DASH kritika ndaj qeverisë për të përndjekurit politikë

0
253
blank

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit: Qeveria nuk ka bërë përparim në lëvrimin e kompensimeve për ish-të përndjekurit politikë gjatë vitit

Nga Luljeta Progni

Hasan Demiraj, është 82-vjeçari nga Tropoja, që jeton në mjerim si rrallë kush në këtë vend të varfër. E gjithë jeta e tij është sagë vuajtjesh e hidhërimesh. I ati, Idriz Beg Demiraj u arrestua në fillimet e diktaturës dhe u dënua me 15 vjet burg për agjitacion e propagandë. Pak muaj pas burgosjes së tij, u arrestua bashkëshortja e Idrizit dhe u dënua blankme 1 vit burg për agjitacion e propagandë. Gjashtë fëmijët e tyre mbetën jetimë pa asnjë mbështetje dhe të përbuzur e sulmuar si fëmijë të "armiqve të popullit". Askush nuk afrohej te kulla e tyre për t'i parë nëse kanë ngrënë, nëse kanë ftohtë, nëse qajnë për nënën e tyre të burgusur. Hasani ishte në atë kohë 9 vjeç, më i madhi i gjashtë fëmijëve të kullës së Idriz Beg Demirajt, në fshatin Begaj.

“Askush nuk afrohej te kulla.. si me kene me kolerë… askush nuk pyeste a kena hangër, a kena pi, a kena ftohtë,  a jena gjallë… eh pasha at Zot… s'kam me e harrue kurrë kur qajshin ma të vegjlit për bukë e unë qajsha me ta se s'kisha asnjë mundësi me i ushqye.. edhe vete isha i uritun…Zoti na shpëtoi e s'e di si mbijetuem”.

Pa marrë parasysh vuajtjen e Idrizit e të bashkëshortes së tij nëpër torturat e burgjeve komuniste, barbaria e sistemit me sjelljen ndaj fëmijëve të tyre është e pashembullt. Jeta e tyre nisi të ndryshojë kur nëna erdhi në shtëpi e shumë vite më pas edhe babai Idrizi. Por Hasani dhe motrat e vëllezërit e tij ishin të dënuar të jetonin si “armiq të popullit”. Shkolla ishte e ndaluar për ta si për të gjithë fëmijët e “Armiqve të popullit”.

blank“Unë mësoja shumë në shkollë… dhe mbaj mend mësuesit kur më thoshin… "po ti pse mëson s'ke me pasë kurrë të drejtë me shku në shkollë të lartë…kot lodhesh…" Ashtu ndodhi. Ne kurrë nuk e patëm mundësinë të ndjekim arsimin”.

Banorët e fshatit Begaj i kishin braktisur të detyruar nga lufta e klasave. Ata nuk u bashkuan kurrë në gëzime e hidhërimet e familjes Demiraj. Hasani mban mend ceremoninë mortore të të aitit Idrizit në vitin 1985. Kur më vdiq baba në vitin 1985, u mblodhën shumë pak njerëz… shumë pak të afërm.. kurrkush nuk goxonte me ardhe te ne se ishim me biografi të keqe…Në fund të jetës së tij baba ishte shumë i mërzitur dhe shumë i shqetësuar për ne…”, rrëfen Hasani.

Rënia e diktaturës në vitin 1990, ishte një lajm shumë i mirë për Hasanin dhe familjen e tij. Nuk e kishte menduar se nuk do të mund të gjente të drejtën e mohuar për 45 vjet. Se për të nuk do të funksiononte kompensimi për jetën e shkatërruar padrejtësisht.

Në vitin 1991, shoqata e të persekutuarve më dha një letër që të kërkoj punë në Tropojë. Nuk më gjetën punë. U nisa për Tiranë me një strajcë buke e me ato letra në dorë… Trokita në çdo derë. Më priti Hasan Halili, ishte ministër e më tha se ditën tjetër duhej me shku te një zyrë. Kam fjet përtoke te kamët e kalit të Skënderbeut. Në mëngjes mora atë letër e shkova të zyra e më thanë që të shkoj në Bajram Curr e të filloja punë në ndërmarrjen e pyjeve. Punova disa vjet dhe më pas mbeta prap pa punë. U mora me bujqësi por shumë e vështirë me siguru jetesën për fëmijët.

blankPër fat të keq në vitin 1997 m'u dogj shpia. Mbeta edhe pa shpi. Kam jetue në një kasolle bagëtish. E rregulluam dhe hymë aty bashkë me nanën, gruan dhe fëmijët e mi… edhe kjo shpi u shemb.. Më pas morëm një shpi me qira e shteti më dha 50 mijë lekë për me rregullu shpinë e prishur. Me aq lekë nuk kisha asnjë mundësi të rregulloja shpinë. Shkova në Bajram Curr e mora një shpi me qira ku jetoj edhe sot. Nuk ia dalim dot as me ushqy me bukë fëmijët”, rrëfen Hasan Demiraj.

Një letër ku ai rrëfen gjithë historinë e tij të vuajtjes, e ka dërguar në 18 institucione shtetërore duke nisur nga kryeministri, avokati i popullit, ministri, bashki e shumë institucione të tjera. Deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje për mbështje nga institucionet shtetërore. Nuk ka marrë as dëmshpërblim si trashëgimtar i prindërve të tij që vuajtën burgjet komuniste. E vetmja përgjigje që ka marrë është se duhet të presë në listën e  gjatë të personave që vuajnë varfërinë. Megjithatë Hasani është në pritje.

“Fati im është shpia ime…nëse e shoh sa të jem gjallë do jem i lumtur në mos… le të shkojë fati im si ai i tim eti e nënës time…Kam frikë se vdekja do të vijë para së të më vijë radha në atë listë”.

Si Hasan Demiraj në Tropojë janë me qindra të tjerë trashëgimtarë të viktimave të diktaturës komuniste që vuajtën persekutimin e  padrejtësinë përgjatë gjithë jetës e sot vuajnë për pasojë varfërinë.

Për histori si kjo e Hasanit dhe e mijëra shqiptarëve që vuajtën diktaturën, Departamenti i Shtetit ka përfshirë si shqetësim në raportin vjetor, mungesën e kompensimit për këtë shtresë të persekutuar të shoqërisë. Në këtë raport përfshihet edhe problematika e gjetjes së të zhdukurve gjatë diktaturës komuniste.

blank“Qeveria nuk ka bërë përparim në lëvrimin e kompensimeve për ish-të përndjekurit politik gjatë vitit. Instituti për Aktivizëm dhe Ndryshime Sociale dhe Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit (Sigurimi) ngritën shqetësime në lidhje me rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur që datojnë nga ish-regjimi komunist”, theksohet në raportin e DASH për Shqipërinë i publikuar më 12 prill 2022. Çështja e të zhdukurve është përfshirë edhe në raportet e Bashkimit Evropian, por institucionet shqiptare vazhdojnë të këmbëngulin duke lënë peng procesin e kompensimit të trashëgimtarëve të të dënuarve politikë si dhe gjetjen e personave të ekzekutuar apo të vdekur nëpër bugjet e kampet e internimit gjatë diktaturës komuniste.

Është e pashembullt përvoja shqiptare në sjelljen me viktimat e diktaturës. Kanë kaluar 31 vjet prej kohës kur u rrëzua sistemi komunist, por institucionet drejtues në këto tri dekada kanë lënë në harresë detyrimin për të kompensuar, jo vetëm financiarisht, këtë shtresë të popullsisë që vuajti dhunën e pashembullt komuniste për 45 vjet, pasojat e së cilës i vuajnë edhe sot pasardhësit e tyre.

Shënim: Intervista me Hasan Demiraj është realizuar nga emisioni Vetting ne ABC, një vit më parë. Citimi në raportin e  DASH është marrë nga "Zëri i Amerikës": https://www.zeriamerikes.com/a/6526436.html

blank

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.