Dënimi i Patër Anton Harapit u shoqërua me arrestime, torturime dhe dënime të rënda. Disa u vranë të tjerët u burgosën. Mes të burgosurve kishte edhe gra e fëmijë
Anton Harapi fshihej prej muajsh në Plan të Pultit. Kërkohej nga komunistët si ish-anëtar i Këshillit të Regjencës, post të cilin kleriku e kishte bërë të qartë që e kishte pranuar për të shmangur gjakderdhjen në Shqipëri. Megjithatë qëllimet dhe personaliteti i tij, nuk mund ta mbronin para dallgës hakmarrëse të komunistëve, ndaj kur ata hynë në Tiranë në fundvjeshtën e 1944-ës, Anton Harapi shkoi në Shkodër dhe nga aty në Dukagjin. Pas qëndroi disa ditë në Kir, u vendos në Plan të Pultit, ku kaloi gjithë dimrin e pranverën e ardhshme deri në fillim të qershorit kur shtëpia ku strehohej dhe gjithë zona ishin rrethuar nga komunistët dhe ai u detyrua të dorëzohej. U arrestua dhe pas një hetuesie të gjatë, në shkurt të vitit 1946 doli para gjyqit ushtarak që e dënoi me pushkatim. U ekzekutua të nesërmen, por hakmarrja e komunistëve nuk u plotësua me ekzekutimin e Anton Harapit. Strehimi i tij ose dhe ndihma që i kishin dhënë malësorët gjatë muajve që fshihej ndër ta, u bë shkak për ekzekutime, dënime me burg të grave e burrave si dhe tortura e mbyllje në qelitë e paraburgimit për muaj të tërë edhe të minorenëve.
Fatbardha Mulleti Saraçi ka publikuar disa shënime të Kolë Verrit, në shtëpinë e të cilit ishte strehuar Anton Harapi, ku Kola përshkruan qëndrimin e fratit në Dukagjin dhe arrestimet e torturat që shoqëruan kapjen e tij.
Arrestimet
“Kontrolluan nëpër shtëpi, kanë hapur arkën e rrobave të nënës, kanë vrojtuar vathën e lopëve e të dhive, se delet ishin jashtë. Morën me vete vëllain tim, Prekën dhe janë drejtuar për në qendër të fshatit që ishte Kisha e Planit. Sapo u larguan forcat rrethuese ka ardhur Mark Kola bashkë me Gjonin, kanë hapur bodrumin, nxorën fratin, të cilin e kanë çuar mbi shtëpi, në pyllin e verrave. Gjatë natës e kanë torturuar Prekën, kanë bërë me të çfarë i ka ardhur në mendje. E kanë torturuar shumë. Ai nuk ka treguar asgjë. Në mëngjes Patër Anton Harapi ka thënë :- Due me u dorëzue vullnetarisht, tue marrë parasysh se nuk kam ba ndonji të keq ndaj Atdheut dhe askujt, veçse kam predikue tanë jetën paqe dhe dashuni për njerëzimin. Sa u dha lajmi se Patër Anton Harapi është dorëzuar, nga forcat e ndjekjes krisi pushka te Kisha e Planit dhe në të gjithë krahinën ishin shpërndarë forcat ndëshkimore komuniste. Në këtë kohë kanë arrestue Prekë Marashin, nanën tonë, Pashkë Zefi, gjithashtu kanë arrestue Prek Ndoun që ishte i pari i bajrakut të Planit, si dhe Mark Kolën djalin e axhës të Shytanit (Lulashi) dhe patër Gegës (Lumaj).
Të nesërmën janë kthyer forcat ndëshkuese në shtëpinë tonë, kanë arrestue dy vëllezërit Gjonin e Prelën si dhe motrën Lulën, ndërsa unë- Kola, në rrëmujë e sipër munda të largohem, pasi ato e kishin mendjen me plaçkitë, duke marrë dhen, dhi dhe katër derra. Qendra e Dukagjinit ishte larg, me ecë në këmbë duhej tetë orë. Prek Marash Verrin e kishin torturuar tmerrësisht, s’ishte në gjendje të ecte, e kanë hipur në mushkë, për ta dërguar në Degën e Punëve të Brendshme, që në atë kohë ishte në Kodër Shëngjergj. Edhe Patër Anton Harapit i siguruan një mushkë për transport (si i moshuar). Rrugë automobilistike nuk kishte. Të tjerët i kanë lidhur dhe i kanë ruajtur me armë gjatë gjithë rrugës, sepse po atë ditë janë arrestuar dhe familje të tjera në fshatin tonë dhe kështu ishte bërë një karvan i gjatë, që të shtinte tmerrin. Një rrugë e mundimshme nga Plani deri në Kodër Shëngjergj. Gjatë periudhës që qëndruan në hetuesi të Dukagjinit janë përdorur të gjitha torturat e mundura. Më vonë i përcollën të lidhur dy nga dy me litarë nga Kodër Shëngjergji deri në Theth, aty i priste karvani i shoqëruesve me makina. Gjatë udhëtimit që zgjati tetë deri në dhjetë orë i kanë sharë. (Ishte një grumbullim i detyruar nga forcat e ndjekjes). Sapo janë paraqitur në Shkodër janë veçuar nëpër hetuesi të ndryshme, sepse Shkodra ka pasur shumë burgje në atë kohë”.
Vrasjet dhe dënimet me dhe pa gjyq
Kolë Verri vazhdon të shkruajë edhe për pasojat që patën të arrestuarit, të cilët i ndanë kur mbërritën në Shkodër. “Patër Anton Harapin e veçuan nga strehuesit. Gjyqi dënoi: Prek Nduen me vdekje, me pushkatim. Prek Marash Verrin dhe Mark Kolën Plavrën i dënuan me 101 vjet, ndërsa nanën tonë Pashka Zef Verri 30 vjet burg, ndërsa Gjon, Prel dhe Lula Marash Verrin i kanë mbajtur në paraburgim tetëmbëdhjetë muaj, pastaj i kanë liruar si të mitur, dmth ishin minorenë”.
Dënimet nuk ishin vetëm ato që u dhanë në gjyq. Forcat komuniste të përhapura në gjithë zonën e Dukagjinit bënë edhe ekzekutime pa gjyq, si vëllezërit Mark Nosh Qepuri dhe Mirash Nosh Qepuri. Në një raportim të publikuar nga kujto.al që divizioni i Mbrojtjes së Popullit ia niste Komandës, njoftohet për vrasjen e Mirash Qepurit më 15 tetor 1946, për të cilin thuhej se kishte qenë i arratisur, ishte dorëzuar dhe ishte lënë i lirë, mirëpo duke qenë që ai vazhdonte të ndihmonte ilegalët, u arrestua. Dokumenti njofton që gjatë shoqërimit ai kishte dashur të ikte dhe për këtë arsye u vra. Nuk është e para herë që vrasjet në burgje apo gjatë shoqërimit të të arrestuarve justifikohen me faktin e përpjekjes për të ikur, por, shumë herë, dëshmitarë të ndryshëm, e kanë mohuar këtë arsye që shënohet në raporte dhe askush nuk mund të thotë që ka qenë e vërtetë në këtë rast. Burri i motrës së vëllezërve Qepuri, Engjell Gjok Lula, e shpjegon ndryshe vrasjen e tyre. Duke folur për projektin “Formësimi i kujtesës kolektive”, ai thotë se ata u vranë për shkak të përfshirjes në fshehjen dhe strehimin e Anton Harapit.
Mes arrestimit të klerikut dhe vrasjes që raportohet në raportin e divizionit të Mbrojtjes Popullore është një periudhë mbi 1-vjeçare, kohë gjatë së cilës komunistët kishin vrarë vëllanë e Mirashit, Markun e më pas, Mirashi, i arratisur sipas tyre, ishte dorëzuar, ishte lënë i lirë e më pas ishte arrestuar, për t’u vrarë gjoja duke tentuar t’u ikte nga duart. Ndërsa versioni i Engjëll Gjok Lulës është ky:
“I kanë pushkatue të dy vllaznit e grues teme. Për Patër Anton Harapin… Demek…, ‘I keni ba ju, rrugë…’Ai kish dalë n’mal e kish shkue n’Plan. Atëherë, Patër Anton Harapin e kapën edhe e pushkatuen. Edhe pushkatuen edhe ato dy vllaznit që i zunë mren…Që e kishin mbajtë e strehue… E i vranë dy djelmt edhe i dogjën shpinë atij… Patër Anton Harapin e muarën e grinë…Atëherë, e muarën vllanë e grues teme, t’madhin, (Markun) e çuen n’Kodër t’Shëngjergjit edhe e mytën n’hu…, nejt tre muaj. Atëherë e pushkatuen… A e pushkatuen a e mytën n’hu…, nuk e di… ! Edhe mbrapa erdhën…, i vllaj që ish te shpia…, erdhi, lypi nji mushkë n’Prekal. Ndodhi Xhemal Selimi aty…, operativ i Sigurimit…, ishte me ‘carta bianca’, pushkatonte kë deshte ai… Erdh dhe Tom Mëhill Nikaj i Prekalit. E kapën… ‘Ku shkon ky…? Mirash Nosh Qepuri…’ thanë. E morën e lidhën, ia nisën hunit aty e deri n’vriqe t’Shoshit, nj’atje… Atëhere, u mbet se s’mundej t’ecte ma prej hunit… E pushkatuen dhe e lanë aty mrena nji cubet. Në ma të mirën kohë…! Ishte nja 35 vjeç.”.
Ishin vitet më të rënda për mbarë zonën e Dukagjinit. Antikomunizmi i popullit të kësaj zone, dalja në mal e prijësve më në zë, për ta luftuar regjimin e ri, kishte egërsuar drejtuesit e divizioneve të Mbrojtjes Popullore dhe të gjithë shtetit, të cilët përdorën metodat më gjakësore për të nënshtruar, si e si, të panënshtruarit. Vrisnin pa gjyqe, arrestonin e torturonin, plaçkisnin e digjnin shtëpitë, terrorizonin gratë dhe fëmijët. Vitet 1945-1946, kanë një bilanc drithërues viktimash dhe dënimesh në Malësi, ku një nga akuzat është edhe ndihma dhe strehimi i “ilegalëve” apo “kriminelëve”. Në një kohë që të tillë ishin shpallur prijës, patriotë, ushtarakë e klerikë të respektuar. Në një kohë që të tillëve, malësorët nuk mund t’u mbyllnin derën apo t’u mohonin ndihmën. Por lufta e pushtetit ndaj kundërshtarëve të vet, nuk bazohej as në kodet morale, as në ligjet e së drejtës. Regjimi përdorte çdo mjet për t’ia arritur qëllimit: zhdukjes së tyre.
Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.