"Kur vdiq motra mendova se nuk kishte Zot”  

0
1928
blank

“Quhej Lirieta. Ajo ishte shumë e bukur. Për ne vëllezërit ishte e shenjtë. Ajo ndau ushqimin e saj e të djalit me ne. Kursente që të na sillte ne vëllezërve ushqime nëpër burgje. Ajo sakrifikoi kaq shumë për ne dhe nuk jetoi…”

 “Vishu me të zeza motër dhe hajde në takim, e dimë se ka vdekur nëna”, ky ishte teksti i telegramit që mori Lirieta Cani, nga dy vëllezërit e saj të burgosur në Qafë-Bari, në vitin 1988. Lirieta shkonte çdo tre muaj tek secili prej tre vëllezërve të saj, Selimi, Abdyli dhe Fadili. Tre vëllezërit e saj ishin të burgosur politik pasi ishin arrestuar në tentativë për t'u arratisur jashtë Shqipërisë. Telegrami që mori Lirieta nga vëllezërit ishte pikërisht në momentin kur nëna e tyre kishte ndërruar jetë, por Lirieta nuk donte t'i lajmërontë të vëllezërit dhe shkonte në takime me veshje normale për të mos rënë në sy. Por njëri prej vëllezërve kishte marrë vesh rastësisht nga një i burgosur tjetër për vdekjen së ëmës. Është një pjesë e shkëputur nga rrëfimi i Selim Canit, i burgosur për tentativë arratisjeje në vitin 1987. Është e dhimbshme historia e tre vëllezërve dhe motrës së tyre e rrëfyer nga njëri prej tyre, Selim Cani në një interevistë dhënë për “Zërat e Kujtesës” me autore Luljeta Lleshanaku. Selimi rrëfen kalvarin e vuajtjeve të një adoleshenti nëpër burgjet e diktaturës komuniste. Selim Cani ishte vetëm 18 vjeç kur vendosi të kërkojë lirinë përtej telave me gjemba të diktaturës komuniste. Kishte vendosur të arratisej në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij.

Rrëfimi për vdekjen e nënës është një ndër ngjarjet e dhimbshme të jetës së tij nëpër burgje. Kur motra mësoi se tre vëllezërit e dinin tashmë se nëna kishte ndërruar jetë,  kishte mundur të siguronte disa pako kafe me shumë vështirësi që t'ua çonte vëllezërve në burg. Dy prej tyre ishin në Qafë-Bari, Selimi dhe Avdyli. Zakoni ishte që të burgosurit që kishin raste të fatkeqësisë, humbje të familjarëve, duhet të ndanin kafe me të burgosurit e tjerë. Ishte një farë ceremonie në nderim të të afërmit që largohej nga kjo botë pa e parë.

Dhjetëra raste torturash çnjerëzore, ngjarje të dhimbshme që kishte ndeshur gjatë qëndrimit nëpër burgje, humbje të shokëve të burgosur, e shumë peripeci të tjera... Në atë udhëtim të mundimshëm, Selimi veçon si personazhin më të rëndësishëm motrën, Lirietën.

“Quhej Lirieta dhe u martua me një burrë më të madh në moshë, sepse ne dy vëllezërit e saj ishim të burgosur politikë. I shoqi ishte madje edhe me të meta fizike. Kishte problem tek njëri sy. Ky ishte fati i të gjitha familjeve të persekutuara.

Për në vëllezërit, ajo ishte e shenjtë. Unë isha i vogli dhe ajo më ka rritur sepse nëna ishte e sëmurë. Motra ime nuk jeton më sepse ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Ajo kursente nga ushqimet e saj e të birit për të na sjellë ne vëllezërve ushqime nëpër burgje. Na vinte çdo tre muaj të tre vëllezërve me çanta me ushqime", rrëfen Selim Cani.

Një ndër momentet më të vështira është edhe takimi me nënën në burg. “Mbaj mend një rast në Qafë-Bari, kur erdhi nëna në takim. Kur vinte dikush nga familja nuk mund ta takonim, vetëm e kishim përballë dhe na ndante në mes teli me gjemba ndërsa pas nesh gjendej roja. Nëna ishte e sëmurë dhe nuk shihte mirë, pra nuk më shikonte dot. Ajo iu lut rojes: “a t'ia puth pak duart djalit?” dhe përgjigjja e policit ishte makabre: “Ty, nënë bushtër dhe armike e popullit, si të të lë të puthësh duart e djalit?!”. Unë u revoltova shumë dhe e shava .. për këtë unë u dënova me tre ditë birucë…"

Shënim: Ky artikull mbështet tek libri "Zërat e Kujtesës, me autore Luljeta Lleshanaku, botim i ISKK-së

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here