| Urim Elezi | |
|---|---|
| Informacione Personale | |
| Emër/Mbiemër: | Urim Elezi |
| Atësia: | Resul |
| Vendlindja: | Floq, Korçë |
| Vendbanimi: | Korçë |
| Datëlindja: | 18/10/1941 |
| Datë Vdekja: | 27/2/2026 |
U lind më 18.10.1941 në Floq të Korçës. Hyn te të dënuarit dy herë nga regjimi komunist me shumë vite vuajtjeje. Ai u burgos më 26.10.1963 dhe doli që andej më 10.2.1989. Hyri në burg 22 vjeç dhe doli 48 vjeç, madje i verbuar.
Në moshën 18-vjeçare kreu shkollën e Instruksionit në Gjirokastër, ku gradohet nënoficer.
Në dënimin e parë ishte ushtar në Repartin nr.9357 Gjirokastër.
Herën e parë u akuzua në bazë të nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 14 të Kodit Penal. Ishte me shërbim ushtarak së bashku me shokun e tij Hekuran Shyti në Gjirokastër. Sipas gjykatës, i kish propozuar Hekuranit të arratiseshin sepse bëhej jetë e mirë në vendet kapitaliste e sidomos në SHBA. Hekurani lirohet më parë nga ushtria dhe gjatë kësaj kohe gjen personat e tjerë me të cilët do kryenin arratisjen.
Hekurani i nis një telegram Urimit në Gjirokastër me kërkesën që të niset se nëna ishte sëmurë. Kësisoj Urimi bashkohet me shokët e tij, Hekuran Shyti, Durim Shyti dhe Robert Morava. Të paorientuar mirë, të spiunuar nga një banori i zonës, ata u kapën nga forcat e kufirit në postën kufitare të Nikolicës në rrethin e Korçës.
Gjykata Ushtarake Tiranë me vendimin nr.21, datë 27.2.1964, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 18 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë, heqjen e së drejtës zgjedhore për 4 vjet dhe të gradës së rreshterit. U la në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.3.1964 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.
Për herë të dytë u arrestua më 19.2.1980. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal me artikulime shumë rënduese. DPB Fier, me shkresën nr.112, datë 15.1.1980 i kërkoi Drejtorisë së Hetuesisë miratimin e arrestimeve për tre shtetas, midis të cilëve edhe i përmenduri. Ishte marrë në përpunim aktiv më 17.5.1979 se zhvillonte propagandë në radhët e të dënuarve. Raportonin për të "I penduari" dhe "Tekniku". Për të thuhej të ishte shprehur: "Sigurimi i ka lyer duart me gjakun e këtij populli. Kanë bërë krimet më të shëmtuara që mund të ketë në histori, Sigurimi është sjellë me popullin dhe me njerëzit më keq se ç'janë sjellë fashistët dhe nazistët... Nuk ka më të poshtër se komunistët. Unë quaj komunistë të gjithë ata që kanë yllin në ballë si një domate, pavarësisht nëse besojnë mjekrën e Marksit apo mustaqet e Stalinit...Krimet më monstruoze në Shqipëri, janë bërë në kohën kur kanë ardhur në fuqi komunistët...Jeta te ne është burg".
Gjykata e Rrethit Fier e drejtuar nga Sokrat Dautaj, me pjesëmarrjen e prokurorit Kiço Koçi, me vendimin nr.94, datë 18.4.1980, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet. I bindur në kotësinë e vendimeve komuniste, nuk e ankimoi vendimin.
Urim Elezi mbeti i verbër gjatë gjithë jetës. Pas daljes nga burgu, ai krijoi familje duke u martuar dhe duke u bërë baba i dy vajzave. Arriti të bëhej edhe gjysh. Shkroi disa libra me kujtime nga jeta e burgjeve.
