Dëshmia/ Urim Elezi: Humba dritën e syve nga torturat në burgun e Burrelit

0
1450
blank
Urim Elezi, para dhe pas lirimit nga burgu, ku qëndroi për 26 vite

Urim Elezi është një nga të mbijetuarit e krimeve komuniste dhe një nga dëshmitarët e asaj kohe, që nëpërmjet vuajtjeve, tregon më së miri fytyrën e vërtetë të diktaturës. Me kujtimet e torturës, frikës, dëshpërimit, të mohimit të së drejtës dhe humbjes së arsyes, dëshmon mbi egërsinë që ndodhte brenda mureve të burgut. Ai ka lindur në vitin 1943, në Floq të qytetit të Korçës dhe origjina e tij është nga Elezët e Tropojës. Në moshën 18-vjeçare, ka kryer shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nën/oficer. Kalvari i vuajtjeve të tij fillon që në moshën 21-vjeçare, si pasojë e tentativës për t’u arratisur nga Shqipëria diktatoriale. Urim Elezi ka përjetuar sistemin e përndjekjes që në vitin 1963, duke u dënuar me 26 vjet burg. Ai ka kaluar nëpër burgjet komuniste, derisa përfundoi në burgun e Burrelit, ku përjetoi tortura nga më çnjerëzoret, të cilat do të shkaktonin edhe humbjen e shikimit, duke e dënuar përjetësisht. Sot ai është 76 vjeç dhe po vuan akoma pasojat e atij regjimi, i cili e ka kryqëzuar në verbim për gjithë jetën...

Dëshmi e plotë dhënë për Kujto.al, intervistoi: Najada Pendavinji

Elezi, cila është arsyeja e arrestimit tuaj?

Sistemi komunist ishte ngritur në mënyrë të atillë që çdo gjë që dëmtonte dhe prekte sado pak shtetin do të përjetonte hakmarrjen komuniste, e cila ishte e pamëshirshme. Kështu ndodhi edhe me mua. Në moshën 21-vjeçare mendova se jeta në Shqipërinë komuniste nuk mund të ndërtohej lirshëm. Sidomos pas vitit 1961 kur edhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e demokracive popullore filluan që të mos funksiononin. Vendi ynë po zhytej në varfëri dhe po shkonte drejt izolimit, ku e vetmja rrugë shpëtimi ishte arratisja nëpërmjet kufirit. Pra, arsyeja e arrestimit tim ishte tentativë për arratisje jashtë shtetit, e mbetur në fazën e tentativës.

Si ishte dita e arratisjes? Kishit kohë që e mendonit?

blankKisha dëgjuar që më përpara histori që flisnin për bashkëfashatarët e mi që arratiseshin dhe iknin nga sytë-këmbët nga Shqipëria komuniste. Unë gjatë asaj kohe kam qenë nën-oficer në repartin ushtarak të Gjirokastrës së bashku me shokun tim Hekuran Shyti, i cili ishte gardist i komandës Bulgasë. Kemi qëndruar gati 2 vjet në ushtri ku situata atje na u bë shumë e mërzitshme dhe e padurueshme, gjella dhe ushqimi në repart ishte tejet mizerje, rrobat na i bënin me arna. Dhe si pasojë pas shumë bisedimesh ku kryefjala ishte “këtu nuk rrohet”, me Hekuran Shytin vendosëm të arratiseshim, ku destinacioni ishte në Amerikë, unë te daja im Alizoti, ai tek dajoja i tij. E kishim menduar që do shkonim për vetëm 11-12 vjet për të punuar atje dhe do ktheheshim për t’u martuar këtu. Hekurani këtë gjë e kishte biseduar edhe me një shokun e tij Bexhetin e dy të tjerë nga Korça, që s’ua mbaj mend emrin. U përpoqëm të arratiseshim që nga reparti, por nuk gjetëm mundësi të iknim të dy, pasi unë isha në togën e shtabit të artilerisë topograf, ndërsa ai ishte në ndërlidhje dhe gjithashtu ishim të rrethuar nga shumë ushtarë, oficerë e nënoficerë. Hë sot, hë nesër, dolën pengesa, Hekurani lirohet një vit para meje, 1962. Mirëpo kur ai iku, lamë një mënyrë sesi mund të komunikonim pasi që atje patëm dyshime se mund të kishim rënë në “gojët” e sigurimit të shtetit. Në këtë kohë më 22 tetor 1963 më telefonon Hekurani dhe më thotë se një nga sigurimi me pseudonim sigurisht, nuk po më ndahet dhe mos e harro filmin “Xhemileja”, domethënë mos ik, së nëse ti ikën mua do më torturojnë për t’i treguar planin. Këtë film e kemi parë së bashku në kinemanë verore në Gjirokastër, ç’tortura i bënë asaj të tregonte! Si përfundim ai më dërgon një telegram në emër të vëllait tim Festim, ku shkruante gjoja “nëna ime ishte sëmurë rëndë nga zemra në spital, po munde merr leje urgjent dhe eja”. Të njëjtin telegram ma nisi mua dhe komandës. Kështu komisari Fitim Balili më jep lejen për gati 5 ditë, por nuk ika dot që atë ditë pasi nuk kishte makina. Në  orën 22.00  të datës 24 tetor 1963 arrita në Korçë. Të parin që takova ishte Durim Shyti, i cili më thotë se kemi rënë në erën e zagarëve të sigurimit, të njëjtën gjë më thotë edhe Hekurani, kështu që sa më shpejt të arratisemi aq më mirë do jetë. U nisëm të katërt unë, Hekurani, Roberti, dhe Durimi që nga Korça, ku gjatë rrugës filloi dhe një dëborë me erë që nuk na linte të ecnim dhe e humbëm fillin e udhëtimit fare. Kur u zbardh kuptuam që ishim akoma në tokën tonë, na u rrëqeth trupi. Përballë nesh, afro 500 m në vijë të drejtë ndodhej posta greke. Kishim kaluar afër saj dhe na kishin spiunuar atë e bir nga Kamenica, Shabani e Esati. Kështu ai së bashku me komandantin dhe nja dy të tjerë na kishin rrethuar. Që këtu filluan torturat, dhuna e pamëshirshme, ku na thyenin karriget në kurriz, të godisnin me fshikull hekuri. Më binte të fikët nga torturat dhe kur zgjohesha dëgjoja rënkimet e shokëve të mi nga dhomat e tjera. Dëgjoja zërin e Hekuranit “o nënoçkë, o nënoçkë”. Në këtë moment i them: aman mos na torturoni më, më vrisni më mirë. Do të firmosim çfarë të doni ju edhe që do të arratiseshim, por vetëm mos na torturoni. Letrën e firmosëm, por torturat nuk pushuan. Që andej na çuan në Degën e Brendshme këtu në Korçë, ku na shtynin dhe na futën në një dhomë me civilë, ushtarakë dhe policë, dy prej tyre i njihja, civili Petro Tasellari nga Korça dhe majori Ago Sina nga Vlora.

Mbani mend emrat e hetuesve tuaj? Të atyre që ju dënuan?

Që nga Dega më çuan në hetuesi, ku torturat sapo vinin dhe po shtoheshin. Duart i kisha të lidhura me hekura mbrapa. Në dhomën ku më shpunë ishin gati 5-6 veta, unë njihja vetëm dy prej tyre, siç e thashë pak më parë shefin e hetuesisë Petro Tasellari dhe majori Ago Sina. Ky i fundit më thotë: “ne do të të nxjerrim qumështin e nënës këtu, por na thuaj me sa shokë të tjerë ke biseduar për t’u arratisur”. Pyetjet ishin nga më të pakuptueshmet, ishin provokime nga më të ndryshmet, të cilat nëse nuk i përgjigjeshe ashtu siç donin ata, do përjetoje tortura fizike dhe psikologjike. Që prej asaj dite dhe deri 3 muaj që qëndrova në hetuesi torturat nuk kishin të sosur. Mbaj mend që Ago Sino më detyron duke më goditur që të thoja “fluturon gomari”. Në këtë moment më futën kokën në ujë, ishte një si lavapjatë, është dhomë e hekurt atje, mbaj mend që ishin 4-5 veta që po më zhysnin, dhe në njërin krah kisha Ago Sinën, ashtu shtrirë siç isha, nuk e harroj kurrë në faqen e djathtë ndjej shputën e këmbës së tij të madhe që po më godiste.  Por jo vetëm ta thoja duhej edhe ta firmosja, më japin një penë ngjyrë bari, ashtu në mes torturave e firmos duke mos e ditur vërtet pse e kërkonin. Në këtë kohë shoh që Ago Sina me të tjerët që po kërcenin. O Zot,- thashë me vete- ku jam këtu? Hetuesi tjetër ishte Riza Shehu dhe kryetari i Degës, Jani Naska.

Si u zhvillua gjyqi?

Në orën 10.00  të datës 26 shkurt 1964 në Korçë u zhvillua gjyqi, i cili vazhdoi për gati dy ditë. Në sallën e gjyqit ishin familjarët tanë dhe trupi gjykues, më pas vijnë të gjithë dëshmitarët me deklaratat e tyre. Dëshmitarët ishin komandanti i postës që na arrestoi bashkë me ushtarët, Esati dhe Shabani. Kryetar i gjyqit ishte Kolonel Mit’hat Goskova. Kështu u dënuam për herë të parë për krimin dhe tradhtinë ndaj atdheut duke tentuar të arratisemi për në Greqi. Doli vendimi i gjyqit më datën 27 shkurt ku unë u dënova me 20 vjet burg.

Ku e vuajtët dënimin?

blankPas marrjes së vendimit të gjyqit fillimisht më çojnë në burgun e vjetër të Korçës për gati 1 muaj. Në këtë burg u njoha edhe me të burgosur të tjerë të cilët kishin të njëjtin dënim, tentativë arratisje, por në moshë më të re, siç ishte Nevruz Golka, Vasil dhe Janaq Tarusha. Më pas na çojnë në Uzinën e Superfosfatit në Laç për të punuar, mund të them, si skllevër. Nga Laçi na çuan në Elbasan pasi do ndërtohej fabrika e çimentos, ku qëndrova gati 1 vit. Këtu mbaj mend që policët të bënin provokime nga më të ndryshme dhe një prej tyre ishte Dushani nga Tepelena, i cili merrte pjesë edhe në pushkatimin e të burgosurve. Nga këtu na çojnë në Fushë-Krujë, ku provova, jo vetëm birucën, hekura, zinxhirë por edhe stekën e bilardos.

Në datën 7 qershor 1967, na nisin në Burrel. Nga jashtë burgu i Burrelit duket si një varr i gjatë nëntokë, por kur futesh në oborr është i ngritur. Prezantimi i parë atje të bën të kuptosh se është një kalvar i gjatë mundimesh. Sa hyn përballë shikon një parullë të shkruar me bojë të kuqe ku thotë: “Burrel, hyn e s’del”. Kështu fillonte kontrolli ku të burgosurit do qëndronin larg njëri-tjetërit jo më shumë se 5-6 metra. Na zhvishnin dhe kontrollonin edhe rrobat e qepura, kjo ishte hyrja e parë. Fillimisht më çuan në dhoma nr.9 ku jashtë saj në derë pashë 3-4 paterica, kur u futa brenda shikoj pleq të sëmurë, të gjithë buzë varrit. U tmerrova. Ditën e dytë bëhet apeli dhe një ata komisarët thirri emrin tim, Urim Elezi, dhe më bën të ulem dhe të ngrihem 4-5 herë. Në këtë moment acarohem dhe i them kjo që po bën ti është poshtërim, më fut në birucë, dhe më fut, ku qëndrova 30 ditë. Në birucë, nuk vishnim rrobat tona por ato që na linin ata: çorape, pantallona dhe një xhaketë beze me vija. Të brendshme kishim vetëm mbathje të shkurtra dhe një si tip këmishe në formë v-je. Në birucat e Burrelit ishte një i ftohtë i padurueshëm, dhoma ku ne qëndronim ishte 8 me 6 dhe ishim gati 40 veta brenda saj. Na nxirrnin për ajrosje çdo ditë përveç rasteve të birucës, gati 40 minuta e deri në 1 orë, por sigurisht gjatë kësaj kohe na kontrollonin me kë flisnim dhe çfarë bënim. Mbaj mend që ditën kur u dha lajmi për vrasjen e Mehmet Shehut nuk dolëm për ajrosje gati 3 muaj. Ushqimi ishte i pakët, 300 g bukë dhe 900 g patate të cilat nuk futeshin në gojë pasi ato gatuheshin mbasdite kur mbyllej kuzhina dhe shërbeheshin  mbasditen e të nesërmes.

Uri e llahtarshme. Nëse do krahasoje Spaçin me Burrelin mund të them se në Burrel vdisje nga urija, ndërsa në Spaç nuk vuaje për ushqim, por vdisje nga puna e rëndë në galeri. Këtu në Burrel kam qëndruar se bashku me të ndjerin Pjetër Arbnorin, i cili ishte vërtet një njeri i mrekullueshëm, me Ruzhdi Krajën nga Shkodra etj…

Cilat ishin torturat fizike që përdoreshin më shpesh ndaj jush?

Torturat që kam përjetuar gjatë asaj kohe ishin të tmerrshme sa mund të them vërtet se jeta qenka shumë e dhimbshur, ama para torturave vdekja është shumë më e lehtë. Torturat ishin  të pafundme, në birucë, madje mbaj mend që kur na nxirrnin në banjë, na nxirrnin vetëm 3 herë në 9 orë. E kur hynim në banjë sa uleshim për të kryer nevojat direkt na çonin. Në një moment acarohem me Ramadan Kurtin i cili ishte vërtet provokator, mbas disa sekondash përmendem dhe shikoj që isha i lidhur këmbë e duar në banjë me kokën brenda në WC. Torturë e tmerrshme ishte dollapi gjatë hetuesisë ku mes goditjeve në çdo pjesë të trupit për të pohuar mbi arratisjen, më lidhën këmbët e duart me zinxhirë dhe më futën në dollapin i cili kishte përmasa të tilla sa unë rrija i palosur. Qëndrova atje plot 6 orë derisa t’i mbushej mendja atyre për të më nxjerrë. Polici me emrin Shaban Selami më vendos dru në gojë dhe ma lidh me lidhësen e këpucëve të tij! Ku druri më theu dhe protezën e dhëmbëve. Kur kam shkuar në Spaç më ka ndodhur që nga dëshpërimi i madh kam tentuar të hidhem në humnerë së bashku me shokët e mi, Kadri Thaçi nga Kukësi, Xhemal Spata nga Dibra dhe Çaush Çoku nga Lushnja.

Çfarë ndodhi në hetuesinë e dytë?

blankKaluan gati 17 vjet burg nëpër burgjet e regjimit komunist, por në prag të ditës së lirimit “bijtë e partisë”, nuk kishin mbaruar akoma punë me mua. Kështu operativi i burgut, Gjergj Stefa i cili ishte vërtet kriminel dhe njeri pa moral m'i lidh duart me hekura, më hipin në makinë dhe më çojnë në Degën e Brendshme të Fierit. Atje u zhvillua një hetuesi e dytë për mua ku hetues ishte Shkëlzen Barajktari, prezent ishte edhe prokurori i rrethit të Fierit, Zija Shahini dhe Rapi Mino, prokuror i Përgjithshëm i Republikës. Se përse u dënova nuk e di, por vendimi u dha për agjitacion e propagandë, në burg! 10 vjet heqje lirie.

Si e përjetuat rikthimin në burgun e Burrelit?

Kur kujtoj Burrelin më rrëqethet trupi. Kur u ktheva në dhomë, nga 30 veta që ishin, njihja vetëm Adem Allçin. Dhe më vonë në dhomën tonë sollën të tjerë të burgosur si Mersin Vlashin, Rrok Bitukun, Demir Pojanin dhe Gjergj Peçin. Pas shumë provokimesh, në datën 5 dhjetor 1981 i bëj letër të mallkuarit “Enver Hoxha” ku i thoja: “Përbindësh i pangjyrë, i sëmurë me mani persekutimi”. Këtë letër ia lexova edhe Mersin Vlashit e Rrok Bitukut, i cili më thotë që t’i bëjë edhe ai një letër pasi njeriu nga dëshpërimi kërkon mënyra për të mbijetuar. Në orën 16.00 i hedhim letrat në postë. Në orën 7 të mëngjesit bëhet apeli, në orën 8 hapet dera e qelisë sonë dhe hynë policët: Xhemal Varani, Met Varani, Ramazan Lika, dhe Abazi, ku të parin kërkojnë Mersin Vlashin, dhe më pas thërrasin Rrok Bitukun të cilin e kapin për zverku dhe e përplasin përdhe. Mbas 4-5 minutave hapet dera dhe hyn Mustafa   Lika, i cili më thotë të dal jashtë shpejt…

Si e kujtoni ditën kur ju verbuan?

Ishte data 8 dhjetor 1981 ora 9.00. Ashtu siç e thashë pak më parë, letra që unë ia kisha nisur Enver Hoxhës kishte rënë në duart e “zagarëve të tij”. Ata që më goditën ishin gati 4-5 policë të cilët m'u hodhën sipër me dru e shkopinj gome, më rrahën aq fort sa humba ndjenjat. Kur përmendem më shtynin me shkelma duke më detyruar të çohesha dhe t’i përgjigjesha pyetjeve të tyre në lidhje me letrën. Kryesisht ata që më goditën me shkopinj gome, dru dhe zinxhira në kokë deri në verbërim ishin Agim Kërkuti dhe Mustafa  Lika. Për Zotin e madh koka ime kërciste dhe sytë më lëshonin xixa. Kur hap sytë dhe shikoj gjithçka ishte errësirë, nuk shihja nga sytë, isha verbëruar… Kisha humbur ndjeshmërinë dhe shikimin. U bë alarm situata ku unë ndodhesha sa kosovarët që kisha në burg lajmëronin njerëzit e tyre që kishin jashtë shtetit që t’u dërgonin ilaçe për mua. Pasi u kurova me ato ilaçe për disa muaj sytë filluan të më drejtoheshin dhe ndjeshmëria po më vinte, por ama ngela i verbër.

Keni ndonjë ngjarje të veçantë që ju ka mbetur në mendje?

Çdo moment që kalonte në burg përjetoje ngjarje nga më të tmerrshmet, ka plot të tilla. Mbaj mend  momentin kur morëm vesh vdekjen e të mallkuarit Enver Hoxha, ishim në Zejmen, në datën 9 prill 1985 nga dritaret e burgut ku flinim, shikonim ushtarët që vendosën helmeta në kokë dhe u dubluan, pra çdo truproje iu shtua edhe një tjetër. Të gjithë të burgosurit menduan se qe grusht shteti. Në 11 prill 1985 vjen operativi dhe mbyll gjithë mbrapavijën. Të gjithë ç’ishin: policë, ushtarë, kuzhinierë, iu dha urdhër të mblidheshin te vendi i altoparlantit. Filluan të kontrollonin imtësisht madje kur shikonin dy të burgosur bashkë i ndanin në mënyrë të dhunshme. Policët Andon Labi dhe Selman Gagaçi ushtronin dhunë pa shkak mbi të burgosurit.

Çfarë ndodhi me jetën tuaj pasi u liruat?

blankLirohem në 10 shkurt 1989. Nuk isha më ai djalë i vitit 1963 me fizik shumë të mirë 93 kg, por një burrë që peshonte rreth 50 kg, pa sy dhe me këmbë që nuk punonin. Kthehesha pas 26 vjetësh në shtëpi, ku më prisnin vëllezërit e nipat dhe sigurisht nëna ime. Takimi me të ishte vërtet i dhimbshëm, pasi nuk doja që ajo ta merrte vesh që unë isha verbuar dhe i shmangesha kur ajo më kërkonte t’i lexoja letrat që i kisha dërguar. Kam jetuar me nënën gati 1 vit e 1 ditë plot, kur ajo ndërroi jetë në 11 shkurt 1990. Peripecitë do vazhdonin në jetën time pasi ruhesha akoma nga Sigurimi duke i kërcënuar edhe vëllezërit e mi të mos shkelnin më tek unë. Një tjetër absurditet ishte që së bashku me burgosjen mua ma kishin hequr gjendjen civile dhe pasaportizimin dhe më duhej të vërtetoja se nga vija. Mund të them me plot bindje se diktatura vazhdoi dhe vazhdon akoma edhe sot me pasardhësit e saj. Pavarësisht të gjithave ajo një gjë nuk arriti të bënte: të na burgoste mendjen dhe shpirtin tonë./Kujto.al

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here