Dëshmia/Hajro Sejdini: M’i lanë prindërit e moshuar ta gdhinin jashtë, në të ftohtë

0
145

Puna e rëndë dhe muajt e egër në burgun e Spaçit, ku veç kushteve mjerane, të dënuarit duhet të përballonin edhe sjelljen mizore kapterëve, veçanërisht pas revoltës së 73-shit. Hajro Sejdini tregon sesi egërsia e tyre nuk shprehej vetëm ndaj të dënuarve, por edhe të afërmve të tyre, siç ishte rasti kur prindërve të tij, të moshuar dhe sëmurë, iu desh të kalonin një natë në mes të të ftohtit të Mirditës sepse komanda nuk e lajmëroi Hajron për takimin

Dëshmia e plotë

Kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?

Familja ime... Kemi qenë familje e madhe ne, kështu 30 veta në një shtëpi. Babai me vëllezërit e vet.  Unë kam lindur në ’33-shin, në 21 shkurt.

Me se merreshit para se t’ju arrestonin?

Përpara se të më arrestojnë unë kam qenë si sportist, kam qenë mundësi më i mirë i Shqipërisë, sidomos i ushtrisë një herë. Pastaj, mbrapa, bëra një kurs shoferash këtu në rrugën “Katër dëshmorët” në Tiranë. Mora patentën edhe hyra shofer në sanatorium. Aty pasi bëra nja 25 vjet gati me makinën, aty më arrestuan vetëm se një vëllai im ishte i arratisur. Ai ishte i sëmurë nga nervat, Nuredin Sejdini. Nuredin Sejdini partizan. Ç’është e vërteta i marrë me polici se kështu i merrnin atëherë. Edhe i plagosur dy herë, një herë në dorë, një herë mbrapa, invalid i Luftës Nacionalçlirimtare. Më në fund, ia sollën në majë të hundës, kaloi një krizë nevore edhe ia mbathi u arratis.

Në ç’vit është arratisur vëllai juaj?

Vëllai im është arratisur si ta them unë ty, në ‘65-ën.

Ju në cilin vit ju arrestuan?

Unë u arrestova në ’71-shin.

Si ndodhi arrestimi?

Momenti i arrestimit ka qenë kështu: punova atë ditë me makinën. Kam qenë me kamion kohët e fundit.  Edhe u nisa për shtëpi. Sa shkova te Rruga e Elbasanit, ish-trikotazhi, edhe më doli një Ali Anadolli që ka vdekur tani, më doli përpara ai. “Si u ngryse? Po ku ke qenë”?  “Në pazar- i thashë unë- duke shëtitur”. “Ashtu- tha- po makinën ku e ke”? “Në sanatorium”, -i thashë unë. “Po mirë –tha- a e di- më tha mua ai- që ta kanë vjedhur makinën”? “Më vjen keq”.“Mirë,–tha-do të shkojmë ta kërkojmë”. (5-27/6-13) Kur shkuam para Ambasadës Jugosllave, aty m’i vendosi hekurat ky, Ali Anadolla. “Hajro-tha- në emër të popullit je i arrestuar”! Kaluam nga Legata Jugosllave, te burgu i ri. U hap dera atje dhe më çuan në dhomën e parafundit, ku ka qenë Koçi Xoxe. Atje më futën, se si duket nuk kishte vend tjetër dhe më futën atje. Ama çfarë të të them një pisllëk i jashtëzakonshëm! Ndejta aty nja 4 muaj gati në hetuesi pastaj dola në gjyq.

Kush ka qenë hetuesi juaj?

Hetuesi im ka qenë Sali Budo. Përmetar si origjinë po me të thënë të drejtën nuk më trajoi keq. Me fjalë të tjera nuk më rrahu, të më godiste, andej-këtej.

Po kushtet e qelisë si ishin?

Apapa qamet fare! Edhe u sëmura nja dy-tri herë aty në birucë.

Për çfarë ju akuzonin?

Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor .

Ju ballafaqonin me dëshmitarë gjatë kohës së hetuesisë?

Po, nja katër po .

Ishin të vërtetë apo të rremë?

Merre me mend kur vinte viti i ri, flas për personelin e sanatoriumit, se unë isha beqar, kur vinte viti i ri vinin e kërkonin lekë borxh tek unë. Kush një mijë lekë, kush një mijë e pesëqind lekë. Kur më hynë aty në hetuesi një nga një, thashë se ra hetuesia sipër meje. “Edhe këta -thashë me vete– më dolën dëshmitarë? Po këtyre çfarë u kam bërë?!”

Pas katër muajve hetuesi, ju nxorën në gjyq?

Po.

Sa ju dënuan?

Pesë vjet.

Në cilin burg shkuat pasi morët dënimin? 

Më çuan mua në kripore të Vlorës, bregdet. Atje ndejta 3 muaj. Prej aty pastaj u hap kampi i Ballshit. U hap, më çuan atje. Na çuan të gjithë kampin, gjoja se mbaroi ajo kriporja atje. Edhe u mbyll ai kamp atje në kripore të Vlorës. Më çuan vetë i 50-të, 50 veta. Më çuan në Spaç pasi bëra 3 muaj në Ballsh si i parehabilituar. Spaç atje, në planet e pjerrëta i thoshin, në drejtim të Pukës. Vallaj punë e rëndë! Aty unë i bëra nja 38-39 muaj në Spaç.

Si ishin kushtet në kriporen e Vlorës?

Me supë me la kokën. Edhe në Ballsh po ashtu. Në Spaç diçka më mirë me ushqimin. (15-01/ 16-10)

Po personeli i burgut si sillej me të dënuarit?

Aty ne e kishim personelin... i kishim vendas, mirditas. Aty ishin nja 4-5 zotërinj, një Gjet Qubi, një tjetër, një Prenga, Mark Qubi a ku ta di, ishin djem të mirë nuk të binin më qafë kot. Ama ishin disa aty: një Preng Rrapi, një tjetër Ndue andej- këtej, të mbysnin në dru. Edhe atje, po të bije në birucë, në Spaç, në birucën e Spaçit, sidomos gjatë dimrit, po të dënoheshe 15 ditë ose në qoftë se do ta shtonin se nuk punoje sipas disiplinave,  rrezik mbaroje fare.

Ka pasur raste aksidentesh ose keqtrajtimesh në burg?

Po, po, rrahje ka pasur herë pas here, po ai kamp u prish pas revoltës, revolta e Spaçit me famë madje. Ajo u shkatërua aty fare pastaj. U bënë kapterët të plotfuqishëm. Nuk pyesnin as për oficerë e komandantë, fare. Të mbysnin në dru.

Kur u liruat nga burgu?

Unë u lirova nga burgu në ’76-ën.

Si  rrodhi jeta juaj pas burgut?

Kadri Ismail Lati, zëvendëskryetari i parë i Degës së Punëve të Brendshme këtu në Tiranë nuk më dha as patentën. Se unë nuk kisha rënë prej patentës në burg.  Hyra në ndërmarrjen ndërtim-gjelbërim këtu në Tiranë.

Punëtor?

Punëtor, punëtor i thjeshtë. Aty më futën në krasitje.

Po me familjen tuaj çfarë ndodhi?

Po unë isha beqar.

Me prindërit?

Nëna... ishin atje në Ostren të vogël. Kurse babai im, Myslim Sejdini ka qenë për granilin, për përdorimin e granilit, ustai më i mirë.

Sa kohë kaluat në Spaç?

Tridhjetë e tëtë- nëntë muaj.

Spaç?

Po, palëvizur fare.

A  kanë ardhur të afërmit tuaj t’ju vizitojnë atje?

Po, kanë ardhur, po nuk ia harroj komandës atë natë. Një natë kishin ardhur pleqtë. Unë isha turni i dytë. Nuk kishin ardhur me më lajmëruar ata të komandës, që “hajde se ke takim” se ishte rregull ai. Edhe pleqtë i kishte zënë akshami aty, nata edhe kishin ikur aty matanë, po në rrugën e makinës, në drejtim të jugut, aty kishin fjetur jashtë, mirëpo ishte pak ftohtë.

E kaluan natën jashtë?

Ata kishin fjetur jashtë. Dy pleq, edhe të sëmurë, sigurisht të dy ishin me tension kur rashë brenda unë. Atë natë, unë nuk ua harroj pleqve. Vetëm ajo domethënë, kujtimi i parë i imi që pleqtë vuajtën një natë, fjetën jashtë, mes Mirditës, prej meje.

Nga Arkiva e Damiljes Doko/ kujto.al

 

 

 

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here