Dëshmia/ Meleq Cane: Unë, i burgosuri politik që u lirua i fundit në Shqipëri

0
265

Ishte 6 korriku i vitit 1991, kur në orën 4.00 të mëngjesit, 11 të burgosurit e fundit politikë në Shqipëri dolën nga dera e Repartit 313. I fundit fare, atë derë e kaloi Meleq Cane. Në këtë intervistë për kujto.al, Meleq Cane tregon ngjarjet e panjohura që përjetuan të burgosurit politikë ditët e fundit të dënimit të tyre dhe gjithë historinë e përndjekjes, të nisur që në moshën 4 vjeç e gjysmë. Tmerret e internimit, torturat e hetuesisë dhe jeta në burgjet politike shqiptare nga viti 1987 deri në 1991.  

Dëshmia e plotë:

Emri im është Meleq Lutfi Cane. Kam lindur në Bilisht të Korçës, më 19 maj të vitit 1950.

Cila është historia e familjes suaj?

Gjyshi im ka qenë gjeometër. Ndërtoi dhe mirëmbante rrugën Korçë-Follorinë të Greqisë, këtej nga Kapshtica. Një intelektual. Ne nuk ishim bejlerë. Ne ishim intelektualë që atëherë quheshin agallarë. Dhe i rriti fëmijët, të gjithë i çoi nëpër shkolla, xhaxhain, babain, ku ishte e mundur, në Itali, Austri dhe u rrit babai, u martua me nënën. Nëna ishte e bija e Emin Tarelli nga Braçanji. Ai ishte me gradë toger, intelektual. Në Shqipëri, atë kohë, edhe në kohën e Zogut nuk besoj të ishin më shumë se 100 me gradë toger në gjithë Shqipërinë. Dhe lindëm ne fëmijët, xhaxhallarët u martuan. Jetonim aty, për bukuri. Babain e mori greku në kohën e luftës italo-greke si bashkëpunëtor të Italisë dhe e çoi në Mindili të Greqisë dhe atje do t’i zhduknin, me gjithë vjehrrin, babanë e nënës. Fati i ndihmoi. Gjermania u thye nga Rusia edhe po kalonte, nëpër Greqi dhe në Shqipëri. Në Shqipëri, dikush do më dënojë për këtë, por Gjermania, po ikte, me falni për shprehjen, me bishtin ndër shalë, nuk kishte plan as ta pushtonte Shqipërinë. Dikush mund të thotë të kundërtën, por mendimi im. Dhe grekët i liruan. Sa erdhi në shtëpi, ndejti pak muaj, spiunët e tjerë…Erdhi italiani prapë, se u tërhoq greku… I lajmëruan si bashkëpunëtor të Greqisë. E çuan babain në Porto Romano. Prapë gjermani po afrohej, e prishi aleancën me Italinë. E liruan italianët babain. Filloi lufta nacionalçlirimtare, fiset u përzienë: ca ishin me ballistët, ca ishin partizanë, ca ishin me Legalitetin dhe babai, me atë idenë e tij, se ishte njeri i zoti, e deshte muzikën, ka qenë këngëtar me famë në Devoll, edhe sot e kësaj dite e përmendin historinë dhe u bashkua me partizanët. Partizanët e lanë nëpër fshatra, mblidhte plaçka, ushqime, gjëra që u nevojiteshin dhe figuronte si partizan, u shërbente tamam. Dajat e babait tim, nga Bozhigradi, kishin batalionin e Devollit të Ballit Kombëtar dhe po vazhdonte lufta. Kur mbaroi lufta, erdhi një batalion i komanduar nga Petrit Dumja dhe një batalion nga i famshmi Beqir Balluku, që e mbesa sot është zëvendëskryeministre. Kur dëgjoj mbiemrin Balluku që i ka vrarë njerëzit e familjes sime si harabela! Edhe…I vranë këta dajitë e babait. Biografia nga një anë ishte bërnut, sipas komunizmit. Mirëpo ky aktiviteti, partizanllëku e ndihmoi babanë dhe arriti të bëhej nëpunësi kryesor i reformës agrare që u bë në zonën e Devollit në atë kohë, nga këto merita që kishte. Më vonë, punoi në financë, në kadastër dhe më vonë, u bë llogaritari i kooperativës së Bilishtit, kur u bë kooperativa. Ishte nëpunës i zoti. Ishte në rregull. Kaluan disa kohë. Ata e dinin tërë prejardhjen e familjes. Vijnë disa punonjës të Sigurimit dhe i thonë: "Ti do bashkëpunosh me ne". Ai kurrë s’e bënte këtë. “Në asnjë mënyrë!- i tha. – As mos t’ju shkojë mendja”! Po atë natë, në orën 12.00 të natës, vjen kryetari i Degës së Bilishtit, një Isuf, lab ishte, nga Mallakastra, a Tepelena dhe i thotë: "Lutfi, ik, të shpëtosh kokën se me këto refuzime që bëre ti, ata nesër do të heqin një plumb në ballë, ose do të fusin në burg, s’i dihet, por ik të shpëtosh kokën”. Dhe babai i tha vetëm nënës, gjyshes sime, mori qenin me vete… Brezin kufitar, telat me gjemba me korent, ai i organizonte me punonjësit fshatarë dhe i dinte. Kaloi në Greqi, i lidhi një letër qenit në qafë, Balos, e goditi se s’donte të largohej Baloja. Baloja erdhi pas 7-8 orësh në shtëpi se kufiri nuk është vetëm tela me gjemba, ka dhe mbrapa, me kilometra, me relieve të vështira. Vjen në shtëpi dhe thotë gjyshi: Emin- xhaxhait tjetër, punonte në minierën e Bitinckës- po ky qeni po më bezdis, ç’do? Edhe xhaxhai po e përkëdhelte qenin, e kap letrën. E hapin letrën, e lexojnë: "Unë jam mirë. Jam në Greqi. Zoti qoftë me ju". Dhe kuptuan diçka.

Çfarë ndodhi me ju pas arratisjes së babait?

Ne nuk na internuan se sado që ashtu kryetari i Degës gjente rast të influenconte për miqësinë që kishte me babanë tim. Filluan t’u qepen xhaxhait dhe një kushëriri të parë të babait që të bashkëpunonin si spiunë. Dhe gjithnjë i zgjidhnin nga familjet me ngjarje të freskëta që t’i mposhtnin më kollaj të bëheshin spiunë. Po dhe këta të njëjtën gjë, u arratisën. Atëherë na morën ne, familjen tonë: gjyshin, gjyshen, nënën, gjashtë fëmijë që ishim ne, dy vëllezër dhe katër motra, xhaxhaica me tre fëmijë, me një xhip, me pak orendi se u bënë brutalë policët, nuk lejonin të merrnim gjëra, as dyshek, as jorgan, as batanije, asgjë. Na çuan te "Hani me dy porta" që i thonë në Korçë, burgu që ka qenë në Korçë. Prej aty, pas…atë natë a, s’e mbaj mend këtë, se unë isha katër vjeç e gjysmë në atë kohë, na çuan në Savër të Lushnjës, ku ishte qendër e internimit dhe atje na mbajtën nja një muaj. Nuk kishin banesa ku t’i fusnin, të flinin. Në një dhomë normale, flinin edhe 20 veta, por s’kishte vend të veçantë për një familje që s’kishte lidhje me tjetrën. Dhe na çuan në sektorin e Gjazës, atëherë po formohej i ri.

Në çfarë kushtesh jetonit në Gjazë?

Shumicën e shtëpive i ndërtonin me plitharë dhe me qoromidhe çatitë, dyshemetë ishin me baltë se rrinte baltë, moçal gjithmonë atje dhe na çuan atje dhe na dhanë një kuzhinë, një dhomë gjumi dhe jetonim xhaxhaica me tre fëmijë, nëna me gjashtë fëmijë dhe gjyshi dhe gjyshja. Tmerr, ti nuk mund të shtriheshe, të flije aty. Pas ca kohësh, xhaxhaicës i dhanë një dhomë gjumi. U liruam disi, por prapë ngushtë. Ujë të pijshëm s’kishte. Vinte me autobot dhe të parët do mbushnin komunistët ose ato familjet e papersekutuara. Ca ngeleshin pa ujë. Filluan të hapnin puse njerëzit. Ato puset ishin me gaz me naftë. E merrnim, e zienim dy-tri herë dhe e përdornim për të gatuar dhe për të pirë. Nga këto fatkeqësi, gjyshja dhe një çupë e xhaxhaicës, Afërdita që dhe sot më kujtohet, ndërruan jetë, nga ky helmi i ujit, dizenteri. Kjo Afërdita vdiq në Lushnjë. Kur e çoi, e çoi në krahë xhaxhaica. As një zetor, as një karrocë, as një rimorkio nuk dërgoi sektori. E lajmëroi spitali që ka ndërruar jetë. Prapë, xhaxhaica vetëm vajti se ne s’na jepnin lejë ne të tjerëve. Jo mua e ne të tjerëve që ishim fëmijë, po të rriturve të familjes dhe e ka marrë gocën e vdekur, Afërditën, në krah, 14-15 km, në baltë deri në gju dhe e solli në sektorin e Gjazës. U varrosën këto të dyja njëra më parë, njëra më pas, sipas kohës që vdiqën dhe kur ne u interesuam për të shkuar te varri për t’i parë, ato ishin pluguar me traktor, ishin mbjellë luledielli dhe lulediellit ishin rritur dhe me fëmijë të vdekur që erdhi që andej.

Megjithatë ishin shumë të persekutuar, i jepnin kurajë njëri-tjetrit. Dhe morëm fuqi shpirtërore dhe fizike. Motra e madhe u rrit, po punonte; motra e dytë sa filloi punë, se s’kishim as për të jetuar, për të ngrënë, kur vjen urdhri, vijnë oficerët e Degës: Do ju çojmë në Kryekuq. Buzë kënetës së Karavastasë, kur shkon për në Divjakë.

Pse ju zhvendosën?

Se babai ynë mbajti një fjalim. Se kur u arratis ai, përfundoi në Belgjikë dhe në Belgjikë, gjeneralët e Hungarisë që bënë revolucionin, që kishin vrarë njerëz, u lejuan të vinin në Hungari, të merrnin familjet. Shiko, ç’ndodhte! Dhe babai punonte në Belgjikë, aty.

Mbajti një fjalim në festën e 28 Nëntorit. Ajo u erdhi këtu atyre. Ai s’tha ndonjë gjë të keqe, përvjetorin, festën e 28 Nëntorit, të ngritjes së flamurit. As i përmendi, se e dinte ai, ishte burrë me mend. Na morën ne, na çuan në Kryekuq. Atje ndenjëm gati dy vjet. Atje vdiq dhe gjyshi në moshën 100 e ca vjeç. Më vonë, bashkë me vëllanë, e morëm, e çuam në Bilisht gjyshin.

Aty e patëm të vështirë, por ishte një kryetar kooperative Liç Naçi, nga këta çobanët e vendit. Njeri shumë i mirë, na ndihmoi. Kishte komshinj. Se sollën nja 20 e ca familje të tjera, por ne ishim të parët. Nëpër ca stalla lopësh na futën, vetë i pastruam bajgat…jo unë, por njerëzit që ishin të rritur, të familjes. Mbijetuam në sajë të këtij kryetarit dhe në sajë të familjeve të të persekutuarve, ndihmonim njëri-tjetrin në çdo lloj dhe pastaj i shpërndanë, ca i çuan në sektorin e Gradishtës, të internuar, ca i çuan në Savër, e lanë me të drejtë kërkimi se na i hoqën internimin atje. Dhe ne kërkuam Grabjan, shkuam në sektorin Grabjan. Aty u rrita unë, ishte një jetë pak më e qetë. Nuk ishte lufta e klasave shumë e ashpër si herët e tjera. Vazhdonim…Motra u fejua, po martohej me Skënder Çapanin, nga Leskoviku, po i internuar. Vëllai ishte në gjimnaz, në Lushnjë. Kam dalë në moshën 14 vjeç, punoja se u ndodh familja ngushtë se motra u martua kur ishim në Kryekuq, me një nga zona jonë e Bilishtit dhe motra e madhe u martua, që kur ishim në Gjazë. Dhe dola unë në punë. Mbasi u martua motra, vëllai mbaroi gjimnazin. Sesi e mbaroi se s'na linin ne për të bërë gjimnazin! E morën vëllanë ushtar. Unë vazhdoja punoja. Mbaja familjen. Fëmijë, i parritur. U lirua vëllai, më morën mua ushtar, por me reparte pune, me kazma, me lopata sigurisht. Mbarova ushtrinë unë dhe jetonim. Me telashe të ndryshme, sigurisht, me spiunë që na vinin nga prapa. Mirëpo u bë më e egër, para se të hynte Xhevdet Mustafa nga zona e Divjakës dhe vëllain e thirrën ta rekrutonin, kjo metodë. Dhe mua më thirrën nja dy herë dhe refuzuam. Vëllai kishte marrë raport se kallot na bëheshin nga puna e rëndë, nga lopata dhe infektoheshin. Vajti në Bilisht me dy djemtë e xhaxhait që ishin në Grabjan, vajtën në Bilisht, i mori daja dhe ata u arratisën…

Dua të them dhe këtë.

Vëllai u martua me Airliko Canen nga Bitincka, kurse unë mbasi mbarova ushtrinë, u fejova, u martova me Floresha Canen nga Ermenji i Skraparit, por jetonin në Perlat të Fermës së Sukthit. Patëm një jetë shumë të vështirë, me fëmijët, por e përballuam. Mbasi më morën mua në burg, nëna me gruan ishin në internim, vuajtën jashtë mase.

Kishit fëmijë?

Kisha tre fëmijë, Arturin, Anitën dhe Anxhelën. Sot janë mbi 40 vjeç, të gjithë atje. Dhe gruaja ime ka qenë e fundit e internuar në Shqipëri, që është liruar. Në Gjazë, në Savër, në Gradishtë, ishin liruar të gjithë. Ajo ishte e fundit dhe nuk e di pse e mbanin. Ishte Eugjen Merlika bashkë me gruan dhe i tha ai: "Pse s’më mbajtën mua, të të lironin ty",- i tha. Burrë zotni, Eugjen Merlika.

Vijmë te arrestimi juaj. Si ndodhi?

Në vitin 1983, më 22 qershor të vitit 1983, vëllai im u arratis nga Shqipëria, bashkë me dy djemtë e xhaxhait, me gratë, me fëmijët…ishin dhjetë veta dhe arritën të kalojnë kufirin, ikën… Sigurimi i Shtetit donte të arrestonte një njeri të tyren, Bujar Jazexhiu që kishte qenë shefi i kartotekës së Ministrisë së Brendshme. Ai kishte dalë në pension dhe fliste atje ku mblidheshin ata që kishin dalë në pension. Mirëpo, dikush, vajti raportoi tek ata të tjerët dhe vendosën që ai të eliminohej. Dhe ikja e vëllait ishte një oportunitet që ta arrestonin më kollaj, ta vrisnin, ta zhduknin. Dhe krijuan një grup armiqësor, i cili ishte në bashkëpunim me Intelligence Service-in e Anglisë, me CIA-n amerikane dhe Asfali-në greke.

Mua do më merrnin, se e akuzonin Bujar Jazexhiun si kryetar grupi dhe “dërgoi vëllain tim për të krijuar lidhjet që kishin humbur”. Ne nuk e njihnim Bujar Jazexhiun, s’e kishim dëgjuar kurrë në jetë. Mua do më merrnin në burg se u dogji shumë ajo arratisja e vëllait dhe e prisja, por gati 17 veta të tjerë u morën kot në burg dhe na mbajtën nja 5 muaj në survejancë, në ndjekje të atyre spiunëve që ca i dinim, ca s’i dinim dhe pastaj, në 6 janar të vitit 1984, na futën në apel, në 6.00 të mëngjesit, në 6.00 të darkës. Vinte oficeri i Sigurimit dhe priste përgjigje “jam këtu”, “po, jam këtu”. Dhe po vazhdonim…persekutimi u shtua në mënyrën më të tmerrshme. Ishte fundi i regjimit komunist dhe jo vetëm oficerët, por edhe banorët që ishin pro komunizmit dhe komunistë u bënë si bisha. Megjithatë, ne punonim sa për tre veta dhe merrnim rrogë për një person. Ata të tyret që këndonin e fërshëllenin gjithë ditën merrnin pare më shumë se ne. Vazhdoi kjo deri në 6 janar 1987. Kur erdhën më arrestuan, isha atje te qendra e internimit, nëna plakë këtej, gruaja andej. Mua më rrëmbyen siç i merr skifteri zogjtë, shpezët e ndryshme. Këta erdhën nga Tirana 6-7 oficerë madhorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe plot oficerë të Degës së Lushnjës dhe më përfshinë, më futën në xhipsin e tyre dhe më arrestuan. Nuk e dija, dhe një bashkëfshatarin tim që kisha një lidhje gjaku, por shumë të largët, e kishin arrestuar dhe atë, atë ditë. Ai s’kishte arsye, për mua ishte një arsye, arsye pseudo, por prapë… ata atë metodë ndiqnin. Dhe na çuan në dhomë. Se në çdo vend, Sigurimi kishte dhoma. Në çdo fshat, në çdo fermë, në çdo qytet, në çdo hotel madhor të qytetit, kishte dhoma Sigurimi që i përdornin kur kishin nevojë. Dhe aty, më qëlloi mua me ish-nëndrejtorin e Sigurimit të Shtetit që më pyeti, më bëri presion. E drejtoi dhe automatikun te balli im, por e kishte pa fishek, të shikonte si do reagoja unë.

Në këtë kohë, gruan time e kishin marrë po e pyetnin, në krahun tjetër, një oficer tjetër. I kishin bërë presione nga më të pabesueshmet. Si përfundim, ajo shkoi pas familjes, ne na morën dhe na çuan në Lushnjë, te Dega e Punëve të Brendshme të Lushnjës se ne jetonim në Grabjan të Lushnjës, në atë kohë. Aty filluan presionet prapë, shefi i Sigurimit, kryetari i Degës, një Gjon Premalaj nga Shkodra dhe shefi i Sigurimit një Axhem Veliu, nga Tepelena a Mallakastra. Prej aty, na morën me ato Aro-t, xhipat që përdorte Sigurimi kohët e fundit dhe na sollën te Hetuesia e Përgjithshme, i thoshin Hetuesia Speciale, Reparti 313. Aty, filloi hetuesia. Në Tiranë.

Si ju trajtuan në hetuesi?

Policët filluan të parët me hekurat që i shtrëngonin gjatë krahët. Ishte një Liman, Liman. E kam takuar më vonë. Ai ishte nja 50 vjeç burrë. Ai ishte i pashpirt…Filloi hetuesia. Karriget ishin të betonuara në dysheme. Krahët t’i lidhnin këtu…këmbët t’i lidhnin te këmbëzat e karriges dhe çfarëdo që të ndodhte me ty, ti nuk rrëzoheshe në tokë, humbje ndjenjat apo dhe fillonin bënin eksperimente, me grushte, me shqelma, gjithë poshtëristë. Kryetari i grupit të hetuesve ishte Besnik Imeraj dhe hetuesit e tjerë ishin Zamir Stefani; Kasem Berberi; i famshmi Fatos Trebeshina që bëri gjyqin qesharak të Ramiz Alias në Shkodër, më vonë; Pëllumb Kapo; edhe ky nëndrejtor i Sigurimit, Rifat Sapka. Vinte Besnik Imeraj, thoshte: "Shpirtin t’ua merrni këtyre! O do pranojnë ato që duam ne, o s’ka". "Kjo është e zezë. Ata duhet të pranojnë që është e bardhë". Dhe ata fillonin eksperimentet me grushta, me shkelm, ngeleshe pa ndjenja, stomakun ma shkatërruan. E çanë lëkurën e barkut, doli një xhungë tek unë në bark. Vinte Fatos Trebeshina kur kishte radhën të bënte hetime, ndizte çakmakun dhe ma shëtiste në fytyrë, por atëherë, në hetuesi, flokë të gjata dhe mjekër, nuk kujdeseshin, të rruanin ose të pastronin dhe bërtisja, por ishte vetëm ai në dhomë, kush do më dëgjonte?! Edhe me hetuesit e tjerë, e njëjta gjë. I përdorën të gjitha format. Në birucë, dy herë pa ndjenja. Ishte doktori i 313-ës, ai ishte psikopat, ishte njeri i çmendur vetë, seriozisht, por bënte punën e doktorit. Shtrirë në dysheme, unë nxirrja gjak nga goja. “Hajd se s’ke gjë”,- tha dhe më goditi dhe ai me një grusht. Në dyshemenë e korridorit, në biruca…

Vinin në 12.00 të natës, në 1.00 të natës, në 4.00 të mëngjesit, në 12.00 të ditës. Binin era alkool ata hetuesit të gjithë. Se dhe atëherë kishin ato klubet e tyre që pinin dhe shkonin përkëdhelnin fëmijët e tyre me duart me gjak. Merrnin rrogën dhe ushqenin familjen. Më fal, flinin dhe me gratë e tyre, por binin erë gjaku të njerëzve të pafajshëm.

Kur ju nxorën në gjyq dhe si u zhvillua gjyqi?

Mbas 5 muajsh, na çuan në Lushnjë që të gjykoheshim, por në këtë kohë, arrestimet e tjera kishin filluar që më përpara, ishin bërë dy gjyqe të tjera më përpara në Lushnjë dhe gjyqi ynë ishte i fundit. Aty, avokati ynë ishte një oficer i Sigurimit. Hetuesit kishin përgatitur ato akuzat siç u interesonte atyre dhe firmën tënde e shkruanin. Kishin një firmë tjetër tënden ata kur dorëzoje plaçkat, kur të arrestonin. Ishte gjë e kollajtë. Edhe mos ta kopjonin, thoshin: “Ky e ka pranuar”. Kë do besonin ata, gjykatësit? Ata ishin të një kallëpi të gjithë, edhe gjykatësit e Lushnjës, edhe prokurorët e Lushnjës, edhe të tjerët…Dhe gjatë hetuesisë, po kthehem prapë, Zamir Stefani më tha: "Ti, e pranon apo nuk e pranon, do dënohesh. Është bërë fleta e dënimit për ju, që kur jeni arrestuar. Kaq dënohet ky, kaq ky, kaq ky. Në qoftë se ti e pranon, mund të fitosh 4-5 vjet më pak". i thashë unë: "Unë nuk pranoj gjërat që nuk kanë ndodhur dhe nuk kam përse të fsheh gjë. Unë jam krejtësisht i pafajshëm për këtë që më akuzoni ju". Dhe po kthehem te gjyqi prapë, vajtëm atje. Filluan dënimet.

Patët dëshmitarë?

Sollën ca dëshmitarë, nga burgjet, të grupit tonë. E pyesnin njërin, ai plak i mbaruar: “Po çfarë të them unë? S’di gjë”,- tha ai. Gjëra qesharake. Një tjetër tha: "Absolutisht, ju më keni marrë mua padrejtësisht dhe unë të gënjej për këta të tjerët?! Absolutisht!" Ne shumica nuk njihemi me njëri-tjetrin, po ju na mblodhët miq, na bëtë të afërt edhe na bëtë armiq. Se ajo metodë ishte. Armiq i bënin me zor njerëzit ata. Ishte ajo metoda “përça e sundo”. Dhe na dënuan: dikë e dënuan 24; dikë 23; dikë 18...

Ju sa ju dënuan?

Mua më dënuan 20 vjet burg. Mbas një jave që na mbajtën në Lushnjë, na kthyen në Tiranë prapë. Na kanë mbajtur edhe gati 5 muaj të tjerë te 313-a, pasi na dënuan. S’e di as sot, çfarë prisnin që na mbanin aty. Më në fund, na çuan në kaush…Por para se të na çonin në kaush, mua më çuan, me gjithë atë bashkëfshatarin tim, Sejat Tarelli, isha kushëri me të, në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Kishin një seksion për të burgosurit. Se ne ishim bërë të mbaruar. Kur u arrestova isha 80 kg, në hetuesi kam arritur deri në 36 kg. Mendoje, si duket njeriu. Dhe na çuan në spital, se nuk mund të na çonin as në burg. Ndenjëm nja një javë e gjysmë aty. Familjet filluan të na vijnë për herë të parë. Sollën ca sheqer, biskota. Filluam ta marrim pak veten. Pas asaj, na çuan prapë në kaush.

Në cilin burg ju dërguan?

Kushëririn tim e çuan në Tale të Lezhës, që ishte burgu atëherë. Unë s’e dija ku e çuan, por më vonë e mora vesh. Mua më çuan në Spaç të Mirditës. Atje filloi jeta e burgut. Por dua të them këtë: një vit hetuesi, unë e barazoj me 20 vjet burg, në çdo burg të Shqipërisë. Thonë “Burreli ka qenë…” Burgu më i keq në Shqipëri ka qenë Qafa e Barit, kohët e fundit dhe pastaj, ishte Spaçi. Ziheshin të burgosurit me policët që t’i fusnin në birucë dhe t’i transferonin në Spaç….Dhe filloi jeta e burgut për mua.

Si ishte regjimi i burgut?

Një muaj më mbajtën në qetësi. Aty po bënin ca betonime dhe organizuan ata të burgosurit e papunë, që ishin të paaftë, hidhnin me lopatë zhavorr, beton. Unë në atë kohë po rrija. Dhe një djalë, nga krahu tjetër, një Skënder Tufa, nga Tirana. Një djalë i ri ishte. Kishte bërë gjithë atë burg. Xhaxhai i tij ishte kundër…I papërmbajtshëm dhe si dënim e çuan në Qafën e Barit atë. Unë nuk arrita ta njoh, njoha Skënderin. -"Skënder, i thashë, merre këtë drurin e trashë dhe të fillojmë ta sheshojmë", siç sheshohet betoni se kishte armaturë këtej dhe andej. Kryetari i Këshillit të burgut, se ishin nja 20-25 nëpunësa në burg, veç policëve, ishin të burgosur, por 99% ishin spiunë, bashkëpunëtorë të komandës, megjithatë, ai e shkruajti emrin tim dhe të Skënderit që këta dinë të bëjnë ndërtim. Kaloi kjo…Pas nja 15 ditësh, më thërresin në minierë mua, sado që isha i shkatërruar fizikisht edhe me ato shkrimet që kishte bërë ajo qendra mjekësore e 313-ës dhe deshën të më fusnin në minierë. –“Absolutisht, thashë, i gjallë unë nuk futem aty”. Bëri ca presion polici, ca goditje, edhe u largua. Në atë kohë, më afrohet një i burgosur i njohur, me emër, Bedri Çoku dhe më tha: Meleq, këta janë përbindësha, sidomos pukianët. Njerëz të varfër që i kanë stimuluar me një rrogë dhe këta policë, të zhdukin, s’mbajnë përgjegjësi. -"Jo Bedri, i thashë, e kisha vendosur,-nuk bëhet". Dhe më çuan poshtë te ai vendi ku zbrisnin vagonat. Atje ishte tmerri, si vështirësi fizike, miniera kishte të tjera vështirësi: vrasje, plagosje, ajrin e keq. Dhe më çuan me një spiun të komandës, i merrnim vagonat nga 3 ton të rënda me material dhe i shtynim, i shkarkonim atje, vinim i lidhnim te ajo pajisja që ishte atje dhe i ngjiste lart ajo, pa pushim.  Tri javë…dhe unë isha i dobët fizikisht akoma, megjithatë u mundova…shpëtova nga kjo. Kur hapën një brigadë ndërtimi dhe kryetari i Këshillit kishte të drejtën të caktonte kush do vinte. Fati im që e kishte emrin që më pa bashkë me Skënder Tufën dhe ne të dy, e kishim emrin në brigadën e ndërtimit. Vajtëm, filluam të bëjmë muret. Mirëpo, ishte muaji janar dhe unë jam një tip që i shpreh gjërat kur duhet. Erdhi polici dhe i thashë: Zoti polic, ky mur s’bëhet tani, vërja gishtin dhe shtyje me gisht se llaçi dhe çimentoja nuk ngrinin, të bëheshin solid, se ishte temperatura 12-14 gradë. S’bëhet muri, në asnjë vend të botës. Ai u turr drejt meje, që të më godiste. U hodh brigadieri i të burgosurve që kishim ne, një djalë i mirë, i sinqertë, i ndershëm, Agron Talo, i lindur në Tiranë, por me origjinë nga Treni i Devollit. “Ai ka të drejtë”,- i tha. Dhe vajti polici në komandë, ia dha tërë këto të dhëna, e mbyllën brigadën e ndërtimit. Puno ne nja një javë, dy javë atje, e mbyllën. Do ta hapnin në pranverë. Në atë kohë isha në pritje. As në birucë, s’po më çonin. As në minierë s’po më çonin. Edhe jetoja atje.

Pas ca, më dërguan disa letra, disa ilaçe për stomakun. Komanda ia dha infermierit të të burgosurve, ai ia dha një shokut të tij. Mirëpo unë krijova miq atje, miq intelektualë që dinin nga 5-6 gjuhë. Ishte Sami Kupi, Sami Malo, Gëzim Medolli, në burgun e Spaçit dhe plot të tjerë…Një ditë më vjen Samiu dhe më thotë: "Meleq, ti do shkosh të punosh në furrën e bukës". Gjithnjë, shansi më ka ndihmuar për aq burg sa bëra. I thashë: "O Sami, çfarë më thua kështu? Në furrën e bukës venë ata që kanë qenë spiunë të komandës. Si më thua mua ti"? –“Meleq,-tha,-ti e ke marrë vesh, unë e kam marr vesh: komunizmi po rrëshqet. Ata nuk duan më spiunë tani, ata duan njerëz, se kanë gjithë ato lecka, xhama, tela, gjëra të pista dhe nga ato bukë, hanin rojet që na ruanin, ordinerët, tërë oficerët dhe komanda e burgut të Spaçit, prandaj shko se unë të çoj në minierë, tha, dhe atje njerëzit i sakatosin, i vrasin gurët, policët i trajtonin keq shumë". Dhe vajta në furrën e bukës. Atje, i hoqën të gjithë ata. Lanë vetëm përgjegjësin e furrës së bukës, një dibran ai. E kishte shok ky Sami Kupi, i nipi i Abaz Kupit. E kishim njohur në internim, kur ishim në Lushnjë. Filluam punën atje. Xhemal e quanin këtë dibranin. Një Klearko Papasava nga Dhërmiu, dy herë i arratisur, prift u bë. i thanë: Po ti…?-Prapë, do iki, tha. Njeri i vendosur, zotni burrë. Kishte qenë ushtar me vëllanë tim. Ushtar në repartee pune na çonin ne. Dhe u njohëm atje. Ishte një Edmond Xhindole, nga familja Xhindole e Lushnjës. Një djalë nga Puka, dalë pa dalë i ati, e futën atë në burg, një djalë i ri, 18 vjeç. Edhe një nga Dhërmiu, një Dhori, Dhori. Edhe kishim një shoqëri kompakte atje. Filluam t’ia kalonim mirë. Unë merresha me sitjen e miellit. Gati 20-30 thasë në ditë që i sitnim, nuk dukej asnjë pjesë e trupit, por ishte një punë që do ta bënte dikush nga ne. Ata lyheshin me brumë. Prushi i ngjitej nga këmbët se bukët piqeshin në furrë me dru. Filluam t’ia kalojmë mirë atje, se u zbut edhe sistemi, ky ishte fati. Dhe vazhduam punën aty, kur mbas nja një viti e ca, prapë lajmërojnë: filani, filani, filani të zbresë poshtë, të paraqitet. Ishte ajo që unë fillova si murator, vetëm nga ai gjesti që bëmë atje, unë s’e kisha idenë, nuk kisha punuar kurrë në jetën time si murator dhe më marrin, më çojnë në Gjirokastër me autoburg, që në ato autoburge, edhe një djalë i fuqishëm të ishte, kur zbriste pas 12 orësh, ose 8 orësh në një kuti shkrepëseje, pa ajër, ku dikush sëmurej, dikush villte, ajri i keq…Arritëm, na çuan në Gjirokastër.

Çfarë bëtë në Gjirokastër?

Do bëheshin disa pallate të reja afër teqeve që përmendte ndonjëherë ai përbindëshi, Enveri edhe dukej Dropulli atje ku e ndërtuan…Ishte reparti ushtarak poshtë. Dhe burgun e bëmë vetë. Na ruanin ushtarët. Bëmë rrethimin e parë, rrethimin e dytë. Karakollet e ushtarëve që na ruanin dhe na çuan në punë pastaj. Unë s’e kisha absolutisht idenë. Edhe po të të çonin të bëje mur, apo të bëje brez betoni, unë asaj i ruhesha se po të thoshe “jo”, fillonte polici avazin. Mirëpo, policët e Gjirokastrës, në atë kohë, s’e di më përpara, ishin si nata me ditën me të Mirditës. Klima më e butë. Filluam të përtërihemi një çikë, se në Spaç, 3 orë, 4 orë diell kishte.

Çfarë viti ishte?

Ne na çuan në Gjirokastër në fund të ’89-ës dhe fati im, unë ngela nga të fundit. Të tjerët i çuan nëpër proceset e punës të ndërtimit se u ndërtuan që nga themelet, pallatet. Plus pastaj do bëheshin pllaka, gjëra, çfarë ka ndërtimi. Vjen ai polici dhe thotë: "Ti dhe ti do bëni mure mbajtës". Se atje ishte si kodër dhe nga një krah, duheshin bërë mure mbrojtës 3 metër të lartë se binin dherat te trotuari i pallatit. Dhe më caktuan me një…ish-drejtor i teatrit të Sarandës, në burg ai. Erdhi ai. Pak më i ri se unë në moshë. Nuk e njihja, aty u njohëm. "Vasil,-i thashë,-do që të mbijetojmë? Më dëgjo mua". Se unë kisha ca ide. Dhe filluam ne, bëra murin unë në fund, 80 cm, gradualisht nga 2 mm, nga 3 mm, që të dilte dhe me pjerrtësi, me siguri, këtej nga jashtë edhe me gurë të mëdhenj, që të bëhej fugatimi, ato gjërat…dhe e ngritëm, mbaruam. Vajtëm te pallati tjetër, mbaruam…Tjetrin.

Kur e kuptuat që regjimit të kohës po i vinte fundi?

Filluan lirimet. U bë gati një vit. Atë kryetarin e liruan, e bënë këtë, Vasilin, që kisha unë. i thashë: “Po të jap një këshillë: Ne po lirohemi. Mos i hidh baltë fytyrës më që të ngatërrohesh me të burgosurit”.

Nja 20-30 vjeta filluan të lirohen në atë kohë. Ishte tetor i ’90-ës. Dhe vazhduam ne prapë. Mua më vunë të bëja mure dekorativë, ata gurët dekorativ të pallatit, të katit të parë. Vetëm, unë. Kisha ca ide. Dy fuçi, një dërrasë, llaçin, çimenton, kalova disa muaj me atë punë, ku isha rehat se të tjerët i bezdisnin me policë. Kërkonin rendimentin trefish. Dhe gjatë kësaj kohe, u liruan të gjithë të burgosurit e burgut të Gjirokastrës. Ngelëm ne, gati 12-13 veta dhe u kushtonte që ta mbanin burgun, se duheshin ushtarët… Dhe na transferuan ne në Përparim të Sarandës, atje ku ishte mbyllur burgu politik, por ishin ordinerët. Kishte nja 3-4 veta politikë që kishin ngelur dhe në Sarandë. Me një Zis të mbuluar, por të paktën merrje ajër nga prapa dhe na çuan aty.

Si ishte situata në burgun e Përparimit?

Aty, absolutisht asgjë s’bënim. Vetëm me njëri-tjetrin, gatuanim ndonjë ushqim që na kishte mbetur. E kalonim kohën me muhabete. Policia s’vinte as për apel, as…Nuk hynte brenda burgut policia. E komandonin ordinerët burgun e Sarandës në atë kohë. Kur mbas 3 javësh, lajmëruan se dërgonin policinë brenda. Na thirrën ne: Do transferoheni! Dhe na sollën prapë në Repartin 313, por këtë radhë me autobus, ajër i pastër, shikoje, na zbritën për ujë te Uji i Ftohtë dhe në mbrëmje, na sollën këtu te Reparti 313, por në kaush prapë. Në atë kaush që ishim para se të shkonim në burgje, kur dolëm nga hetuesia.

Dhe dy javë mbasi na sollën këtu, lajmërim “Të dilni te porta, se ka ardhur autoburgu, do ju çojë diku tjetër”. Dolëm te porta ne. I burgosuri ka çanta me orendi, për t’i rezistuar vështirësive, tiganë, tenxhere, çorape, këpucë, rroba dimri, rroba pranvere, se punët ishin të vështira dhe kishim shumë. Polici duke bërtitur në mënyrën më të egër: "Qërrohuni, çojini brenda këto dhe hajdeni shpejt, se do ju çojmë në Burrel". Mirëpo ishin liruar edhe lajmet nëpër burgje në atë kohë, edhe televizioni raportonte gjëra. Ne i thamë: "Burgu i Burrelit është muzeum". “Hajde, hajde, atë punë e dimë ne”. Ne hymë brenda portës së 313-ës, ordinerët i vunë kyçin e tyre dhe u thanë: “Maskarenj, hajdeni merreni po jua mbajti! Nga do i çoni, nga Mali me Gropa, t’i vrisni”? Dhe ata, atë plan kishin bërë për arsye se arrestimi ynë, hetuesia jonë ishte nga më të fundit që ndodhi në Shqipëri dhe implikonte shumë nga miqtë dhe farefisin dhe lidhjet e këtyre udhëheqësave komunistë. Se ishte Ramiz Alija akoma në fuqi. Besnik Imeraj, kryehetuesi ynë, ishte mik i ngushtë i familjes së Ramiz Alisë. Dhe ra në qetësi puna. Ordinerët kishin shkopinj hekuri, kishin futur në burg thika të mëdha. Revole kishin. Dhe ramë në qetësi…Në atë kohë, filluan të na vinin dhe familjet.

Pra, shpëtuat nga të burgosurit ordienerë?

Po, nga ordinerët. Dhe ata na respktonin, sado që ata, në çdo sistem, do vinin në burg, se kishin bërë gabime që dënohen. Mund të dënoheshin më shumë, por familjet e tyre ndikuan, por nuk i shpëtonin dot nga burgu. Familjet na vinin ne, për të na takuar. Policët…u zbut puna, u jepnim një copë byreku, ose një kofshë pule, largoheshin, na linin në privat me familjen. Arritëm, morëm vesh që James Baker-i, Sekretari i Shtetit Amerikan, do të kthehet në Shqipëri për të biseduar me Ramiz Alinë. I dhamë një letër gruas sime, me listën e 11 vetave që kishim ngelur ne dhe kjo letër t’i bjerë në dorë James Baker. Ca nga ne të burgosurit kishin lidhje me ata që do të shoqëronin apo përkthyesit e James Baker-it për te Ramizi, demokratë sigurisht. U ra letra atyre, ia dhanë James Baker-it. I kërkoi Ramizit hesap në takim: Çfarë ke bërë për demokracinë? Ke premtuar do ndryshojë kjo, do ndryshojë kjo…-"Po jo, -tha,- janë nacionalistë, komunistë, janë kokëfortë. Unë po përpiqem, por nuk bëj dot gjë". -"Mbi të gjitha,-i tha,-ke 11 të burgosur që i mban. Ke deklaruar që në mars, që s’kam më. Deshe t’i çoje në Burrel, tha se i kishim shkruajtur ne të tëra. -"Ata janë agjentë, tha,- të CIA-s, të Intelligence Service-it dhe të Asfalia-s greke". Edhe ai…se na tregonte përkthyesja ne, ishte mikja e njërit prej nesh, i tha: "Amerika, Anglia, nuk kanë interes për Shqipërinë. Shqipëria është një gjilpërë që ka humbur në kashtë, por ne duam që ta bëjmë vendin siç kemi menduar ne, të vijë demokracia e të gjitha. Këtyre t’u bëjmë një gjyq ndërkombëtar e të shohim sa janë fajtorë, por për mendimin tim, nxirri një sahat e më parë, mos i hidh më baltë fytyrës".

U liruat pas këtij takimi?

Të nesërmen, në orën 4.00 të mëngjesit, që mos të shikonte populli i Tiranës që dalin akoma të burgosur politikë, na nxorën. Dhe prej aty…ca ishin tiranas, u përshëndoshëm…Dhe interesant se gjithsekush kërkonte të ikte sa më parë nga dera e burgut, ta kapërcente dhe unë qëllova i fundit, që e them me sinqeritet: i fundit i burgosur politik që jam liruar në Shqipëri, që kapërceva derën e burgjeve komuniste te Reparti 313.

Ishte data?

Data ishte 6 korrik 1991.

Ku shkuat pasi dolët nga burgu?

Morëm fletën e lirimit atje dhe ikëm. Shkuam…ca u ndanë siç i kishin familjet, shkuam te treni, zbritëm në Lushnjë, aty ishin aty ato makinat e gazit, punonjësve të gazit që punonin në kodrat e Divjakës se ne jetonim në Grabian. Një të hipur aty, në orën 9.00 ishim pranë familjes. Familjet e prisnin që do liroheshim. Plus fëmijët, vajtën i lajmëruan. Një gëzim i madh!

Prej aty, kaluan gati nja 2 muaj dhe zumë strehim te kabinat, mbas bllokut, ku jetonin sigurimsat që ruanin bllokun. Ishin pa zot në atë kohë dhe tërë ato vila që ishin aty rreth e qark. Filluan të vijnë njerëz. Filluan të vinin gjeneralë dhe oficerë madhorë me 5-6 ushtarë, i grabisnin mallin dhe i bënin të tyret. Mirëpo, ne kaluam atje për ca kohë, por menjëherë unë nisa aplikimin për t’u larguar.

Pas pak kohësh, ai i Ambasadës Kanadeze, oficeri, më lajmëron me një letër: Ju jeni të pranuar në Kanada, por ne nuk vijmë dot se ka filluar lufta për pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë nga ish-Jugosllavia dhe kërcasin automatikët në Beograd. Në nëntor, unë isha në asistencë, si i burgosur, në atë kohë. Gruaja punonte, në Nish Cigarja, i dhanë punë. Ishim në rregull. Në nëntor të ’92-shit, erdhi ai oficeri, na lajmëroi: Të paraqiteni në Tiranë, në filan orë. Kishin një dhomë në hotel Dajti, ata, Ambasada Kanadeze, se s’kishte ambasadë në atë kohë. Dhe u takuam, filloi të bisedonte me fëmijët se gjatë kësaj kohe, unë nuk ndenja i qetë: i çova fëmijët në shkollë për anglisht dhe vetë shkoja, që i shoqëroja dhe diçka kapja në ato kurset. “Dhe tani, -tha,- bëni ekzaminimet mjekësore, i dërgoni në ambasadë dhe t’ju dërgojmë lejet e emigrantëve”. Në atë kohë, unë ndenja 3 ditë në Tiranë, kisha njerëz dhe arrita t’i bëja të gjitha ekzaminimet mjekësore për vete dhe për fëmijët. Atë ditë, që po mbaroja ekzaminimin e fundit, kur e shoh këtë oficerin se ata kishin klinika, doktorë të caktuar që i bënin këto. Më njohu. Po ti?-tha. -Po, i thashë,-ja kjo është e fundit, i mbarova. -Ok, tha ai, dërgoji. -Mund t’i marrësh ti tani?- i thashë. Ai kishte një çantë. -Posi,-tha. i mori ato aty dhe më tha mua: Fat të mbarë! Do t’ju vijnë vizat me postë. I thashë unë: Jo me postë! Dërgojani vëllait tim se ato vizat mund të shiten 100 mijë dollarë a 20 mijë dollarë secila se ishin pesë, dokumente leje e emigrantit, jo viza, permanent residence. I thashë: adresën e vëllait e keni se ai ka bërë sponsorizimin e të gjitha. Vërtet ashtu ndodhi, ia dërguan vëllait. Një shqiptar erdhi në Rinas, dola në Rinas, i mora. Kishte prerë edhe biletat vëllai. Në datën 25 shkurt të vitit 1993, ne u larguam nga këtu. Familja e parë shqiptare që është larguar nga Shqipëria me letra të mbaruara, si familje. Individë filluan që në ’89-ën, apo më vonë. Tani jemi aty, punojmë. Tani jemi në pension të dy me gruan. Fëmijët mbaruan kolegjet e larta, universitetet, janë nëpunësa dhe kanë një jetë të këndshme dhe të rehatshme dhe ne jemi të gëzuar që jetojmë aty në atë vend.

Ku jetoni?

Qyteti ynë quhet Mississauga, është e ngjitur me Toronton.

Faleminderit zoti Meleq.

I falenderoj të gjithë shqiptarët që do të dëgjojnë këtë intervistë në Youtube, apo kudo që të jetë.

Të kenë një jetë të shëndetshme, të gjatë dhe të lumtur!

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here