reaksionarë”, duke kërkuar marrjen e masave për të zbuluar e goditur këtë veprimtari.

Dikur në Korçë kishte pasur 356 institucione fetare, kisha, xhami, teqe, tyrbe me gjithsej 182 hoxhallarë, priftërinj, baballarë e dervishlerë. Veprimtaria në vitet 1908-1933 e ungjillorëve të Kenedit dhe vijimin me Xheksin, konsiderohej si veprimtari e “zbulimit amerikan”. Ishin përllogaritur me ungjillorët implikimi i 54 personave, prej të cilëve rronin 19 persona, prej të cilëve 7 ishin kontingjentë dhe 5 në kontroll operativ 2B.

Për klerin ortodoks përmendeshin emrat e klerikëve Stavri Kanxheri, Kosta Ballamaçi, Simon Tytymçe dhe “ish besimtari Gaqo Goreni”, i goditur në vitin 1978. Procesi i tij referohej se kishte vërtetuar se “besimtarët reaksionarë kanë qenë dhe mbeten armiqtë më konsekuentë të partisë e të pushtetit popullor”. Për këtë citohej të kishte thënë:

“Nuk kam qenë dakord me masën që mori për heqjen e gjithë institucioneve fetare. Kjo ma shtoi akoma më shumë urrejtjen që kisha për pushtetin popullor dhe kam pritur nga dita në ditë të ndryshohej ky sistem. Këtë gjë e kam pritur me padurim dhe pasi këtu të ndodhte kataklizmoja unë me materialet fetare që kisha fshehur në tavanin e shtëpisë (rrobat e priftit komplet, 112 ikona, 2 thasë me qirinj e temjan)”.

Për ta bërë sa më “armiqësor” këtë person, i kanë shtuar se ishte përgatitur për të hedhur në erë depon e armëve të fshatit për interes të ushtrisë greke.

Gaqo Tushi Goreni ishte arrestuar më 22.8.1978. Gjykata e rrethit Korçë, me vendimin nr.11, datë 17.5.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 17 vjet heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.44, datë 6.2.1979. U lirua më 16.10.1987.

Për klerin mysliman thuhej se një pjesë i kish shërbyer Ballit Kombëtar. Aktiviteti i tyre vlerësohej i shtrirë shumë në fshatrat e Korçës. 4 ishin te kontingjentet dhe 2 në kontroll operativ 2B.

Organet e Sigurimit të Shtetit i vinin detyra vetes:

-Së pari evidencimi i plotë i kontingjenteve armike me të kaluar e qëndrim të dyshimtë. Në dy vitet e fundit ishin evidencuar 2 në 2B dhe 2 kontingjente.

-Së dyti rritja e kontaktit me veprimtarinë armiqësore duke tërhequr bashkëpunëtorë për të kontrolluar më mirë.

-Së treti kërkohej koordinimi i mirë i sektorëve.

-Së katërti rritja e cilësisë e perfeksioni i informacionit që i dërgohej partisë.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here