Bukëpjekësi që u bë oficer Sigurimi dhe kërkonte favore seksuale

0
3032
blank

Profili i një oficeri të  diktaturës, që i pajisur mirë ishte me mangësi: kulturore, profesionale e mbi të gjitha, morale, por edhe me ligësi. Kur punonte prokuror ushtarak në Elbasan kërkoi dënim me vdekje për dramaturgun Et’hem Emin Haxhiademi për intelektualët Fadil Gurmani, Zija Luniku, Mahmut Maçi, Xhafer Miraku të cilët u ekzekutuan. Zullumet e tij u shtuan aq shumë derisa u detyruan ta lironin 

Kristo Mushi, lindur në Plasë të Korçës në vitin 1909 ishte me profesion bukëpjekës. Ai figuron si një nga “200 petritët e parë”, pra komunist nga themelimi i partisë në nëntor 1941. Ishte i kompletuar edhe nga ana fisnore në lidhje me partinë e pushtetin.

Kishte vëlla të gruas, pra kunat Janaq Karapataqin, ish-drejtues i burgjeve në vitet e para të regjimit. Kishte motër të gruas, Stela Karapataqi, punonjëse të rëndësishme të Arkivit të PPSH-së. Kish mbaruar në vitet 1918-1923 vetëm arsimin fillor në fshat, niveli i duhur për gjithë kuadrot e partisë dhe sigurimit. Në vitet 1946-1948 kish bërë edhe 3 klasë unike në Tiranë, për të plotësuar atë që quhej arsimi 7-vjeçar. Në vitet 1923-1940 dhe 1941 punoi në Korçë si bukëpjekës dhe ndihmësshofer. Në vitin 1940 ishte banakier në dyqanin “Flora” në Tiranë, duke punuar kësisoj ndihmës i Enver Hoxhës.

Në vitet 1946-1948 ishte prokuror ushtarak në Elbasan. Gjatë kësaj kohe mbahet mend se kërkoi dënim me vdekje për dramaturgun Et’hem Emin Haxhiademi, apo për intelektualët Fadil Gurmani, Zija Luniku, Mahmut Maçi, Xhaferr Miraku, të cilët u ekzekutuan.

Më 1949-1950, pavarësisht se nuk kishte arsimin e mesëm, si gjithë shokët e tjerë, ndoqi një kurs sigurimi në Bashkimin Sovjetik. Pas ardhjes në Shqipëri, u emërua në ushtri, e pas saj, karriera e tij vijoi kështu:

1953-1955 drejtor i Drejtorisë së Punëve të Brendshme në Durrës.

1955-1956 zëvendëskryetar i Degës së 3-të në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.

1956-1958 zëvendëskryetar i Degës së 6-të në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.

1958-1962 kryetar i Degës së 9-të në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit.

1962-1964 kryetar i Degës së 4-të në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit.

Mushi hynte te kuadrot me rëndësi të regjimit të armës së Sigurimit, por shënohej gjithnjë niveli i ulët e tij.

Në karakteristikat e vitit 1951 shënohej se “armikun e klasës e urren me të gjitha forcat e tij”, por theksohej se “mundësitë ishin mjaft të kufizuara”, por vlerësohej me “nivel të ulët kulturor dhe ushtarak”. Për këtë arsye propozohej të kalonte në armën e Sigurimit të Shtetit, armë e cila i grumbullonte këta elementë. Në vitin 1962 u propozua për dekorim, për punë të mirë, pikërisht në kohën kur shërbente në sigurimin e udhëheqjen, por dekret nuk doli. Më 14.7.1964 u propozua të dalë në lirim. Si duket kërkonin ta nxirrnin në lirim pa e përmendur për çështje imoraliteti, por vetëm për moshë e paaftësi.

Me vendimin nr.79, datë 15.7.1964 të Komitetit të Partisë së Punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, mori vërejtje të rëndë për shfaqje të imoralitetit. Femrave që frekuentonte u premtonte pasaportizimin në Tiranë. Aq shumë ishte trashur zullumi sa që as partia nuk mund ta mbronte më. Kështu u mbyll karriera që nisi si bukëpjekës e përfundoi si kryetar dege në Sigurim.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here