Apeli i pushkatimit në Breg-Lum të Shalës

0
299
blank

Dëshmia e Ndue Dedës për tubimin e popullsisë në Breg-Lum të Shalës, ku komandanti i divizionit të Mbrojtjes Popullore, thërriste emrat e malësoreve dhe i hiqte mënjanë. Disa i nisën për në burgjet e Shkodrës, ndërsa tre i pushkatuan në vend. Dy i pushkatuan buzë një përroi, pak më tej …“Veç kur kena ndi pushk e kur kan’ than Rrnoft partia”! Tjetrin para syve të  malësorëve të grumbulluar si kurrë më parë. Ishin tre fshatarë të zakonshëm. Pa funksione. Nuk u bë asnjë gjyq ndaj tyre e as u sollën prova.  Vetëm u tha që u kishin dhënë bukë e armë antikomunistëve në male…

 

Vjeshta e 1946-ës ishte një kohë kundërshtish të ashpra mes regjimit dhe antikomunistëve të Veriut. Një grup jo i vogël burrash ishte në male, por ata nuk mund të krahasoheshin me shtetin që kishte në dispozicion ushtri e kazerma me armë. Megjithatë, komunistët nuk mjaftoheshin me avantazhin në njerëz, armatime, mjete e fuqi të një shteti, por vepronin si banda kriminale, duke ekzekutuar, rrahur, terrorizuar, plaçkitur, kë të dëshironin, pa gjyq e pa prova, vetëm për t’i treguar forcën e për ta frikësuar popullsinë e Veriut. Dhe sa më shumë zgjaste qëndresa e atyre që regjimi i quante “kriminelë” dhe mbështetja e malësorëve ndaj tyre, aq më kriminale bëheshin veprimet e komunistëve.

Kjo që po publikojmë sot është dëshmia e Ndue Ded Mëhillit (Kulla) për ngjarjet në Breg-Lum të Shalës më 27 shtator të vitit 1946, publikuar në “Formësimi i kujtesës kolektive. Ngjarjet në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë, 1945-1946”, me autor Fabian Kati, botim i UET Press. Rezistenca antikomuniste e Dukagjinit kishte nisur prej kohësh, ndërkohë që kundërpërgjigjja e regjimit, që kishte shtypur dhe kryengritjen e Postribës, ishte e papërmbajtshme. Atë ditë, sipas Ndues, i gjithë populli i zonës ishte thirrur me detyrim në një tubim dhe  komandanti i divizionit të MP thërriste emra malësorësh. Tre prej tyre u ekzukutuan menjëherë.

blank
Ndue Ded Mëhilli

“Unë, kur janë pushkatu n’Breg-Lum t’Shalës, kam ken present kur u pushkatun…: Tom Zef Bajraktari, Vokël Kola dhe Ded Mëhilli. Atëherë kam ken 13-14 vjeç, në ‘46-ën, kur u pushkatun. Njerëzit, dikush thoshte me i çu n’gjyq, dikush me i pushkatu pa gjyq… Fjalën e qitshin në emën t’popullit… populli s’kish kurrgja n’dorë… se me i thanë mos me i pushkatue… ai i pushkatonte vetë… Këta tre burra janë pushkatu pa gjyq n’breg t’lumit t’Shalës. Aty ka ken gjith zona e veriut, me urdhën nga 14 vjeç e përpjetë…Burra, gra… Gjithkush…. (Mbledhur) me urdhër… për me i shti frikën popullit… kish ardh gjith populli aty… Me ba mos me pru pjesëtarët e familjes, e çojshin kryetarin e familjes dhe i thojshin: ‘Ku i ke pjesëtarët e familjes, pse s’i ke pru…?’ …(Këta s’kishin bërë) kurrgja. Se s’kishte fakte… Ne s’na thanë se kanë ba ndonji gja… ‘Je kundra pushtetit’…, ‘Mban kriminelat’…, ‘I jep bukë kriminelave’…, ‘Nuk e don pushtetin’… me nji ato fjalë i kanë pushkatue”, kujton Ndue  Deda.

Një dokument, i publikuar kohë më parë nga kujto.al, i firmosur nga Musa Daci, major i veprimit në divizionin e Mbrojtjes së Popullit, rendit emrat e 13 të pushkatuarve ato ditë në zonë e Veriut të shoqëruar me arsyet e pushkatimit, të cilat përputhen me fjalët e dëshmitarit, por paraqiten si justifikime të mjaftueshme për ekzekutimet:

Tom Zef Pali nga katundi Benë Shllak djali i Bajraktarit të Shllakut: për arsye se ka qenë bashkëpunues i Gjergj Vatës,  arratis më datën 22/IX/ 1946, ka ushqyer me bukë Gjergj Vatën me shokët e tij (pushkatue me datën 27/9/46)

Vogël Kola nga katundi Palaj i Shoshit ish kryetar i këshillit të frontit, pushkatue me datën 27/IX/1946 për arsye se ishte bashkëpunues i kriminelëve Gjergj Vatës dhe Mark Malës, i cili më datën 13/8/46 dhe më 25/9/1946 ka ushqyer të sipërmit dhe dhënë informata dhe pse i udhëzuar nga të sipërmit me anën e panikut që do të fuste në popull do të ilegalizoheshin shumë persona të dyshimtë të nxitur nga ky.

Dedë Mëhilli nga katundi Broshtë i Shoshit, pushkatue në datën 27/IX/1946 pse ishte bazë më e shëndoshë e ilegalëve Gjergj Vatës, Gjelosh Ndoit, etj. dhe pse i ka dhënë dy pushkë Gjelosh Ndoit, për të cilën deklaroj dhe vetë ky kur u qit për të pushkatuar. Ky u pushkatua pse nuk tregoj pushkën dhe pse për nxjerrjen e armëve duhej të pushkatoheshin”,-shkruej në dokument.

Këta tre burra nuk e kishin kundërshtuar regjimin me armë, ishin tre burra si gjithë të tjerët e zonës dhe duke vrarë ata, regjimi u tregonte gjithë dukagjinasve që duhej të hiqte dorë nga mbajtja me bukë e bijve të vet në mal, përndryshe masat ndaj tyre do të ishin ekstreme.

“Këta…, njerëz të thjeshtë pa kurrfarë detyre, as me rrogë, as me kurrgja…, veç njerëz si tan populli tjetër…as bajraktarë, as vojvodsa… S’kanë ken kurrgja. Tom Zefi ka ken djalë bajraktari…, ai që asht prej Shllakut. Ndërsa Vokël Kola s’ka ken veçse fshatar i fisit tonë. Ded Mëhilli prap, edhe ai asht prej Shoshit, edhe ai fshatar… E kanë akuzu se i ka dhanë armë nji krimineli. Gjelosh Noshit e Ndue Noshit. Se kriminel i thojshin këta atyne që kanë dal n’mal për mos me u pushkatue… Ata ishin kundra Qeverisë e ishin n’mal….E akuzun se ky ka furnizu me armë. Por realiteti…, si thoshte ai… dhe si ishte e vërteta… çfarë dishim na… nuk ka pasë atë lloj arme gjatë gjith kohës që ka mbajt armë. E akuzoshin për nji italiane të shkurtër me 60 fishekë…, që ‘ja ke dhanë Gjelosh Noshit ‘ thoshin…e ‘lufton kundra partizanëve’.”-ka thënë Ndue  Deda.

Të mbledhur me urdhër, malësorët u bënë dëshmitarë të një terrori të patregueshëm. Një apel makabër që thërriste emra burrash e më pas i ndante. Disa i niste burgjeve e disa i pushkatonte, pa gjyq, pa të drejtën për t’u mbrojtur, pa të drejtën e një fjale të fundit. Egërsia e regjimit tani njihej mirë nga të gjithë, por ndoshta asnjë nga të pranishmit nuk e kishte menduar që atë ditë do shihte me sytë e tij ekzekutime. Aq më pak do e kenë menduar Toma, Vokli e Deda që ajo ditë ishte dita e tyre e fundit.

“…( Ded Mëhilli) ka ardh n’mbledhje si tan populli…, para tan popullit e kanë thirr. Popullit ju tha që ‘ata që luftojnë kundra Qeverisë dhe vrasin partizanët… e janë n’mal… e janë reaksionarë… e janë kriminela, do t’i pushkatojmë e do t’i internojmë!’ Edhe u mblodh populli… kur mbajti konferencën ai Musa Daci, ka ken komandant i operacionit… Mund t’ken ken nja dymijë e pesëqind vetë… tre mijë vetë. Ishte i rrethuem vendi gjithkund aty. Para se me ba pushkatimin i rrethun t’gjith njerëzit që ishin aty. Ne ishim në nji grop atje, në një fellinë asht gropa, atje te Ura e Shalës. Ato majat ishin me ushtri t’rrethume, për mos me ba kryengritje ose revolta populli. Thirrshin këta njerëzit…, kanë thirr nja 35 vetë… Nga ata, tre i kanë pushkatue. ( I thërrisnin) me emën: ‘Filani… cohu!’, ‘Këtu’… ‘Arrestoje!’ E arrestojshin, i qitshin atje grumbull… Në fillim kanë pushkatue Vokël Kolën e Tom Zefin… Atëherë…, kanë thirr Ded Mëhillin dhe e kanë pushkatue… e atëherë, kanë fillu me këta të tjerët…35 vetë që i kanë nis e i kanë çu n’Shkodër… e i kanë dënu dikënd 5 vjet e dikënd…..I thojshin: ‘Filani!’… ‘Këtu!’ - i thojte… ‘Cohu hajde këtu!’… edhe e akuzojshin atëherë: ‘Ke mbajt kacakët’… apo ‘U ke dhan bukë kacakëvë’…apo ‘Ke armë pa leje’…apo... rrethanat e veta…”

Të tre ekzekutimet u bënë aty për aty. Dy prej tyre i dërguan buzë një përroi, ndërsa Dedën vetëm pak metra më tutje dhe e vranë në sy të gjithë malësorëve.

“Ded Mëhillin nuk e kanë largu ma tepër prej popullit sesa këtu e te dera e klubit…Ndërsa këta i kanë vra n’prru, ma larg…, nji fije ma larg nesh. Ne veç kur kena ndi pushk e kur kan’ than ‘Rrnoft partia!’… Ata i kishin pas pushkatue ata t’dy. Kurse Ded Mëhillin… këtë e ka pa tan populli. E kena pa të tan kur asht pushkatue….e ka vra Xhemal  Selimi. Ne nuk e kena pa atë grupin tjetër atje… se sa kanë ken atje ushtarët… se kanë ken në nji përru, në nji fellinë, larg popullit. Ndërsa Xhemal Selimi ka ken aty që i thonte ky [komandanti]: ‘Arrestoji!’. I ka arrestu ky, i ka largu prej popullit nja 10 metra…, e i ka pushkatue. Me automatik. (Breshëri)…”

Kjo është një ngjarje që as Ndue Deda e askush tjetër nuk do e harronte, e megjithatë nuk është e vetmja. Kujtesa e dukagjinasve me një farë moshe, në ato vite, është e njollosur me kujtime të tilla.

“Ngjarjet këtu kanë vazhdue vazhdimisht… Shumë ngjarje. Por para popullit, me kaq shumicë popull…, nj’aty janë pushkatue njerëzit. Edhe mandej janë pushkatue n’Prag, n’Kodër t’Shëngjergjit e…, n’Nikaj e…, n’Mertur e…, n’Shllak e…, vra n’mal e n’kocak… e djegë shpia e… Asht ba terror n’Dukagjin”-thotë Ndue  Deda.

Një terror që mbeti i fshehur brenda atyre maleve. Siç mbeti dhe rezistenca e pashoqe antikomuniste e Dukagjinit, ende e panjohur, e papublikuar dhe e pavlerësuar sa duhet.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here