Dil nga rreshti... je armike e popullit!

0
1615
blank

Historia prekëse e vajzës 13-vjeçare që u përjashtua nga fotografia e klasës… mbesa e gjeneralit madhor që kish luftuar për trojet shqiptare, por dikatura e kishte shpallur armik

Nga Bamir Bebeziqi

Para disa ditësh më vjen në inbox një mesazh i çuditshëm. Më vjen nga një grua të cilën nuk e njihja. Kishte lexuar shkrimin tim të vjetër, “Hashurja dhe fletërrufeja” e më pas më kishte nisur mesazhin. E kam si zakon, përpara se të pranoj një mesazh përpiqem të njoh mesazhprurësin, të shikoj fotot apo ndonjë informacion të mundshëm, të paktën të di me kë kam të bëj, me person të vërtetë apo te rremë.

Nga sa lexova, qe një grua në mes të gjashtëdhjetave, dukej shume e paraqitshme e në disa foto të shumë viteve më parë, kuptohej se kishte qenë një vajzë e bukur. Në mesazh, më kishte nisur foton e një vajze vetëm 13-14 vjeçare, veshur me një fustan basme, ulur te shkallët e një shkolle diku në Durrës. Fotoja tregonte një vajzë të vrarë shpirtërisht e nuk vërehej ndonjë shenjë buzëqeshjeje.

Poshtë fotos, gruaja e panjohur më tregon edhe historinë e saj. Kur kishte qenë në klasë të tetë dhe e gjithë klasa ishte mbledhur për të bërë foton e fundvitit, drejtoresha e shkollës kishte shkuar dhe me ceremoni e kishte hequr atë nga rreshti.

“Ti nuk duhet të dalësh në foto me klasën, pasi ti je “Armike e popullit”. Vajza, e cila nuk mundej të mbante lotët, qe larguar e kishte qëndruar në një cep të oborrit. Fotografi qe prekur shumë nga skena dhe pasi të gjithë kishin ikur, i ishte afruar vajzës duke ju lutur t’i bënte një foto. Pikërisht atë foto, ajo grua më dërgon mua në inbox.

Nuk besoj se ka ndonjë vajzë apo djalë 13-14 vjeçar, qe do të pëlqente të ishte në vend të saj. Më pas, ajo grua më flet për arsyen e të qenurit “Armike e Popullit”. Në atë kohë i kishin vendosur një fletërrufe në mes të Durresit, fletërrufe që kishte qendruar për më shumë se një muaj, përpara ish-Bashkimeve Profesionale. Në të qe përmendur emri i saj me damkën e rëndë nga pas.

Pas asaj fletërrufeje, të gjithë njerëzit kishin filluar t’i largoheshin, në lagje, në klasë e kudo, sikur të kishte ndonjë sëmundje të tmerrshme ngjitëse. Damka e fletërrufese e kishte ndjekur edhe në gjimnaz dhe në vitin e parë donin ta përjashtonin nga shkolla, por nje mësues, ishte ngritur dhe e kishte mbrojtur.

“Çfarë po bëni? - kishte thënë- është vetëm një fëmijë.” Përfundimi... mësuesi pushohet nga puna dhe detyrohet të punojë në punë të rëndë e pas pak vitesh, sëmuret dhe vdes. Vajzën me gjithë familje e internojnë e pas shumë vuajtjesh, familja kthehet përsëri në Durrës, por vajza ndërkohë ishte rritur.

Punoi disa vite si punëtore, diku në një ndërmarrje të Shkozetit deri në vitin 1990 e më pas largohet përfundimisht nga Durrësi dhe sot ka gjetur fatin e saj diku jashtë. Nga mesazhi, mora vesh edhe arsyen e fletërrufesë dhe persekutimit të saj.

Gjatë një ore mësimi, i kishte treguar shoqes së bankës një foto të gjyshit të saj, veshur si ushtarak madhor, në kohën e Mbretërisë. Ajo foto e kishte ndjekur vajzën nga pas për shumë vite. E përse? Sepse, gjyshi i saj kishte vdekur në burg në vitin 1949. Ai qe dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1946, megjithëse kishte qenë patriot e kishte luftuar kundër fqinjit tonë verior, ne fillimvitet e shekullit të shkuar. E mjaftueshme për t’u quajtur “Armik i popullit”, në kohën, kur kryeudhëheqesit Tito i thureshin këngë dhe lavde në atdheun tonë.

E bëra këtë shkrim sot edhe për një arsye tjetër. Para disa ditësh, një poet i dëgjuar, në një intervistë në TV, shprehet se në atë kohe justifikohej burgosja, pasi kishim shtetin e “Diktaturës së proletariatit” dhe pa zor thotë se në Shqipëri nuk kanë qenë më shumë se 1% e popullsisë të burgosur politikë. Këtu keni gabuar poet, se ata 1% kishin edhe familje. Zonja, e cila më solli mesazhin në inbox, ishte “Armike e Popullit”, vetëm 13 vjeç.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here