Asllani, polici mizor i Burgut të Burrelit

0
2624
blank

Nëpër kujtimet e të burgosurve politikë, por edhe në letrat e kohës, ai figuron një njeri i keq, që sillej ashpër dhe me zell kriminal kundër të dënuarve. Asllan Ukaj nga Buzhiqi i Qarkut të Dibrës, i vitlindjes 1932, mbahej si një ndër policët më famëkëqij të Repartit nr.321 Burrel në vitet 1956-1969, duke u graduar sipas radhës në tetar, rreshter, kapter dhe mareshal. Edhe në familje ishte i varfër. Partia kishte gjetur një njeri kulturalisht të ulët, të varfër dhe të përkushtuar. Të tillë tipa e shprehnin padijeninë e tyre kundër atyre që vuanin. “Është fshatar i varfër dhe besnik i partisë e pushtetit popullor”-shënonin eprorët për të. Vlerësohej shumë në kryerjen e shërbimit si roje e brendshme. Në vitin 1962 e kishte rrogën 4 mijë lekë. Theksohej “vigjilenca e lartë” kundrejt të burgosurve. Kishte mungesa në rrogë pasi nuk i dilte për të mbajtur familjen. Një portret më të mirë për polic Asllanin e ka bërë i dënuari politik Muharrem Xhakoni në një letër të fillimit të vitit 1963.

Pjesë nga letra e Muharrem Xhakonit

Kur isha me temperaturë 40 nga gripi aziatik, kapter Asllani më ngriti nga dysheku, me futi në qeli, më zhveshi, më zbathi kur çimentoja ishte e lagur dhe temperatura e të ftohtit (ishte) 8 (gradë) nën zero.

Mbas 8 orëve, në atë gjendje, më ngriu gjaku, u paralizova dhe humba ndjenjat. Kur erdha në vete, pashë se ndodhesha në dhomë. U ktheva në jetë nga masazhet e shokëve dhe borseta me ujë të ngrohtë.

Herën e fundit, më ngre në mesnatë nga dysheku, më futi në qeli e pastaj së bashku me ndihmësmjekun Kamber, më zhveshin, më zbathin, më lidhin me hekura dhe kur duart m’u mpinë, kur duart u nxinë, atëherë m’i tërhoqën, m’i tundën në formë torture.

Kapter Asllani më nxjerr në oborrin e burgut me imponim kur bien shira të rënda. Pleq, të sëmurë dhe të vobektë që janë të zbathur e me lecka, lagen në shi, pa pas zjarr, ndërresa dhe soba me u terë.

Kur ecim, kërkohet një heshtje absolute. Po të thuash fjalën mirëmëngjesi, kapter Asllani të fut në qeli me gjithë pasojat e tjera, sikur të ishim hije të vdekura e jo qenie njerëzore të gjalla.

Po të bësh 5 minuta gjimnastikë në vendin tënd, të fusin në qeli, të zbathur e të zhveshur. Kjo gjë na dëmton të gjithëve, sidomos ata që vuajnë nga reumatizma dhe paraliza të ndryshme.

Ky kapter ka dhënë urdhër të prerë mos me la kokën, qafën, veshët dhe mos me përdor sapun në mëngjes. Viktimat e këtij urdhri janë me duzina të burgosur. Patër Donat Kurti, pse lau pak kokën, u dënua në birucë. Mori një ftohje në veshkë, si efekt i tre ditëve në qeli pa tesha. Ka tre muaj që bën kura, i shtruar në infermierinë e burgut.

S’ka ditë që kur ka shërbimin kapter Asllani të mos zhvishen, zbathen e futen ndër birucat e lagura e gjithnjë pa tesha fjetje, 4-5 të burgosur.

 

Në rast se keni dijeni mbi krime, viktima apo ngjarje që lidhen me periudhën e komunizmit në Shqipëri, klikoni këtu për ta publikuar në arkivën tonë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here