Torturë mbi torturat: Para automatikut, afër varrezave, në mesnatë

0
3455
blank

Një rrëfim i detajuar për të papërshkrueshmin burg të Gjirokastrës të vendosur në kalanë e qytetit. Si pamja dhe ajo që ndodhte brenda, vinin drejtpërdrejt nga Mesjeta. Tomorr Aliko tregon torturat çnjerëzore që provoi në trup gjatë 13 muajve të hetuesisë në këtë burg dhe mbitorturën e asaj nate të paharrueshme gushti, kur e lidhën, e çuan afër varrezave dhe i bënë gati automatikun para fytyrës

 

Ishte bashkuar me çetat e Ballit Kombëtar, që në moshën 17 vjeç, i shtyrë nga ndjenjat kombëtare. Më vonë iu desh të arratisej në Greqi, por dhe atje do e kapnin partizanët grekë dhe do e riatdhesonin. Tomorr Aliko ra në duart e komunistëve kur ishte vetëm 21 vjeç dhe që nga ai çast, për vite të tëra, provoi tortura, punë të rëndë dhe burg pas burgu. I pari ishte ai Gjirokastrës.

"Vetë pamja e jashtme e kalasë të kallte tmerrin. Tuneli kryesor të çonte në errësirën e bodrumeve, në sallën e madhe të burgut, ku dergjeshin qindra njerëz mbi të cilët diktatura vepronte pa mëshirë. Ata që vendosnin fatin e viktimave ishin oficerët hetues të dalë nga lufta partizane, me arsim fillor dhe ndonjë me të mesme. Një të tillë hetues kisha edhe unë. Trembëdhjetë muaj isha në mëshirën e tyre. Çfarë nuk përdorën mbi trupin tim: korrentin elektrik, hekurin e skuqur, jelekun, lënien pa ujë, qëndrimin me një këmbë derisa të të binte të fikët, pa përmendur shkopinjtë, shkelmat e grushtet. Të gjitha këto bëheshin për të pranuar që isha agjent i Asfalisë greke, edhe pse e dinin se Asfalia më burgosi në Janinë."

Megjithëse dëshmitë e disa të mbijetuarve, përputhen për egërsinë e burgut në kalanë e Gjirokastrës, rreshtat e Tomorr Alikos, kanë mbetur ndër më përfaqësueset:

"Atje ishte ferri i Dantes, ishte tmerri, skëterra. Kush e ka provuar dhe ka mbetur gjallë mund ta tregojë. Dhomat ose birucat, 2m me 3m, në tavan një vrimë e vogël ku depërtonte një dritë e zbehtë, dyshemeja me çimento, e cila ishte gjithmonë me lagështirë. Shtresë ishte një dyshek me kashtë dhe një rrogoz i kalbur. Na jepnin 600 gr bukë dhe asgjë tjetër. Çdo 15 ditë, me leje të hetuesit, lejohej ndonjë ushqim nga familja."

blank
Kalaja e Gjirokastrës, foto e marrë nga libri i Tomorr Alikos Fundi i rrugës së gjatë

Një varg torturash që shkatërronin fuqitë njerëzore. Disa nuk u rezistuan. Të tjerë arritën të mbijetonin, siç ishte Tomorr Aliko, ndaj të cilit eksperimentet torturuese nuk njohën kufi.

"Nuk më harrohet kurrë nata e 22 gushtit 1946. Ishte mesi i natës. Hapet dera dhe futen hetuesi me dy policë. Më vunë hekurat në duar, u hapën dyert kryesore, më hipën në një xhips dhe u nisëm. Nuk e dija ku po më çonin, por kisha dëgjuar se pushkatonin edhe pa vendime gjyqi. Ndaluam buzë lumit, afër varrezave të qytetit, vend i preferuar për pushkatime.
-Ja të erdhi fundi,-më tha hetuesi. Vetëm një fjalë të shpëton jetën. Prano që je agjent i grekëve.
Hetuesi binte era raki. Nga i dehuri, mendova, pritet gjithçka. I thashë xhelatit se nuk kam qenë dhe nuk bëhem agjent i asnjë shteti.
-Mos u lodh, zbato planin që ke marrë,-i thashë.
Megjithëse jeta është e dhimbsur, njeriu kur është para vdekjes bëhet më i fortë. Mbaj mend që thirra: “Poshtë komunizmi! Rroftë Shqipëria!” Në ato momente mendoja se këto fjalë i dëgjonte e gjithë bota. Njëri nga policët bënte gati automatikun. Hetuesi më qëlloi me shkelm në vend të hollë dhe unë mbeta pa ndjenja.
Nuk e di sa zgjati kjo gjendje, vetëm se kur hapa sytë dallova drejtorin e burgut i cili më futi në makinën e tij dhe më çoi atje ku më kishin marrë. Asnjë fjalë nuk më tha kush për këtë. Tani më dukej vetja tjetër njeri, më i guximshëm, më krenar. Jetoja me vdekjen dhe atë e prisja nga momenti në moment."

Ditët dhe muajt kalonin…përsëriteshin proecesverbalet, përsëritej edhe qëndrimi i Tomorr Alikos. E provokuan edhe me një spiun që i futën në qeli. I hapi zemrën dhe kjo i kushtoi. Ai i dënuar i kërkoi falje pesë vite më vonë kur u gjendën bashkë në spitalin e burgut të Tiranës, por Tomorri nuk mundej as ta shihte me sy.

"I fundit që më mori në pyetje ishte një hetues, oficer madhor i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Thoma Karamelo, besnik i ministrit Koçi Xoxe, i cili dallohej nga hetuesit e tjerë për kulturën që kishte. Përfundimisht, procesverbali u mbyll dhe mbas disa ditëve më çuan në birucat e burgut të ri të Tiranës, po të njëjtat biruca, vetëm se kishin dritare dhe dhoma ishte më e madhe. Këtu kalova edhe katër muaj të tjerë derisa më nxorën në gjyqin ushtarak.
E dija se ishte marrë vendimi i dënimit tim nga Sigurimi dhe gjyqi ishte krejt formal. Më 30 shtator 1947, dy policë, si më vunë hekurat, më hipën në një xhips. Njëri prej tyre, duke më treguar automatikun, më thotë: “Ky nesër mbrëma, do të këndojë”. Mendova se të gjithë donin gjak. E pashë me përbuzje."

Terrori psikologjik vazhdonte. Tomorri ishte mësuar edhe me të.

"U gjenda në një sallë gjyqi. Prokurori dhe tre gjyqtarë prisnin gjahun e tyre. Kishin disa shkresa mbi tavolinë. Si më pyetën për identitetin, lexuan procesverbalin. Prokurori vuri në dukje rrezikshmërinë që paraqisja, tradhtinë ndaj atdheut, duke i kërkuar kështu trupit gjykues dënimin tim kapital. Kryetari kërkoi nga unë fjalën e fundit, e cila nuk kishte asnjë vlerë mbasi çdo gjë ishte vendosur. U thashë se nuk kam kryer asnjë krim dhe atdheun nuk e kam tradhtuar asnjëherë. Trupi gjykues dhe prokurori u tërhoqën nja pesë minuta. Vendimi ishte: Burg i përjetshëm. M’u duk se u lirova. Më nxorën dhe më shoqëruan për te burgu i vjetër, Rep.313 Tiranë, ku mbas 17 muajve ndodhem midis shokëve të idealit dhe të vuajtjeve. Isha dobësuar aq shumë sa mezi qëndroja në këmbë."

E prisnin 16 vite burg, por ndoshta provën më të vështirë e kishte kaluar.

Shënim:Përshkrimet janë marrë nga libri i Tomorr Alikos "Fundi i rrugës së gjatë".

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here