Dënimi i shoqëruesit të Mehdi Frashërit

0
3
blank

Sali Ahmet Vata vuajti gati 20 vjet heqje lirie, vetëm se i shërbeu kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashëri për më pak se një vit. Më parë, kishte luftuar kundër pushtuesve. Më pas, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria me Mehdi Frashërin, pasi siç thoshte ai vetë "nuk kishte bërë gjë" dhe nuk kishte përse të kishte frikë. Megjithatë, pa prova dhe fakte, diktatura e dënoi dhe e dërgoi në burgun e Burrelit.

 

Sali Vata, lindur më 1.1.1890 në Macukull të Matit, vinte nga karriera e ushtarakut. Shërbeu për shumë vite si oficer i Rojës së Kufirit. Pushtimi fashist i 7 prillit 1939 e gjeti me shërbim në Patok. Nuk pranoi më të shërbejë dhe shkoi në vendlindje.

Luftoi kundër italianëve e gjermanëve, derisa iu përgjigj thirrjes së Komandës së Mbrojtjes Kombëtare në tetor 1943. U vu në shërbim si shef i sigurimit të kryetarit të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërit. Nuk kish pasur asnjë përgjegjësi tjetër. Në Shkodër qëndroi gati një javë me Mehdiun. Nuk iu përgjigj ftesës së Mehdiut për t’u larguar nga Shqipëria. Në Kukës u dorëzua te partizanët.

U arrestua më 5.2.1945. U akuzua në bazë të neneve 14 e 15 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945. Iu përgjigj komisionit hetimor të drejtuar nga Kristo Çevi në përbërje të të cilit ishin edhe Selim Stërmasi (përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar) dhe Nedret Hoxha (përfaqësuese e Gruas Antifashiste). Pati dëshmi të shumta pro tij, përfshi edhe një peticion të vendlindjes. Akuza nuk gjeti më shumë sy dy dëshmitarë kundër të cilët nuk thanë asgjë rënduese, ndërsa njeri prej tyre dëshmonte një ngjarje krejt ordinere të vitit 1944 kur ai kish qenë i pirë.

Në gjyqin e zhvilluar në kinema “Tomori”, nuk pranoi asnjë akuzë, madje tha se kish luftuar fashizmin dhe 4 ditë nazizmin. Midis të tjerash deklaroi: “Kam shoqëruar Mehdi Frashërin deri në Shkodër. Ai më tha ta ndiqja, por unë i thashë se nuk do shkoja me të sepse nuk kisha bërë gjë. Meqenëse në Shkodër u përhapën shumë fjalë alarmuese se gjoja partizanët porsa hynë në Tiranë kanë vrarë njerëzit nëpër rrugë, nga frika, 1000 e ca veta, sa ishin në Shkodër, janë dorëzuar te partizanët. E shoqërova deri në Shkodër Mehdi Frashërin sepse i kisha dhënë besën mos me e tradhtuar se unë nuk tradhtoj njeri”.

Gjykata Ushtarake e Krahinës Ushtarake të Korpusit të 1-rë e drejtuar nga nënkolonel Bilbil Klosi, me pjesëmarrjen e prokurorit Ismail Çaushi, me vendimin nr.59, datë 23.6.1945 e deklaroi fajtor dhe duhet ta ketë dënuar me burgim të përjetshëm (në dosje mungon dispozitivi), dënim që i është kthyer me 25 vjet. U lirua më 27.11.1964 nga Reparti nr.321 Burrel.

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here