“Bleta ndër lule të Parrizit”

0
230
blank

Sot 70-vjetori i ndarjes nga jeta të romancierit të parë shqiptar, Dom Ndoc Nikaj.  Ishte patrioti i shquar shkodran, njeriu që solli të parën shtypshkronjë në qytetin e Shkodrës për të përhapur gjuhën shqipe nën represionin e Turqisë. Si do të dënohej me burg nga turqit për botimin e fletores së parë politike, "Koha" e si do të mbërrinte deri në moshën 82-vjeçare për t'u përballur edhe me regjimin e egër komunist. Fundi tragjik i një mendimtari të sh quar që dha shpirt në moshën 87-vjeçare në burgjet komuniste.

Si sot 70 vjet më parë, më 16 janar 1951, ndërroi jetë në burgun e Burrelit, kleriku i famshëm i Shkodrës, Dom Ndoc Nikaj. Ishte një ndër priftërinjtë katolikë të Shkodrës, i shenjëstruar nga regjimi komunist si një ndër personalitetet më të rëndësishme që u shpall armik i popullit.

Dom Ndoc Nikaj, shihej si një personalitet më me ndikim në Shkodër e Shqipëri, edhe për faktin se ishte romancieri i parë shqiptar. Dom Ndoc Nikaj është autor i romanit të parë shqiptar me titull “Marcja”, i botuar në vitin 1899. Ishte koha kur Dom Ndoc Nikaj bashkë me Abatin Prend Doçi dhe At Gjergj Fishtën, themeluan shoqërinë “Bashkimi”.

blankPak ditë pas kryengritjes së Postribës, Dom Ndoc Nikaj do të arrestohej ndër qindra të tjerë intelektualë që u akuzuan si drejtues të kësaj lëvizjeje. Don Ndoc Nikaj, ishte 82 vjeç, kur e arrestuan. I vendosën prangat  dhe e detyruan të ngjitej mbi një gomar; pas shpine i ngjitën një armë të ndryshkun dhe e shëtitën nëpër rrugët e Shkodrës me qëllim për ta denigruar. U dënua me pesë vjet burg. Dënimi ishte kaq i ulët në raport me të tjerë klerikë edhe për shkak të moshës së madhe dhe komunistët ishin të bindur se shpejt do të ndërronte jetë në burg. Në fakt ashtu ndodhi, pas dy vitesh tortura dhe vuajtje në burgjet komuniste, Dom Ndoc Nikaj ndërroi jetë. Më 16 janar 1951.

Dom Ndoc Nikaj u largua brutalisht nga jeta, por la pas një pasuri të madhe për brezat. Gjatë diktaturës komuniste asnjë prej veprave të tij nuk u njohën. Por edhe pas diktaturës nuk pati ndonjë përpjekje serioze për t'i dhënë vlerën që i takon si një ndër klerikët më të shquar, patriotët më në zë që kontribuoi për rritjen e nivelit arsimor ndër brezat shqiptarë, që u përball me burgjet e Turqisë si një ndër përhapësit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe.

Më poshte publikohet biografia e tij sipas radio Vatikan

Dom Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 15 qershor 1865ndёrsa ndёrroi jetё në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951. Ky meshtar shqiptar hyn në radhën e atyre priftërinjve e shkrimtarëve të cilët veprimtarinë meshtarake dhe shkrimin e kuptuan si mision në shërbim të Zotit e të popullit shqiptar, duke mbështetur idenë kombëtare.

blankDom Ndoc Nikaj qe shkrimtar dhe punëtor i palodhshëm, njeri i zellshëm i cili për mëse 50 vite me radhë punoi duke mos lëshuar penën prej dorës për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ringjallur te populli idenë kombëtare, për të përforcuar identitetin etnik e shpirtëror. Si i tillë, dha kontribut me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kulturës shqiptare, edhe sa i përket krijimtarisë së tij të madhe e poliedrike, e sidomos duke pasur parasysh kohën kur dom Ndoc Nikaj punoi, kohë kur gjuha shqipe ishte rreptësishtë e ndaluar nga ana e qeverisë turke.

Veprimtarinë letrare e fillon kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Librin e parë e botoi në vitin 1888 i cili mban titullin “Vakinat e Kishës”, vepër e cila u botua në shtypshkronjën e Propaganda Fide-s në Romë. Dom Ndoc Nikaj në këtë vepër pati dy qëllime të larta: të njihet sa më mirë historia e Kishës, e populli të ketë njohuri mbi Kishën dhe krishtërimin dhe e dyta të nxisë e ringjallë te populli shqiptar dëshirën e shijen për lexim në gjuhën shqipe. Një vit më vonë (1889) boton romanin “Marcja”, i cili së shpejti u përhap pothuaj në të gjitha familjet e Shkodrës e ato shqiptare.

Abati i Mirditës, Imzot Prenkë Doçi një ditë bashkë me disa bashkëpunëtorë shkon në Shkrel ku Dom Ndoci ishte famullitar. Bashkë me Dom Ndocin vendosin të formojnë një shoqëri që do të kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe çlirimin e tokave shqiptare nga sundimi otoman. Kjo shoqëri thirrej “Lidhja e Mshehtë”.

blankLidhja u përhap sidomos duke iu falënderuar punës së palodhshme të Dom Ndoc Nikajt dhe më vonë përgatiti kryengritjen kundër sundimit otoman. Dom Ndoci qe transferuar prej Shkrelit në Dajç të Bregut të Bunës. Ideja për kryengritjen kundër qeverisë turke vinte gjithnjë duke u pjekur, kur dhe pas përgatitjeve të duhura ajo plasi më 25 mars 1910 dhe zgjati deri më 1912 me fitimin e pavarësisë. Prifti shqiptar dom Ndoca Nikaj qe ai që kryengritjen e ndihmoi në çdo mënyrë, madje ai ishte frymëzuesi i saj.

Kur imzot Prenkë Doçi përpiloi programin për formimin e shoqërisë letrare “Bashkimi” (1899), Dom Ndoci qe punëtori më i zellshëm dhe puna e veprimtaria e madhe e këtij krijuesi bëri që shoqëria të përhapej dhe të fitonte rëndësi të madhe. Më 1909 solli në Shkodër një shtypshkronjë në të cilën do të botoheshin fletore dhe libra në gjuhën shqipe.

Kështu më 1910, boton një ndër të parat fletore politike në Shqipëri. Kjo fletore qe botuar me emra të ndryshëm: numri i parë u quajt “Koha”. Ky titull i bie qeverisë osmane në sy, prandaj e detyroi Dom Ndocin t'ia ndryshonte titullin duke u quajtur “Bashkimi”, pastaj “Besa Shqyptare”, “Zani i Shkodrës”, sipas kushteve të politikës së brendshme që ekzistonin asokohe në Shqipëri. Kjo fletore u botua në vitin 1921.

Në të pati artikuj plot guxim, me frymë kombëtare, për çka edhe Dom Ndoci qe dënuar me burgime, goditje të rënda, kërcënime etj..
Më 1897. Faik Konica fillon botimin e përkohshëm “Albania”. Në këtë revistë. dom Ndoc Nikaj merr pjesë pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare.
Këtu kishte pseudonimin “Nakdomonici” ku Atë Gjergj Fishta, në poezinë satirike “Nakdomonicipedija”, “përqesh” përpjekjet fisnike dhe atdhetare të këtij prifti të madh shqiptar.

Dom Ndoc Nikaj punoi pa u lodhur edhe për ta njohur Evropën me çështjen e lirisë së tokave shqiptare. Për këtë qëllim mbante kontakte të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Evropës. Dom Ndoc Nikaj vdiq në burgun e Shkodrës më 16 janar 1951.

Krijimtaria letrare

Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Elementi kryesor i të gjitha veprave pothuaj është i marrë nga jeta shqiptare: përshkruhen zakonet e lashta dhe fisnike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, subjektet e tija janë të gjitha nga jeta e njerëzve tanë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqypnis”, vepër me 414 faqe, botuar në Bruksel më 1902.
“Përshkrimet e luftimevet të Shqyptarëvet kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skenderbeg, deri në ramjen e Shkodrës në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazëm kombtar, prej të cilit shihet zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet”. (Shkrimtarët Shqiptarë, Tiranë, pjesa II, fq. 93.)
Bashkë me Dom Kolecin, i cili është autor kryesor i fjalorit të njohur “Bashkimi” (1908) edhe Dom Ndoc Nikaj punoi në përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famullina kishtare ku veproi si prift famullitar.

blank

Ja disa nga veprat e botuara prej autorit në fjalë:

“Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), fletorja “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 – 1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), "Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), "Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj.
I mbeten të pabotuara edhe shumë dorëshkrime, ndër të cilat janë edhe shtatë romane: katër historik të vendit dhe tre në përkthim të lirë. Këta janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”.

Dom Ndoc Nikaj qe vërtet një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here